Prishtinë, 5 shkurt 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar ditëve të fundit një letër zyrtare drejt Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, mbi “Natën e Terrorit” dhe dëbimin me forcë të shqiptarëve, 25 vjet pas.
Në këtë letër, kryeministri shkruan: “Ky operacion i pamëshirshëm rezultoi në vrasjen e 10 qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, duke lënë të plagosur 25 të tjerë. Më pastaj, 1,664 familje shqiptare, pothuajse 12 mijë njerëz, u dëbuan me forcë nga shtëpitë e veta. Ndërsa po i afrohemi përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje tragjike, jam i detyruar t’ju tërheq vëmendjen te kjo padrejtësi e rëndë, e cila ndodhi gjatë kësaj periudhe dhe e cila mbetet e pa adresuar.”
Ai shtoi se shpërngulja me forcë dhe në shumë raste okupimi i shtëpive nga familje serbe, ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme për të ndryshuar përbërjen demografike të pjesës veriore të Mitrovicës. Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli, shumë nga të dëbuarit nuk janë kthyer ende në shtëpitë e veta dhe kryesit e këtyre veprimeve të tmerrshme nuk janë përballur ende me drejtësinë.
Në përfundim, kryeministri shkroi se një hetim gjithëpërfshirës është i domosdoshëm për të identifikuar dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë fajtorë për vrasjet, sulmet dhe dëbimet me forcë.
“Besoj se do t’i jepni kësaj çështjeje urgjente vëmendjen që meriton. Përballja me këtë padrejtësi është jo vetëm obligim moral, por edhe një hap kritik drejt pajtimit të mirëfilltë dhe paqes së qëndrueshme.”
Letra e plotë e adresuar nga Kryeministri Kurti:
Shkëlqesia, Përfaqësuese e Lartë Kallas,
Në qershor të vitit 1999, ndërhyrja e NATO-s i dha fund fushatës brutale të spastrimit etnik dhe gjenocidit nga ana e Serbisë në Kosovë. Ky barbarizëm sistematik la pas vdekje dhe shkatërrim të pamasë, duke përfshirë vrasjen e më shumë se 13 mijë njerëzve, mes tyre 1,133 fëmijë; kryerjen e 400 masakrave; akte të tmerrshme të dhunës seksuale ndaj mbi 20 mijë viktimave, gra dhe burra; dhe zhdukjen me forcë të më shumë se 6 mijë individëve.
Ndonëse plagët e kësaj mizorie ishin ende të freskëta dhe era e shtëpive të djegura mbetej në ajër, një tjetër ngjarje e tmerrshme u zhvillua në veri të Mitrovicës.
Në mbrëmjen e 3-4 shkurt 2000, të njohur si “nata e terrorit”, grupe të armatosura serbe ekzekutuan një fushatë të koordinuar me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, ku kontingjenti francez i KFOR-it ishte i ngarkuar me garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve.
Ky operacion i pamëshirshëm rezultoi në vrasjen e 10 qytetarëve shqiptarë, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, duke lënë të plagosur 25 të tjerë. Më pastaj, 1,664 familje shqiptare, pothuajse 12 mijë njerëz, u dëbuan me forcë nga shtëpitë e veta.
Ndërsa po i afrohemi përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje tragjike, jam i detyruar t’ju tërheq vëmendjen te kjo padrejtësi e rëndë, e cila ndodhi gjatë kësaj periudhe dhe e cila mbetet e pa adresuar.
Shpërngulja me forcë dhe në shumë raste okupimi i shtëpive nga familje serbe, ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme për të ndryshuar përbërjen demografike të pjesës veriore të Mitrovicës. Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli, shumë nga të dëbuarit nuk janë kthyer ende në shtëpitë e veta dhe kryesit e këtyre veprimeve të tmerrshme nuk janë përballur ende me drejtësinë.
Ndërsa Qeveria po punon për t’u siguruar që të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen, nga të gjitha komunitetet etnike, mund ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt dhe që t’u rindërtohen shtëpitë, ky kapitull i errët i historisë sonë nuk është adresuar kurrë siç duhet.
Duke marrë parasysh këto fakte, një hetim gjithëpërfshirës është i domosdoshëm për të identifikuar dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë fajtorë për vrasjet, sulmet dhe dëbimet me forcë.
Besoj se do t’i jepni kësaj çështjeje urgjente vëmendjen që meriton. Përballja me këtë padrejtësi është jo vetëm obligim moral, por edhe një hap kritik drejt pajtimit të mirëfilltë dhe paqes së qëndrueshme.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 5 Shkurt, 2025