Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Italia një mike dhe aleate e Kosovës

1 Qershor, 2023

Prishtinë, 1 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në festën për nder të shënimit të Ditës Kombëtare të Italisë.
Kryeministri Kurti tha se ishin mbledhur për festën kombëtare të një vendi mik dhe aleat të Kosovës, ku nesër, më 2 qershor, në Romë dhe në të gjithë Italinë do të festohet Dita e Republikës në përkujtim të referendumit të mbajtur në vitin 1946, kur populli italian, duke ushtruar sovranitetin e tij, vendosi për formën e qeverisjes dhe shtetit.
Kosova e sheh Italinë si një mike dhe aleate, ka veçuar kryeministri dhe se Italia është partneri i dytë më i madh tregtar i Kosovës, pas Gjermanisë, sa i përket eksporteve dhe importeve ndërmjet dy vendeve, dhe tregtia jonë ka qenë vazhdimisht në rritje, sidomos në vitet e fundit.
Krahas partneritetit tonë ekonomik, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të mos përmend një dimension tjetër shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve të Kosovës me Italinë, dhe ai është dimensioni i mbrojtjes dhe sigurisë. Italia, siç potencoi ai, ishte një vend i një rëndësie të veçantë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila shpëtoi jetën e qindra mijëra shqiptarëve që ishin shënjestër e sipërmarrjes gjenocidale të Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit.
Që nga ajo kohë, ushtarët italianë janë angazhuar si paqeruajtës në Kosovë dhe në shumicën e rasteve kanë mbajtur poste drejtuese në KFOR-in e NATO-s. Gjatë gjithë kësaj kohe ushtarët italianë të Ushtrisë së Karabinierëve janë dalluar në dy aspekte: në trimërinë dhe humanizmin e tyre.
Ai tha se vlera e ushtarëve italianë u dëshmua edhe të hënën, në 29 maj, në Zveçan, ku forcat e KFOR- it patën përballë një turmë ku ishin infiltruar elementë të dhunshëm, pjesërisht të ardhur nga jashtë Kosovës, e me synime kriminale, të cilët shpresoj që sa më shpejt të vihen para përgjegjësisë nga institucionet e rendit dhe të ligjit të Republikës së Kosovës.
“11 ushtarë trima italianë u lënduan, tre prej tyre rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për
jetën. Sot nuk është dita për të folur se cilët janë ata që sulmuan paqeruajtësit, megjithatë
një gjë duhet ta themi gjithmonë dhe kudo: ata që sulmojnë paqeruajtësit, sulmojnë paqen.
E di që ka një përpjekje për ta vënë fajin te forcat e KFOR-it apo te ato të Policisë së Kosovës, mirëpo as KFOR-i dhe as Policia e Kosovës nuk ka sulmuar dhe nuk ka prekur askënd, thjesht kanë kryer detyrën duke parandaluar trazirat e porositura nga jashtë e që nuk i interesojnë asnjë qytetari të Kosovës të cilësdo etnie ai qoftë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se Kosova i falënderon ata djem dhe i dërgon përshëndetje të përzemërta familjeve të tyre, duke u dëshiruar shërim sa më të shpejtë.
Kryeministri ua ka uruar të gjithëve italianëve në Kosovë Ditën e Republikës, duke uruar po ashtu që kjo dashuri e përbashkët që secili popull ka për vendin e vetë, të shërbejë për të forcuar edhe më shumë miqësinë dhe partneritetin tonë.
Fjala e plotë në anglisht e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj, Ambasador Antonello De Riu, ambasador i Republikës së Italisë
I nderuari komandant i KFOR-it, Gjeneralmajor, Angelo Michele Ristuccia,
Të nderuar ministra të Qeverisë dhe deputetë
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,

Jemi mbledhur këtu për festën kombëtare të vendit mik dhe aleat të Kosovës. Nesër, më 2 qershor, në Romë dhe në të gjithë Italinë do të festohet Dita e Republikës në përkujtim të referendumit të mbajtur në vitin 1946, kur populli italian, duke ushtruar sovranitetin e tij, vendosi për formën e qeverisjes dhe shtetit. Është një ditë në të cilën festohet elementi themelor i demokracisë – pra sovraniteti. Pa sovranitet, fjala demokraci është disi pa kuptim. Natyrisht, nuk flas për një sovranitet izolues, që nuk është as i mundur dhe as i dëshirueshëm.

Bota sot është vendi ku ndërlidhjet dhe ndërvarësitë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, të cilat në një pjesë të madhe janë të dobishme dhe mbështetëse për mirëqenien e kombeve. Por sonte po flas për atë sovranitet normal, burimi i të cilit janë njerëzit për të zhvilluar kulturën dhe ekonominë e tij, dhe që e ka fjalën e fundit për punët e veta. Populli italian e ka këtë dhe e ka demonstruar vazhdimisht gjatë gjithë historisë së tij, duke ndërtuar një shtet që sot është ekonomia e tetë më e fuqishme në botë, një nga fuqitë kryesore dhe një anëtar i rëndësishëm i NATO-s dhe BE-së: një demokraci dhe një model pozitiv progresi.

Kosova e sheh Italinë si një mike dhe aleate të mirë. Italia është partneri i dytë më i madh tregtar i Kosovës, pas Gjermanisë, sa i përket eksporteve dhe importeve ndërmjet dy vendeve, dhe tregtia jonë ka qenë vazhdimisht në rritje, sidomos në vitet e fundit. Në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova është i vetmi vend që përdor të njëjtën monedhë si Italia, euron, dhe përveç kësaj, ne ofrojmë një klimë të favorshme investimi, si dhe një fuqi punëtore gjithnjë e më të kualifikuar dhe një popullsi të re. Nëse kësaj i shtojmë edhe afërsinë tonë gjeografike, së bashku me zhvillimin infrastrukturor të Kosovës, besoj se ajo që po bëjmë për ta bërë vendin tonë një destinacion ftues për investime vjen më qartë në fokus. Sidomos në sektorët e rëndësishëm të energjisë, minierave dhe përpunimit të mineraleve, industrisë ushqimore dhe tekstile, por edhe në zhvillimin e teknologjisë së re të informacionit, ka vend për kapitalin dhe njohuritë italiane.

Krahas partneritetit tonë ekonomik, nuk mund të mos përmend një dimension tjetër shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve të Kosovës me Italinë, dhe ai është dimensioni i mbrojtjes dhe sigurisë. Italia ishte një vend i një rëndësie të veçantë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila shpëtoi jetën e qindra mijëra shqiptarëve që ishin shënjestër e sipërmarrjes gjenocidale të Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit. Të gjithë në Kosovë e dinë se baza ajrore nga e cila u ngritën avionët e NATO-s ishte Aviano në Itali.

Që nga ajo kohë, ushtarët italianë janë angazhuar si paqeruajtës në Kosovë dhe në shumicën e rasteve kanë mbajtur poste drejtuese në KFOR-in e NATO-s. Gjatë gjithë kësaj kohe ushtarë italianë të Ushtrisë së Karabinierëve janë dalluar në dy aspekte: në trimërinë dhe humanizmin e tyre.

Vlera e ushtarëve italianë u dëshmua edhe të hënën, në 29 maj, në Zveçan, ku forcat e KFOR- it patën përballë një turmë ku ishin infiltruar elementë të dhunshëm, pjesërisht të ardhur nga jashtë Kosovës, e me synime kriminale, të cilët shpresoj që sa më shpejt të vihen para përgjegjësisë nga institucionet e rendit dhe të Ligjit të Republikës së Kosovës.

U plagosën 11 ushtarë të guximshëm italianë, tre prej tyre në gjendje të rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Sot nuk është dita për të folur se kush i sulmoi paqeruajtësit, por një gjë duhet ta kemi të qartë, gjithmonë dhe kudo: ata që sulmojnë paqeruajtësit, sulmojnë paqen. E di që ka një përpjekje për të fajësuar vetë njësitë e KFOR-it, apo ato të Policisë së Kosovës, por as KFOR-i dhe as Policia nuk sulmuan dhe nuk prekën askënd. Ata thjesht e bënë detyrën e tyre për t’u përballur me trazirat e urdhëruara nga jashtë dhe që nuk janë në interes të asnjë qytetari të Kosovës, të asnjë etnie. Kjo trazirë është në interes vetëm të atyre që e urdhëruan atë – aleatëve të Putinit në rajonin tonë.

Trimëria e ushtarëve italianë, por edhe e kolegëve të tyre hungarezë, do të mbetet në zemrat e qytetarëve të Kosovës, të cilët do të jenë gjithmonë mirënjohës për këta të rinj që lanë familjet e tyre për t’i shërbyer paqes dhe demokracisë këtu me ne. I nderuari ambasador De Riu, këta të rinj janë gjithashtu ambasadorë të popullit italian, të shpirtit paqësor dhe të guximshëm të atij vendi mik që e do dhe mbështet demokracinë. Ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë që thotë: Një mik në nevojë është një mik i vërtetë. Jam i sigurt se edhe italianët kanë një fjalë të urtë të ngjashme. Kosova falënderon ata të rinj dhe u dërgon përshëndetje të ngrohta familjeve të tyre, duke u uruar shërim sa më të shpejtë. Të rinjtë dhe të rejat e ushtrisë së Kosovës do të marrin pjesë gjithnjë e më shumë në misione të përbashkëta me forcat aleate të NATO-s, ku, natyrisht, tek ushtarët italianë do të gjejnë një burim mbështetjeje vëllazërore.

Kontributi i Romës dhe i Italisë për shkencën dhe artet, kulturën dhe historinë, politikën dhe sportin, është aq i madh sa është i paimagjinueshëm, por Evropa sot, një Evropë jo vetëm, ku secili prej nesh këtu, dhe jo vetëm ne, po e shijojmë jetën dhe botën siç e njohim falë aq shumë autorëve me origjinë italiane që përmendja e ndonjërit prej tyre do t’i bënte kaq shumë padrejtësi të gjithë të tjerëve.

Nuk dua të marr shumë nga koha juaj. Gëzuar Ditën e Republikës, ambasadori im i dashur De Riu, dhe të gjithë italianëve në Kosovë. Ju e doni vendin tuaj, Republikën tuaj, ashtu si edhe ne. Kjo dashuri e përbashkët le të forcojë përgjithmonë miqësinë dhe partneritetin tonë.

Buena Festa la Repubblica. Saluti!

Last modified: 6 Qershor, 2023

Comments are closed.