Prishtinë, 22 korrik 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm pati një bashkëbisedim me mësimdhënësit e Institutit Veror 2024 “Teach for Kosova”, në ambientet e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, në Prishtinë, me temën “Sfidat e lidershipit për të rinjtë në Kosovë”.
Në kuadër të këtij bashkëbisedimi me mësimdhënësit e Institutit, kryeministri Kurti foli për arsimimin dhe edukimin e të rinjve dhe rëndësinë që përcjellë edukimi, teksa tregoi dhe se në Universitetin e Prishtinës, rreth 50 përqind e studentëve në STEM janë vajza edhe gra, për dallim që në Bashkimin Evropian kjo mesatare është 17 përqind.
“Prej të gjitha investimeve që kemi bërë, investimi me kthimin më të lartë ka qenë bursat për vajzat studente. Kemi investuar në shumë fusha, por kthimi aq i madh sikurse tek bursat për vajzat studente në STEM – Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, nuk kemi shembull më të mirë”, u shpreh kryeministri Kurti para nxënësve.
Ai përmendi edhe sukseset e Universitetit të Prishtinës, i cili bazuar në rezultatet e publikuara nga Webometrics, është ngritur më lartë se asnjëherë më parë. Tutje ai foli edhe për rëndësinë e angazhimit shoqëror dhe qytetar në çështje të ndryshme me interes të mirën e përbashkët dhe atë të komunitetit, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe shtetit.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai inkurajoi nxënësit që të mësojnë sa më shumë gjëra të reja dhe gjithnjë të provojnë e të mos dorëzohen për të arritur suksese gjithnjë e më të mëdha.
Last modified: 22 Korrik, 2024