Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mbajti fjalën hyrëse në diskutimin me titull, Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: Inovimi etik në Epokën e Inteligjencës

22 Janar, 2025

 
Davos, 22 janar 2025
 
Paneli i fundit i diskutimit në Shtëpinë e Kosovës, mbajti titullin, Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: Inovimi etik në Epokën e Inteligjencës. Ky bashkëorganizim me Universitetin e Oksfordit, filloi me fjalën hyrëse të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe më tej me diskutimin në panel me ekspertë ndërkombëtarë të fushës së inteligjencës artificiale.
 
Në adresimin e tij, kryeministri shprehu se për Kosovën, promovimi i vlerave demokratike nuk është thjesht prioritet i qeverisë por gjithashtu një burim krenarie kombëtare – një pjesë thelbësore e identitetit tonë si shtet dhe si popull.
 
“Në vitet e fundit, ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Vitin e kaluar, Kosova arriti lidhje të plotë të brezit të gjerë me internet për të gjitha fshatrat e saj, duke e bërë atë lider jo vetëm në rajon por edhe në mbarë Evropën në hedhjen e themeleve për rritje gjithëpërfshirëse. Shfaqja e teknologjisë 5G është duke u zhvilluar mirë, me 65% të mbulimit brenda vendit tashmë. Ndërkohë, qendrat tona të inovacionit, si Parku i Inovacionit dhe Trajnimit prej 40 hektarësh në Prizren dhe TechPark në Prishtinë, po bëhen inkubatorë të kreativitetit dhe ndërmarrësisë.” tha kryeministri Kurti.
Kryeministri shtoi se Kosova është e përkushtuar për një të ardhme ku teknologjia i shërben njerëzimit, e në bashkëpunim me sektorin privat, akademitë dhe shoqërinë civile, mund të dizajnojmë sisteme të inteligjencës artificiale që pasqyrojnë vlerat tona, prioritizojnë gjithë përfshirjen dhe fuqizojnë pasurinë e kulturës njerëzore.
 
“Ne duhet të punojmë së bashku për t’u siguruar që inteligjenca artificiale mbetet katalizator për inovim etik, rritje të qëndrueshme dhe një botë më të mirë.” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.
 
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në gjuhën angleze:

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmbrëma dhe ju mirëpresim edhe një herë në Shtëpinë e Kosovës. Është privilegj të hapësh këtë panel të shquar, i cili bashkon disa nga mendjet më të ndritura në fushën e IA-së, nga pesë kontinente të ndryshme. Si paneli i fundit i organizuar nga Shtëpia e Kosovës këtë vit, nuk është çudi që po e mbyllim me një temë po aq të rëndësishme sa Inteligjenca Artificiale, e cila është edhe tema kryesore e Forumit Ekonomik Botëror të këtij viti.

Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Zëvendës Rektoren e Universitetit të Oksfordit, Profesoresha Irene Tracey dhe Drejtorin e Institutit të Oksfordit me famë botërore për Etikën në IA, Profesor John Tasioulas, që ranë dakord të jenë bashkë-bashkëorganizatori ynë zyrtar i kësaj ngjarje. Ky është bashkëpunimi ynë i parë zyrtar me Universitetin e Oksfordit. Shpresoj dhe pres që të mos jetë i fundit.
Tema e panelit të sontëm është “IA në shoqëritë demokratike”. Dhe nuk ka vend më të mirë se Shtëpia e Kosovës për të diskutuar këtë temë.

Pavarësisht se është një nga shtetet më të reja në botë, Kosova shpejt është bërë demokracia më e fortë dhe më e fuqishme në rajon. Përparimi i vendit tonë në një sërë masash demokratike është konfirmuar nga shumë organizata ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.

Për shembull, gjatë mandatit të qeverisë sonë, ne jemi përmirësuar për 21 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Ne kemi dalë të parët në Ballkanin Perëndimor dhe ndër nëntë vendet më të mira në botë sa i përket përparimit demokratik, sipas Indeksit të Demokracisë Zgjedhore të Institutit V-Dem. Renditja e Gallup vitin e kaluar për Ligjin dhe Rendin e rendit Kosovën si të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të pestën në botë. Dhe në mënyrë të ngjashme, ne jemi të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përmirësimin e lirive qytetare dhe të drejtave politike, sipas raportit të Freedom House për vitin 2023.

Për Kosovën, promovimi i vlerave demokratike nuk është thjesht një prioritet i qeverisë ndër të tjera. Është gjithashtu një burim krenarie kombëtare – një pjesë thelbësore e identitetit tonë si shtet dhe si popull.
Si demokraci e re dhe dinamike, ne kemi përqafuar teknologjinë si një gur themeli të zhvillimit tonë. Ne po investojmë në infrastrukturën digjitale, arsimin dhe inovacionin për të siguruar që përparimi të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos lërë askënd pas.

Në vitet e fundit, kemi bërë përparim të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Vitin e kaluar, Kosova arriti të realizojë lidhje të plotë të internetit me brez të gjerë në të gjitha fshatrat e saj, duke e bërë atë lidere jo vetëm në rajon por edhe në mbarë Evropën në hedhjen e themeleve për rritje gjithëpërfshirëse. Përhapja e rrjetit 5G është duke u zhvilluar mirë, me 65% mbulueshmëri tashmë brenda vendit. Ndërkaq, qendrat tona të inovacionit, siç është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit prej 40 hektarësh në Prizren dhe TechPark në Prishtinë, po bëhen inkubatorë të kreativitetit dhe ndërmarrësisë.

Por transformimi nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturën – ka të bëjë me njerëzit. Ne kemi ndarë afro 5,000 bursa STEM, duke u fokusuar në fuqizimin e grave dhe të rinjve për të udhëhequr valën e ardhshme të inovacionit. Dhe 5000 individë të tjerë janë trajnuar në fusha të ndryshme të TIK-ut përmes programeve qeveritare të mbështetura nga partnerët tanë të zhvillimit. Në krye të gjithë këtij progresi gjatë viteve të fundit, inkorporimi dhe zhvillimi i teknologjive të IA-së në shtetin dhe shoqërinë tonë është hapi tjetër logjik.
Kosova është e përkushtuar për një të ardhme ku teknologjia i shërben njerëzimit. Inteligjenca artificiale duhet të mbetet një mjet për fuqizim, e jo kontroll. Ne duhet ta qeverisim atë me transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie. Ndërsa eksplorojmë mundësitë e IA-së, duhet të pyesim veten: Si mund të sigurohemi që përfitimet e saj të ndahen në mënyrë të barabartë dhe si mund ta mbrojmë dinjitetin, të drejtat dhe liritë e njeriut në epokën e inteligjencës?
Përgjigja qëndron kryesisht në partneritet. Sfidat e IA-së nuk mund të zgjidhen vetëm nga qeveritë. Ato kërkojnë bashkëpunim me sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile. Së bashku, ne mund të dizajnojmë sisteme të IA-së që pasqyrojnë vlerat tona, i japin përparësi përfshirjes dhe rrisin pasurinë e kulturës njerëzore.

Historia e Kosovës është një histori e qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe përparimit. Jemi krenarë që renditemi si liderë në konkurrencën e TI-së në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në zhvillim. Por më shumë se renditja, ne jemi të shtyrë nga besimi se teknologjia duhet të mbështesë parimet e demokracisë, barazisë dhe drejtësisë.

Zonja dhe zotërinj, epoka e inteligjencës sjell edhe premtime edhe përgjegjësi. Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që inteligjenca artificiale të mbetet një katalizator për inovacione etike, rritje të qëndrueshme dhe një botë më të mirë.

Faleminderit.

Last modified: 24 Janar, 2025

Comments are closed.