Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe në nder të Xhevdet Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

18 Maj, 2025

Barilevë, 18 maj 2025Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, nderuan me homazhe Xhevdet Lecin, në 26-vjetorin e rënies heroike të tij.

Në këtë përvjetor, kryeministri Kurti vlerësoi figurën dhe kontributin e Xhevdet Lecit, veçanërisht gjatë viteve ‘99, kur punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

“Xhevdet Leci gjatë viteve të ‘90-ta punoi ditë-natë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte edhe patriot, edhe humanist dhe në të njëjtën kohë zgjeronte, thellonte, ngriste rezistencën e popullit tonë, e cila fillimisht ishte paqësore e paarmatosur, e më pastaj edhe kryengritje e armatosur çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja”, tha kryeministri.

Ai theksoi se nëpërmjet figurave më të ndritshme të historisë sonë, siç është Xhevdet Leci, të cilët janë shëmbëlltyra dhe modeli më i mirë, të rinjtë duhet të mësojnë dhe të ndjekin rrugën e tyre, në mënyrë që historia të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kolektive.

Xhevdet Leci, veprimtar i çështjes kombëtare, ra heroikisht më 18 maj 1999 në mbrojtjen e popullatës së zhvendosur në Barilevë, duke u përballur me policinë serbe.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:Jemi këtu bashkë me kolegë nga Qeveria e Republikës e Kuvendi i Kosovës, me bashkëveprimtarë, me luftëtarë të UÇK-së që të nderojmë Xhevdet Lecin, figurën e tij, punën, aktivitetin e tij dhe rënien e tij heroike para 26 vjetëve në përballje me Serbinë agresore e pushtuese, okupatore e armike.

Xhevdet Leci gjatë viteve të ‘90-ta punoi ditë-natë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte edhe patriot, edhe humanist dhe në të njëjtën kohë zgjeronte, thellonte, ngriste rezistencën e popullit tonë, e cila fillimisht ishte paqësore e paarmatosur, e më pastaj edhe kryengritje e armatosur çlirimtare e udhëhequr nga UÇK-ja.

Njerëzit si Xhevdet Leci janë shëmbëlltyra, janë modele që duhet t’i ndjekim ne sot, që duhet të mësohen nga të rinjtë, në mënyrë që historia të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kolektive nëpërmjet figurave të saj më të ndritshme, por edhe nëpërmjet kuptimit dhe vlerës që ka liria për secilën qenie njerëzore, e në veçanti për neve shqiptarët, të cilët e kemi vuajtur aq gjatë mungesën e saj.

Lavdi Xhevdet Lecit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!

Last modified: 19 Maj, 2025

Comments are closed.