Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti me anëtarë të kabinetit ndezën qirinj në nderim të heroit, Afrim Bunjaku

24 Shtator, 2023

 

Prishtinë, 24 shtator 2023

Në nderim të veprës së Afrim Bunjakut, policit të rënë sot në detyrë nga sulmi terroristë i grupeve kriminale në fshatin Banjskë të Zveçanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar kanë ndezur qirinj para Stacionit Policor Qendër, në Prishtinë.

Ftesës për të ndezur qirinj iu përgjigjën qytetar të shumtë, përfaqësues të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe diplomatë të vendeve partnere.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Unë porsa mbërriva para stacionit Qendra të Policisë së Kosovës, nga fshati Samadrexhë, ku ishim për ngushëllime tek familja e policit Afrim Bunjaku, dhe këtu me ndezjen e qiririt, ne, secili prej neve e shtojmë një dritë të vogël për shpirtin e madh të Afrim Bunjakut, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij ndriçoi rrugën e shtetit të së drejtës të Kosovës, që nuk zmbrapset para asnjë krimineli e terroristi.

Takuam gruan e tij Lumnijen, dhe tre fëmijët e tij, takuam axhallarët, hallën, takuam farefisin e gjerë, miqtë edhe dashamirët, të cilët bashkërisht me neve, me mua, me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, me Drejtorin e Policisë, me kolegë të Afrimit, ndamë dhembjen edhe pikëllimin për këtë polic që e humbi sot Kosova, teksa ajo fitonte më shumë ligj, më shumë kushtetutshmëri, më shumë drejtësi, më shumë siguri, pikërisht për shkak të kontributit dhe flijimit të Afrim Bunjakut.

Me këtë rast falënderoj të gjithë qytetarët të cilët kanë ardhur sonte këtu për të bërë nderime dhe për të treguar se Afrimin e kemi afër në zemrat tona, dhe se rruga e shtetit ligjor, rruga e kushtetutshmërisë, dhe e ballafaqimit me kriminelët e me terroristët është rrugë e cila do të ndjeket nga secili prej nesh dhe të gjithë bashkë deri në ngadhënjimin përfundimtar të shtetit të Kosovës, të Republikës tonë të pavarur.

I falënderoj edhe të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë diplomatik të shteteve mike, të cilët na janë bashkuar këtu sonte që të bëjmë nderime për policin Afrim Bunjaku, për heroin tonë Afrim Bunjaku.

Lavdi Afrimit, dhe urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi për qytetarët dhe lirinë e të drejtat e tyre. Faleminderit!

 

 

Last modified: 24 Shtator, 2023

Comments are closed.

×