Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën për media pas mbledhjes së 203-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

8 Maj, 2024

Prishtinë, 8 maj 2024

Të dashur qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sapo e përfunduam mbledhjen e 203-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës. I morëm gjithsej 22 vendime, duke quar në 1799 numrin e vendimeve, që i kemi marrë si qeveri demokratike dhe qeverisje e mirë.

Sot, në mesin e tyre kishim projektligje, projekt rregullore, udhëzime administrative, propozim vendime të fushave të ndryshme.

Në fillim të mbledhjes miratuam Projektligjin për bankat, që ka për qëllim rregullimin e aktivitetit bankar në vendin tonë, kurse në fund të mbledhjes e miratuam Projektligjin për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Ndërmjet këtyre, miratuam Rregullore të sponzorizuara nga Zyra e Kryeministrit, për mbrojtjen, sigurinë fizike dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. Pastaj e miratuam edhe Rregulloren dhe Udhëzimin Administrativ për Përcaktimin e Rregullave e Procedurave për Mbulimin e Shpenzimeve për Shërbimet Edukative, Shëndetësore për Fëmijë me Aftësi të Kufizuara dhe mënyrat e bashkëpunimit institucional me organizatat jo qeveritare për realizimin e politikave dhe për të drejtat dhe ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

I dhamë në shfrytëzim Komunës së Gjilanit parcelën prej 5000 metra katrorë, ku planifikohet të ndërtohet Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Objekti për Qëndrim ditor për të Moshuarit.

Ndamë, përkatësisht rialokuam 4 milionë euro, me qëllim të realizimit të 33 projekteve në komunat përfituese në kuadër të programit Bashkëfinancimi me donatorët për skemën e granteve bazuar në performancën komunale.

Bëmë shpronësim përfundimtar të pronave, që kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht segmenti Struzhë-Kyçja me Autoudhën “Ibrahim Rugova”,
Njësoj votuam edhe në rastin e shpronësimit të e pronave, që ndërlidhen me ndërtimin e “Sheshit Qendror të Qytetit” në Rahovec dhe ato që preken nga projekti “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve” në Prizren.

Themeluam katër komisione, njëri për vlerësim profesional për përzgjedhje të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Anti Doping dhe një tjetër për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe, dy komisione përkatëse për përzgjedhjen e kandidatit për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të kandidatit për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Gjithashtu, miratuam marrëveshjen për shërbime ajrore me Qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite, përmes së cilës synojmë shërbime ajrore ndërkombëtare më efikase dhe konkurruese, që rrisin tregtinë, mirëqenien e konsumatorëve dhe ndikojnë në rritjen ekonomike.

E tash, para se t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja, po ia kaloj fjalën ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pyetje: Kryeministër, për t’u ndalë nga zhvillimi i fundit nga ajo që thatë në Mbledhjen e Qeverisë, dolët hapur në kundërshtim të draftit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dolët hapur kushtëzimit të disa vendeve të BE-së, të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjera që po e kërkojnë themelimin e Asociacionit si parakusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Ju dolët kundër pikërisht shtatë ditë para mbajtjes së Mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. A do të thotë kjo se Kosova përfundimisht po e rrezikon anëtarësimin në Këshill, e para?. E dyta, a do të thotë kjo që Kosova po shkon drejtë izolimit për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare si sinjal që i kishte dhënë Bashkimi Evropian se pa themelimin e Asociacionit nuk ka rrugë drejtë integrimit dhe rrezikohet të izolohet Kosova?. Dhe a ka një plan B Qeveria, Kryeministër për ta draftuar një draft statut të vetin për ta dërguar më pas në Gjykatë Kushtetuese, shto këtu një gatishmëri të Presidentes, e cila kishte thënë se Kosova së bashku me SHBA-të duhet ta themelojë apo hartoj draftin e saj e më pas ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese. Faleminderit!

Kryeministri Kurti: Së pari, ne i kemi plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret, i kemi plotësuar të gjitha kushtet e parakushtet dhe kjo është konstatuar edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Kërkesa që të dërgohet draft-statuti i Lajçakut dhe i emisarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, është rrëzuar tre herë në institucionet e Këshillit të Evropës. Herën e parë në Paris me 27 mars tek Këshilli për Çështje Politike dhe Demokraci. Herën e dytë në Strasburg me 16 prill, sërish te Këshilli për Çështje Politike dhe Demokraci dhe së treti edhe në kuadër të Asamblesë Parlamentare, e cila e pati atë seancë plenare. Pra, tre herë është rrëzuar kjo kërkesë.

Në anën tjetër ekziston letra e garancisë, të cilën e kemi nënshkruar të tre bashkë, krerët e institucioneve të shtetit, zonja presidente Osmani, zoti kryetar Konjufca dhe unë si kryeministër, në të cilën siç kanë kërkuar, kemi thënë që Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit, njëra e Brukselit, tjetra e Ohrit dhe pa e përjashtuar nenin 7 lidhur me nenin 10 që është i përfshirë aty Asociacioni i komunave, vijnë pas anëtarësimit dhe ne as nuk i mohojmë dhe jemi të gatshëm t’i respektojmë e t’i zbatojmë. Mirëpo, ky do të ishte rasti nëse me datën 26 tetor të vitit të kaluar do të nënshkruhej nga presidenti i Serbisë, dhe nga unë, paketa e marrëveshjeve. Nëse do të nënshkruhej paketa e marrëveshjeve, atëherë ai draft-statut do të mund të shkonte në Gjykatën Kushtetuese.

Draft-statuti të nxjerrët nga paketa, të vendoset në qendër të rëndesës dhe si urgjencë prioritare nuk është e mundshme, nuk është e mundshme pa e shkatërruar paketën. Nuk mundet njëri nen në ndërlidhje me një nen tjetër nga 11 nene gjithsej, plus Aneksi i zbatimit artificialisht, arbitrarisht, të vendosen në qendër ose si prioritet pa e shkatërruar paketën. Pra, unë jam në mbrojtje të Marrëveshjes Bazike dhe po e ritheksoj sikur se edhe në disa përgjigje të tjera më herët edhe në disa intervista sivjet që nuk ka mundësi nga pikëpamja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të flitet për Asociacionin e komunave pa ja filluar rend me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e zbatimit. Pra, rendi logjik i gjërave, politik i dakordimeve, është i këtillë.

Në anën tjetër, me datën 18 mars të vitit të kaluar, pra kur kemi qenë në Ohër, unë kam ofruar që ta shkruaj draft-statutin. Draft-statutin me tre shtylla. Por, thash të dakordohemi një herë për shtyllat, shtylla e parë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015, shtylla e dytë është shtylla evropiane, letra e zonjës Frederica Mogherini nga gushti i vitit 2015 dhe shtylla e tretë, është qëndrimi amerikan i publikuar nga Cholet dhe Escobar në janar të vitit të kaluar. Pra, me këto tre shtylla nëse jeni dakord unë po e shkruaj draft-statutin, kështu u thashë. Nuk dëshironin të dëgjonin për këtë dhe për më tepër mu tha që draft-statutin duhet ta shkruajnë Ekipi menaxhues. Nuk e shkruan statutin thanë kryeministri, por draft-statutin e shkruan ekipi menaxhues. Vërejtja ime ishte se po unë jam kryemenaxheri tash. Nëse ju flisni për Ekipe menaxhuese, unë jam kryemenaxheri si kryeministër, mund ta shkruaj unë këtë. Jo duhet ta shkruaj Ekipi menaxhues.

Me datën 2 maj shkuam në Bruksel, Ekipi menaxhues, prezantoi në krye me zonjën Daniela Vuiqiq, Republika Srpska 2.0, mbase edhe diçka më shumë, sepse Serbia se pranonte Kosovën, ndërkohë që ata konsideronin që Asociacioni duhet t’i kontrollojë edhe pasuritë natyrore të Kosovës. Diçka që se ka të drejtë as Qeveria. Për shembull ne e kemi Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, nuk është as ingerencë, do me thënë dëshironin ingerenca që janë të shtetit, të Kuvendit, jo vetëm të Qeverisë, përveç se i merrnin pushtet komunave. Edhe ndërkombëtarët e panë që me atë Ekipin menaxhues nuk ka ku shkohet.

Unë propozova një koncept ide bazuar në modelin kroat, pra unë e kam propozuar këtë gjë, por kjo u refuzua. Sepse Serbia me Kroacinë kanë marrëveshje normalizimi edhe atje quhet Këshilli Kombëtar i serbëve. Ekziston Këshilli Kombëtar i serbëve në Kroaci dhe ai i kroatëve në Serbi dhe meqenëse edhe Serbia dhe Kroacia kanë dalë nga lufta dhe nga ish-Jugosllavia dhe Kroacia është vend anëtar i Bashkimit Evropian edhe i NATO-s, e mora një shembull brenda përvojës së Beogradit zyrtar, por kjo u refuzua.

Pra, u refuzua që unë ta shkruaj draft-statutin bazuar në tre shtylla që i përmenda, u refuzua që unë ta shkruaj draft-statutin bazuar në modelin kroat. Këto dy refuzime ndodhën dhe u refuzua nënshkrimi i paketës me datën 26 tetor. Nuk mund të kthehemi tash në vitin 2013. Dhe sot që po flasim jemi me 8 maj, jo me 8 mars. Midis 8 marsit dhe 8 majit janë dy muaj dhe në këta dy muaj kërkesat për ta bërë kusht a parakusht për Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës është rrëzuar tre herë. Jemi duke folur për një temë e cila ka marrë votë negative tre herë, dy herë në Këshill për çështje Politike dhe Demokraci dhe një herë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, prandaj ne e kemi të pamundur të bëjmë më shumë në këtë drejtim, sepse vijmë në kundërshtim edhe me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Çfarë kemi bërë? Kemi dërguar letrën e garancisë të nivelit më të lartë, presidentja, kryeparlamentari dhe unë. Tash ne presim që gjithçka të shkojë mbarë e mirë me datën 17 maj, por siç e dini nuk varet veç prej neve. Varet prej atyre që votojnë atje. Do të thotë, janë vendet anëtare të cilat me ministrat e tyre të punëve të jashtme do ta thonë fjalën e tyre.

Tash e tri vjet që jam kryeministër vazhdimisht thuhet ‘a po izolohet Kosova për targat, a po izolohet Kosova pse shkoi Lulzim Hetemi në zyre në Leposaviq’. Nuk izolohet Kosova. Do më thënë ne mbrojmë qëndrimin e Republikës së Kosovës, kushtetuetshmërinë, ligjshmërinë. Pra, duhet të jemi parimor, të jemi të ndjeshëm edhe ndaj kërkesave të aleatëve e partnerëve tanë, mirëpo mbi të gjitha dhe para së gjithash e kemi ligjin, Kushtetutën dhe interesat tona publike. Ne bashkëpunojmë me faktorët ndërkombëtarë edhe kemi vazhdimisht projekte të zhvillimit edhe të demokratizimit me ta, bile edhe me shtetet skeptike e madje edhe me shtetet mosnjohëse. Do të thotë izolimi nuk është askund. Ju e dini që si mund të flasim për izolim kur sivjet ndodhi liberalizimi i vizave. Më 1 janar 2024 u thy izolimi. Pra vazhdimisht flasim për izolim, a sivjet ka ndodhur liberalizmi i vizave.

Pyetje: Kryeministër sot Këshilli i Evropës, para dy ore na kthej një përgjigje, që deri më tani çështja e Kosovës nuk është vendosur akoma në agjendën e Këshillit të Evropës. Pas qëndrimit tuaj të fundit në lidhje me asociacionin, a besoni që të paktën Kosova do të vendoset në agjendë për 16 ose 17 maj dhe gjithashtu nëse veç vendoset a besoni se tash do t’i kemi votat e Francës dhe Gjermanisë?

Kryeministri Kurti: Më besoni po të varej prej meje do të vendosej. Do të vendosej në agjendë dhe do të vendosej PËR Kosovën. Me 82 për qind Asambleja Parlamentare ka votuar në favor të Kosovës, 131 kanë qenë për, 29 kanë qenë kundër. Po nuk mund ta marrë atë rol që të flas në emër të shteteve aty. Është mirë që atyre t’u bëhen pyetjet për këtë gjë. Çka nuk paska plotësuar Kosova? Pse raporti i Juristëve eminentë konstaton në mënyrë më të qartë të mundshme vlerësimin më të lartë për Kosovën?.

Më lejoni vetëm ta përmend në tri thekse: “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës duhet të përballen me një përgjigje pozitive”, mbyllet citati. Ose citati tjetër “ Korniza ligjore e Kosovës është gjerësisht në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe se Kushtetuta e saj është një instrument shumë progresiv”. Ndërkombëtarët e kanë thënë për neve, se po të ishte ta kishim thënë ne për vetën tonë, mbase dikush do të mund të dyshonte, por këta e kanë thënë për neve. Ose tjetra, Asambleja Parlamentar e Këshillit të Evropës ka nxjerrë këtë përfundim. Sërish po citoj lidhur me asociacionin: “Asambleja e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Asambleja e konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit të Kosovës”. Pas anëtarësimit. Çka të bëjmë tash. Vetë i kanë shkruar këto. Pra Juristët eminentë, Këshilli për Çështje Politike dhe Demokraci, Asambleja Parlamentare, i ka thënë këto gjëra për Kosovën, jo Kosova për vetveten. Dhe tash ne po i përsërisim çka kanë thënë ata si citate. Nuk kemi çka të bëjmë ndryshe ose më shumë.

Dhe unë shpresoj më të mirën në ditët në vijim dhe për 17 maj, por edhe njëherë po e ritheksoj që përgjigja në pyetjet se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës nuk është më në Prishtinë. Nuk varet prej neve. Kosova ka plotësuar gjithçka. Kosova ka përjetuar shumë padrejtësi në të kaluarën dhe aktuale, mirëpo nuk kemi përgjegjësi as faj për këtë gjë. Kemi plotësuar gjithçka, e zeza në të bardhë. Në raportet dhe dokumentet e tyre thuhet shumë qartë.

Pyetje: Mirëdita, Ana Markoviq, Televizioni i Parë. Fakti që përmendët tani se nuk do ta dërgoni atë draft statut në Gjykatën Kushtetuese dhe fakti që kemi pasur disa biseda të them të pasuksesshme për dinarin në Bruksel, a do të thotë kjo përfundim i dialogut? Faleminderit

Kryeministri Kurti: Ne kemi një sukses shumë të madh nga dialogu, që është marrëveshja, kemi marrëveshjen bazë nga Brukseli nga 27 shkurti i vitit të kaluar, pastaj aneksin implementues nga Ohri gjithashtu nga viti i kaluar me 18 mars, kështu që ne kemi shkuar shumë më larg se sa dialogu si i tillë, sepse kemi një marrëveshje. Dialogu është dialog për një marrëveshje dhe ne tashmë kemi një marrëveshje. Problemi është se Serbia nuk e ka respektuar kurrë atë marrëveshje, ajo e ka shkelur dhe stërshkelur çdo nen të asaj marrëveshjeje, d.m.th të paktën 8 nga 11. Tani është e vështirë të ekzekutohet, të zbatohet një marrëveshje që nuk respektohet, prandaj unë gjithmonë kam këmbëngulur që të nënshkruhet ajo marrëveshje si garanci për respektimin e marrëveshjes dhe zbatimin e saj. Nëse më 26 tetor të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë do të pranonte të nënshkruante atë paketë marrëveshjeje, ku do të përfshihej edhe ky draft statut, për të cilin unë i kisha dhënë vërejtjet e mia të mëdha Lajçakut dy ditë më parë, më 24 tetor, atëherë ai draft statut mund të ishte përcjellur nga qeveria jonë në Gjykatën Kushtetuese, por si i tillë siç është tani, është si një non-paper, është si një working document, është si një draft që ata ende e mendojnë dhe është si një dokument pune, nuk është dokument zyrtar që ka nënshkrim apo vulë dhe shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe për më tepër, nuk është dokument i Kosovës, është dokument ndërkombëtar. Një dokument ndërkombëtar mund të shkojë në çdo instancë ndërkombëtare, por nuk mund të shkojë në Gjykatën tonë Kushtetuese. Në Gjykatën tonë Kushtetuese, kështu do të ishte rasti nëse do të firmosnim më 26 tetor, atë paketë marrëveshjesh ku ka një marrëveshje bazë, një aneks zbatues dhe ky projekt statut. Ne kemi dhënë garanci me zonjën presidente Osmanin, me kryetarin e Kuvendit Konjufcën, me zonjën Bakoyannis, gjithçka që është kërkuar prej nesh e kemi përmbushur. Tani ne shpresojmë për më të mirën me 17 maj, por ai draft-statut nuk është dokument i Kosovës dhe nuk mund të nxirret nga pakoja dhe kështu të shkatërrohet marrëveshja bazë, as të vendoset disi në qendër apo si prioritet mbi të gjitha nenet e tjera të marrëveshjes sepse Marrëveshja e Ohrit nuk e lejon. Marrëveshja e Ohrit thotë se nuk ka asnjë nen më të rëndësishëm se një tjetër. Ky është parimi i zbatimit. Tani, kushdo që dëshiron që neni numër 7 ose numri 6 ose numri 4 të ketë përparësi ndaj neneve të tjera, kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.

Pyetje: Më 11 maj përfundon edhe periudha e zbatimit të Planit dhjetë pikësh, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e publikoi për t’u lehtësuar më shumë për çështjen e dinarit për serbët që jetojnë në Kosovë. Çfarë do të ndodhë pas 11 majit, duke marrë parasysh që kjo periudhë është llogaritur edhe si periudhë tranzitore? Do të dilet me ndonjë plan më konkret apo do të priten vetëm rezultate konkrete nga takimet që po mbahen në Bruksel? Dhe, krejt në fund, nëse mundesh një koment të shkurt për sulmet kibernetike nga Rusia karshi institucioneve të Kosovës, për të cilin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kryeministri Kurti: Pas 11 majit vjen 12 maji e kështu me radhë, po konkretisht lidhur me çështjen e dinarit, të cilin ne nuk e kemi ndaluar si të tillë, por si mjet pagese dhe kjo është bërë nga Republika e Kosovës dhe jo nga Qeveria e Republikës, sepse është bërë nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloren e re. Ata janë edhe më lart se ne edhe para nesh në ecjen e mëtutjeshme. Pra, sikurse për këto zgjedhjet që u organizuan në veri, në katër komunat me 21 prill, kur e kishim KQZ-në, Komisionin Qendror Zgjedhor më lart se ne dhe para nesh, edhe për çështjen e dinarit e kemi BQK-në, Bankën Qendrore të Kosovës më lart se ne dhe para nesh.

Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të më vendosin mua në një pozitë, ku unë vendosi edhe për Bankën Qendrore të Kosovës, për vendimet e tyre e kështu me radhë. Kjo ndodhë në shtetet diktatoriale, kjo ndodhë me regjimet autoritare. Ne jemi shtet demokratik. Guvernatori i bankës Qendrore të Kosovës është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua. Ai i raporton Kuvendit të Republikës, prandaj nuk mundem unë t’i sipërvendosem guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë e vendit. Prandaj, për çështjet, të cilat ka vendosur Banka Qendrore e Kosovës dhe planet e zbatimit me faza e afate, përgjigjen ata. Ne jemi për t’i mbështetur ata, jo për t’i udhëhequr ata.

Ndërkaq, çfarëdo që ka thënë zëvendësja ime, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, është edhe qëndrim i imi. Ajo ka folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se disa ueb faqe të institucioneve tona kanë rënë për një periudhë të caktuar. Ato janë rikthyer. Kanë qenë DDoS sulme kibernetike, të cilat duket që vijnë së paku nga Federata ruse, ndoshta nga veglat e tjera, që ata i kanë rrotull kontinentit tonë, por synimi i tyre është lufta hibride, e cila do të kishte për pasojë, po të ishte e suksesshme, destabilizimin e institucioneve tona të sigurisë, të stabilitetit dhe të mbarëvajtjes së punëve. Pra, Donika Gërvalla Schwarz ka dhënë qëndrimin e saj në emër të Qeverisë që unë udhëheq.

Pyetje: E përmende edhe në mbledhje, por edhe këtu në konferencë, që janë ndarë disa hapësira të spitalit, i janë dhënë Komunës së Gjilanit, ndër tjerash për ndërtimin e një objekti për qëndrim ditor për të moshuarit. Po më intereson z.Vitia, nëse Kryetari i Komunës së Gjilanit ju ka njoftuar se qe tri vite ndodhet një kompleks atje me nëntë objekte e që thirret edhe Fshat i Lumtur e që është i pashfrytëzuar e që i dedikohet edhe të moshuarve dhe disa kategorive tjera të ndjeshme. Pra, pyetja është se pse duhet të investohet në objekte të tjera, përderisa janë ato ekzistueset dhe nëse keni një plan për funksionalizim të atyre objekteve?

Ministri Arben Vitia: Faleminderit shumë. Nëse janë në pronësi të Komunës së Gjilanit, besoj që kjo pyetje duhet t’i adresohet Komunës së Gjilanit. Në takim edhe në kërkesën që ka ardhur nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, është arsyetuar mjaft mirë, arsyeja pse duhet të ndërtohet shkolla e mesme e mjekësisë në këtë komunë dhe, natyrisht me shumë kënaqësi, marrë parasysh edukimin e profesionistëve në të ardhmen, ne kemi pranuar këtë gjë. Pjesa tjetër e parcelës është një pjesë për qëndrim ditor të pensionistëve dhe marrë parasysh edhe nga qendrat tjera, ku janë hapur këto, e nëse ju kujtohet gjatë viteve 2017-18 të tilla edhe në Komunën e Prishtinës, ku qendrat e tilla kanë ndikuar jo vetëm në shëndetin, por edhe në mirëqenien, në socializimin e pensionistëve dhe personave të moshuar, natyrisht se kjo, kur ka një kontribut të tillë dhe kur ka një efekt të tillë te kjo kategori e shoqërisë, shume e rëndësishme e shoqërisë sonë, ne vetëm e kemi ndarë këtë pjesë të tokës, ku jam shumë i sigurt që kryetari tani do t’i bëjë edhe shkollën e mirë, me laboratorë dhe ashtu siç duhet, por edhe një ambient shumë të këndshëm për kategorinë e të moshuarve për Komunën e Gjilanit.

 

Last modified: 10 Maj, 2024

Comments are closed.