Sllovi, Lipjan, 15 prill 2024
Në 25-vjetorin e masakrës në fshatin Sllovi, në Komunën e Lipjanit, ku forcat e armatosura të Serbisë vranë 45 civilë shqiptarë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te lapidari i ngritur në kujtim të tyre.
Në nderim të 45 të vrarëve të masakrës në Sllovi, Kryeministri Kurti vendosi lule të freskëta mbi varret e të vrarëve. Ai tha se gjenocidi i kryer nga forcat serbe, nuk ka arritur që ta shfarosë popullin shqiptar. Duke theksuar se pikëllimi dhe dhimbja kanë mbetur ende, ai tha se ata që kanë qenë agresorë kanë dështuar në planin e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me të mbijetuarit e masakrës dhe banorët e fshatit, ata treguan se ishin dëshmitarë të rasteve të rënda të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës, vrasjet mizore me sëpatë, djegiet e trupave të pajetë dhe përpjekjet për zhdukjen e tyre në varreza masive.
Në këto homazhe, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Last modified: 15 Prill, 2024