Vushtrri, 15 gusht 2022
Në nder dhe përkujtim të të ndjerit Arbën Xhaferi, në Vushtrri u organizua manifestimi përkujtimor ” Jeta dhe Vepra ARBËN XHAFERI ” nga Akademia Verore Arbën Xhaferi.
Fjala e lexuar e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
E nderuara familje Xhaferi,
I nderuar Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi,
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit, z.Alban Hyseni,
I nderuar Kryetar i Komunës së Gostivarit, z.Arben Taravari,
Të nderuar përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,
Të nderuar pjesëmarrës të Akademisë verore “Arbën Xhaferi”,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Përgëzime për këtë manifestim për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit.
Vepra e tij është shumë më e madhe sesa jeta e tij. E rrugëtimi i asaj vepre vazhdon, edhe nëpërmjet kësaj akademie verore.
Mbaj mend që Arbën Xhaferi pëlqente një thënie të Umberto Eco-s, për politikën si mendim në ecje. Siç je duke ecur, thoshte Arbëni duke qeshur, ta vënë mikrofonin përpara dhe duhet të flasësh.
E tash këto fjalë të mira për të thuhen para këtij mikrofoni në një akademi që mbanë në ecje mendimin e Arbën Xhaferit. Nëse shumë autorë kombëtarë e ndërkombëtarë theksuan rolin e ideve dhe shkathtësive në politikë, Arbën Xhaferi, potenconte rëndësinë e të menduarit. Për Arbën Xhaferin, mendimi është rruga dhe rruga është mendimi.
Jo rastësisht një rrugë shumë e rëndësishme mban emrin “Arbën Xhaferi”. Emri i tij është rrugë, në të cilën duhet të kalojmë më shpesh. Këtë mund ta bëjmë çdo ditë. Duke punuar në ëndrrën e tij, e duke e bërë të zakonshëm kujtimin e mendimit të tij të jashtëzakonshëm. Kujtesa për të jeton gjatë kur ne angazhohemi, punojmë e veprojmë shumë. Dhe, sidomos kur mendojmë shumë, që do të shohë kur ecim gjatë.
Arbën Xhaferi ishte politikan i fuqishëm, që e donte fuqishëm kombin tonë. Madje fjala politikan është e mangët për ta definuar atë. Pasi ai ishte më shumë se një politikan. Ishte një mendje që prodhoi shumë dije në politikë. Një veprimtar me pasion të pakufishëm për çështjen kombëtare, asnjëherë duke mos i braktisur parimet universale e vlerat humane.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
“Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”. S’kam si të mos e kujtoj këtë thënie të Hasan Prishtinën, kolosit të politikës shqiptare, emrin e të cilit mbanë pallati i rinisë ku jeni sonte. Andaj edhe kjo akademi çon përpara amanetin e të parëve, që të punojmë për rininë.
Mes të rinjve po e kujtojmë Arbën Xhaferin, në 10 vjetorin e vdekjes së tij. E kemi obligim të mbajmë në mendje njeriun që mendoi aq shumë për të gjithë neve. Ta kujtojmë duke mësuar për të, e duke e lexuar në tekstet e tij të fuqishme.
Vepra e tij është frymëzim për ne dhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Andaj, është kënaqësi e veçantë që gjatë kësaj jave, e pikërisht gjatë Muajit të Rinisë, Kosova po mirëpret të rinj nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci. Po i përbashkon rreth emrit të Arbën Xhaferit.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Ju falemnderit.
Last modified: 16 Gusht, 2022