Prishtinë, 9 maj 2024
Në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së komandantit Ilir Konushevci dhe doktorit Hazir Mala, mëngjesin e sotëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Duke e kujtuar komandantin Konushevci në 26- vjetorin e rënies, Kryeministri Kurti tha se ai kishte një barrë të dyfishtë, sepse në njërën anë duhej ta pasonte udhëheqjen e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe në anën tjetër duhej të sjellte armatim nga Shqipëria.
“Pushkët e lirisë që mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit, andaj edhe kontributi i Ilir Konushevcit është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm”, tha Kryeministri Kurti.
Duke e lartësuar figurën e çmuar të komandantit, Kryeministri u shpreh se Ilir Konushevci ishte ndër më të shquarit, teksa e cilësoi si emër i artë në historinë moderne të Kosovës, së bashku me doktor Hazir Malën.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Në vitet e ’90-ta, është dashur të bëhet shumë punë vetëmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për strategji, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fort të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës.
Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci -Mërgimi, i cili e kishte një barrë të dyfishtë, në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997.
Ndërkaq, në anën tjetër duhej që pa numër herë, sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sjellte armatim nga Shqipëria në Kosovë. Pushkët e lirisë që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm.
Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë tonë si popull.
Lavdi, Ilir Konushevcit, doktor Hazir Malës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!
Last modified: 9 Maj, 2024