Prishtinë, 30 prill 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë homazhe sot në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, pranë arkivolit të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, dhe ish- kryetarit të Pejës, Ali Lajçi.
Duke kujtuar jetën dhe veprën e veprimtarit Ali Lajçi, kryeministri Kurti shkroi në librin e zisë se qysh në rini ai ishte i përkushtuar për çështjen kombëtare, duke na mësuar se si duhet atdheu.
“Qysh nga rinia e hershme nuk u ndalë asnjëherë në veprimtari për çështjen kombëtare. Është përpjekur shumë. Ka vuajtur shumë. Na ka mësuar se si duhet atdheu me punë e angazhim, në beteja me sakrificë. Na buzëqesh përjetësisht nga fotografia, përgjithmonë na frymëzon për rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë.
Përkulem me mall për Bacën Ali, kryetarin e Pejës dhe deputetin e Republikës, Ali Lajçi!”, ka shkruar kryeministri Kurti.
I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Last modified: 30 Prill, 2024