Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci takuan përfitues të bursave studentore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

26 Dhjetor, 2024


Prishtinë, 26 dhjetor 2024

Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi studentë bursistë të bursave të financuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në sallën 1 Tetori, në ngjarje e organizuar nga MASHTI, kryeministri Kurti para bursistëve të rinj tha se historia na tregon rëndësinë e madhe të studimit në arsimin e lartë, duke bërë të qartë ndikimin e shkollimit cilësor në realizimin e potencialit të plotë intelektual të njeriut. Ai shtoi se e gëzon pa masë vullneti i studentëve të rinj për të vijuar studimet, ashtu siç e gëzon prania e tyre në këtë takim të fundvitit.


“Me të marrë mandatin, Qeveria jonë ka ofruar mbështetje pa precedent për rininë në tërësi dhe posaçërisht për studentët. Si asnjëherë më parë kemi ofruar bursa për të gjitha nivelet e studimit brenda e jashtë vendit, si për studentët e shkëlqyer (gjithsej 5455 përfitues – disa prej të cilëve janë edhe këtu bashkë me ne sonte) ashtu edhe për ata në nevojë, përfshirë studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët nga radhët e komuniteteve të margjinalizuara (gjithsej 1882 përfitues – disa prej të cilëve po ashtu besoj se janë këtu sonte)“, u shpreh kryeministri në adresimin e tij. Ai veçoi mbështetjen e Qeverisë për vajzat dhe gratë përmes bursave STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, duke inkurajuar ato që këto fusha që tradicionalisht janë mbizotëruar nga djemtë – ku rezultati është rritja sistematike e numrit të studenteve në STEM brenda tri viteve akademike, me 6605 përfituese deri më tani.


Këtë vit, gjithashtu për herë të parë MASHTI ka ofruar bursa studimi në drejtimet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke e çuar numrin e aplikimeve për Gjuhë Shqipe nga 20 në vitin e kaluar në 105 sivjet, dhe për Letërsi Shqipe nga 6 në vitin e kaluar në 79 aplikime këtë vit; ku aktualisht janë 113 studentë që kanë përfituar. Këtë vit po ashtu janë 19 studentë nga Shqipëria që studiojnë në Universitetin e Prishtinës, falë bursave të ndara enkas për ta nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kryeministri inkurajoi studentët që të studiojnë dhe mësojnë sa më shumë pasi që studimet universitare janë periudhë tejet e rëndësishme në jetë, është koha kur zhvillohen shkathtësitë akademike e profesionale, por njëkohësisht është periudha kur merr hov jeta sociale me miqësi dhe bashkëpunime frytdhënëse. 

Ndërkaq, ministrja Nagavci tha se potenciali rinor i Kosovës është tipari më i dalluar i ynë si vend evropian dhe se ky potencial mbështetet me të gjitha format e mundshme dhe në vazhdimësi nga Qeveria.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara, znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Të nderuar zëvendësministra të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,  z. Taulant Kelmendi dhe z. Arsim Ademi,
I nderuari Kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, profesor Ardian Gola,
Të nderuar Rektorë të Universiteteve Publike në vendin tonë,
Të dashur studentë e studente,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Të vijosh studimet në universitet është e drejtë e secilës dhe e secilit, pavarësisht nga mosha, besimi, prejardhja apo orientimi. Jo më kot termi ‘universitet’ vjen nga fjala latine ‘universitas’, që do të thotë ‘tërësi. E këtu flasim për tërësinë e përbashkët të dijeve dhe të njohurive të cilat e formojnë bazën e individit që bëhesh nesër, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.

Në vitin 1088 hapi dyert universiteti më i vjetër në botë, ai i Bolonjës, i cili i dha botës shkencëtarë të shquar prej Nicolaus Copernicus, e deri tek Umberto Eco, shkrimtar e filozof. E në vitin 1096 shënon fillet e tij Universiteti i Oksfordit, e përafërsisht në të njëjtën periudhë edhe Universiteti i Cambridge i pari i mirënjohur së fundmi me shkencëtarin Sir Stephen Hawking. Ndërkaq i Cambridge qysh në kohërat para shumë shekujve i njohur prej Isak Newton e Charles Darwin. Pra, bëhet fjalë për ata të cilët kontribuan shumë për njerëzimin, për botën përreth, për atë se si ne e kuptojmë veten, njëri-tjetrin, marrëdhëniet shoqërore, historinë dhe progresin e shoqërisë njerëzore mbarë.

Pra, historia na tregon rëndësinë e madhe të studimit në arsimin e lartë, duke bërë të qartë ndikimin e shkollimit cilësor në realizimin e potencialit të plotë intelektual të njeriut. Andaj na gëzon pa masë vullneti juaj për të vijuar studimet, ashtu siç na gëzon prania juaj këtu në këtë takim të fundvitit. Teksa shohim që puna jonë si Qeveri dhe si institucione të shtetit po jep rezultat, forcohet shpresa dhe besimi se Kosova është në duar të sigurta.

Me të marrë mandatin, Qeveria jonë ka ofruar mbështetje pa precedent për rininë në tërësi dhe posaçërisht për studentët. Si asnjëherë më parë kemi ofruar bursa për të gjitha nivelet e studimit brenda e jashtë vendit, si për studentët e shkëlqyer (gjithsej 5455 përfitues – disa prej të cilëve janë edhe këtu bashkë me ne sonte) ashtu edhe për ata në nevojë, përfshirë studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët nga radhët e komuniteteve të margjinalizuara (gjithsej 1882 përfitues – disa prej të cilëve po ashtu besoj se janë këtu sonte).

Më tej, në kuadër të bursave STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, për herë të parë nxitëm vajzat të përfshihen në këto fusha, tradicionalisht të mbizotëruara nga djemtë – ku rezultati është rritja sistematike e numrit të studenteve në STEM brenda tre viteve akademike, me 6605përfituese deri më tani.

Këtë vit, gjithashtu për herë të parë ofruam bursa studimi në drejtimet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke e çuar numrin e aplikimeve për Gjuhë Shqipe nga 20 në vitin e kaluar në 105 sivjet, dhe për Letërsi Shqipe nga gjashtë në vitin e kaluar në 79 aplikime këtë vit; ku aktualisht janë 113 studentë që kanë përfituar. Po sivjet, kemi edhe 19 studentë nga Shqipëria që studiojnë në Universitetin e Prishtinës, falë bursave të ndara enkas për ta nga Ministria jonë e Arsimit.

Po ashtu, si Kryeministri jemi krenarë që bashkë me Ministrinë e Arsimit kemi krijuar traditën e Konferencës së përvitshme STEMinists, një platformë e shkëlqyer për vajzat dhe gratë tona në STEM si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e arsimit në të gjitha fazat dhe në çdo aspekt të tij, ku institucionet shtetërore kanë për detyrë që të rregullojnë dhe lehtësojnë procese të tilla me politika adekuate. Kjo nuk është punë e njëtrajtshme as njëdimensionale – përkundrazi është punë që kërkon mirëkuptim e bashkëpunim nga të gjitha palët. Një gjë të tillë mund ta bëjmë veçse bashkërisht, ne si Qeveri dhe ju si studentë e qytetarë. Pra, siç thuhet na ndihmoni sa më shumë që t’ju ndihmojmë gjithnjë e më shumë.

Të dashura studente e të dashur studentë,

Studimet universitare janë periudhë tejet e rëndësishme në jetë. Është koha kur zhvilloni shkathtësitë akademike e profesionale, por njëkohësisht është periudha kur merr hov jeta juaj sociale me miqësi të bukura dhe bashkëpunime frytdhënëse. Ne ju krijojmë kushtet që ju ta shfrytëzoni në mënyrë sa më efikase, andaj ju nxis të përfitoni sa më shumë nga këto mundësi edhe në mandatin tonë të ardhshëm, ashtu siç keni vepruar në këto tri vitet e fundit.

Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, dhe ju falënderoj shumë për bashkëpunimin e për vëmendjen!

Last modified: 26 Dhjetor, 2024

Comments are closed.