Prishtinë, 23 gusht 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në inaugurimin e “Murit të nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, ku të pranishëm ishin edhe Joseph DioGuardi, Kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Lekë Rezniqi, Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, si dhe ambasadorët Jeffrey Hovenier i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Joern Rohde i Republikës Federale të Gjermanisë.
Në ambientet e Parkut të Qytetit në Prishtinë, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit të këtij muri i cili nderon vetëmohimin dhe sakrificën e shqiptarëve në Kosovë që shpëtuan miqtë dhe fqinjët e tyre hebrenj nga e keqja e Holokaustit.
“Falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi nxjerrë në sipërfaqe këtë pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët të dy popujve tanë. Falë përpjekjeve të tyre, emrat e këtyre heronjve do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në këtë mur, në vend që të harrohen me kalimin e kohës”, u shpreh kryeministri.
Njëkohësisht, ai cilësoi se “Muri i Nderit” jo vetëm që përkujton aktet heroike, por shërben edhe si monument i vlerave të përbashkëta dhe i miqësisë së qëndrueshme të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Sipas tij e përbashkëta mes këtyre dy popujve qëndron në ndjenjën e privimit nga shtëpia, në kuptimin e plotë të fjalës.
“Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti – shteti i Izraelit dhe shteti i Kosovës – që më në fund u dha atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila ata ishin privuar më parë”, shtoi kryeministri.
Fjalën e tij, kryeministri e përmbylli duke kujtuar se ky “Mur i Nderit” i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe pasardhësve. Bindshëm do të shërbejë si një simbol i fuqishëm i miqësisë së përjetshme të popujve tanë – tani dhe për brezat që do të vijnë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në gjuhën angleze:
I nderuar z. Joseph DioGuardi, President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane,
E nderuar znj. Shirley Cloyes DioGuardi, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro Amerikane,
E nderuar Profesoreshë Rachel “Shelly” Levy-Drummer,
I nderuar z. Avner Shalev
I nderuar z. Lekë Rezniqi,
Të nderuar Ambasadorë Jeffrey Hovenier i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Joern Rohde i Republikës Federale të Gjermanisë,
Mysafirë të nderuar,
Zonja dhe Zotërinj,
Më jep kënaqësi të madhe të marr pjesë në inaugurimin e këtij Muri të Nderit. Ngjashëm me Kopshtin e të Drejtëve mes Kombeve te përmendorja e madhe e Holokaustit “Yad Vashem”, ky mur nderon vetëmohimin dhe sakrificën e shqiptarëve në Kosovë që shpëtuan miqtë dhe fqinjët e vet hebrenj nga liga e tmerrshme e Holokaustit.
Muri nderon individë të jashtëzakonshëm që treguan kurajo të madhe qytetare dhe empati, në një kohë kur okupimi gjerman nazist po mundohej pa mëshirë të shkatërronte dhe të fshinte gjithkënd dhe gjithçka që ishte hebre në Kosovë.
Muri i njeh individët me emër. Dhe kjo në vetvete është diçka për t’u gëzuar, se nuk ishte, në asnjë mënyrë, automatike. Veprat heroike të këtyre njerëzve të guximshëm ishin të humbura për botën deri në fund të luftës në Kosovë. Ishte për shkak të punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë–Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikane, që e kemi nxjerrë në pah këtë pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët të dy popujve tanë. Falë përpjekjeve të tyre, emrat e këtyre herojnve do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në këtë mur, në vend që të harrohen me kalimin e kohës.
Megjithatë, domethënia e këtij muri shkon përtej individëve të cilët i lartëson. Muri jo vetëm se i përkujton veprat e tyre, por edhe shërben si monument për vlerat e përbashkëta dhe miqësisë së qëndrueshme të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën.
Filozofi amerikan Samuel Scheffler ka shkruar në mënyrë prekëse për rëndësisë së madhe të të pasurit një shtëpi, edhe në hapësirë, edhe në kohë. Një shtëpi në hapësirë, shkruan ai, “nuk është vetëm një hapësirë ku na rastis që ta zë. Është po ashtu një vend ku normalisht pretendojmë të kthehemi dhe ku kemi kapacitet të kthehemi. Është një vend të cilit ndihemi se i përkasim dhe ku të tjerët na trajtojnë sikur i përkasim. … Ata që nuk kanë shtëpi, nuk kanë një vend në botë”. Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit 20, dhe shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë atij shekulli, e dinin se çka do të thoshte të jesh i privuar nga një shtëpi, në kuptimin e plotë të asaj fjale. Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti — shtetit të Izraelit dhe shtetit të Kosovës — që përfundimisht u dha atyre një shtëpi, në kuptimin e gjerë të fjalës, nga e cila ishin të privuar më herët.
Muri i Nderit, të cilin sot e inaugurojmë, po ashtu dëshmon se populli hebre dhe populli shqiptar ndan një shtëpi në kuptimin kohor. Përkujtimi i përsëritur i atyre që rrezikuan jetën e vet për të shpëtuar njerëzit e tjerë, është një traditë që përkujton një dritë të rrallë të shkëlqyer në një ndër periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Është një traditë e cila lartëson vlerat që i kemi të përbashkëta — miqësia, mikpritja, dinjiteti dhe njerëzllëku — dhe njeh personat që qëndronin pas këtyre vlerave, në kundërshtim të atyre që kërkonin t’i shkatërronin.
Si çdo përmendore, ky Mur i Nderit i përkushtohet jo vetëm historisë, por edhe pasardhësve. Do të sigurojë që herojntë e së kaluarës nuk do të harrohen nga e ardhmja. Do të na japë një përmendore të përhershme, përmes së cilës mund të kthehemi, në mënyrë të përsëritur, tek ajo dritë e shkëlqyer në historinë tonë të përbashkët. Dhe do të shërbejë si një simbol i fuqishëm i miqësisë së përhershme të popujve tanë, tani dhe për brezat e ardhshëm.
Last modified: 23 Gusht, 2023