Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti marshoi bashkë me ministra, aktivistë dhe pjesëmarrës të tjerë në Paradën e Krenarisë

8 Qershor, 2024

Prishtinë, 8 qershor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Paradës së Krenarisë në Prishtinë të shtunën, në kuadër të edicionit të tetë të Javës së Krenarisë në Kosovë.

Duke mbajtur në krye pankartën me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, ai marshoi në këtë paradë, i shoqëruar dhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe aktivistë, anëtarë të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kryeministri Kurti tha se kjo paradë e afirmon diversitetin edhe e kundërshton stigmatizimin.

“Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, atëherë duhet t’i flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe, por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithëpërfshirjen,” u shpreh ai.

Java e krenarisë ka nisur të hënën më 3 qershor dhe u përmbyll sot e ku gjatë javës u shënua dhe u mbajtën një sërë aktivitetesh të ndryshme.

Prononcimi i Kryeministrit Kurti:

Kjo paradë e afirmon diversitetin edhe e kundërshton stigmatizimin. Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, atëherë duhet t’i flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe, por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithëpërfshirjen.

Andaj, unë mora pjesë në këtë paradë, sepse shteti ynë i pavarur është republikë demokratike, që nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin.

Faleminderit.

Last modified: 8 Qershor, 2024

Comments are closed.