Prishtinë, 19 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot pjesë e tryezës së rrumbullakët organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit, në të cilën u diskutua për sfidat dhe mundësitë për komunitetin Ashkali.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, fillimisht theksoi se për të përparuar si shoqëri është i domosdoshëm, që përparimi i vazhdueshëm të jetë i të gjithë qytetarëve pa dallim. Andaj, edhe Qeveria është e përkushtuar dhe punon që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.
Kryeministri Kurti përmendi të arriturat me rëndësi në këtë drejtim, si, miratimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Ashkali dhe Rom, 2022-2026, Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian. Ndërsa, siç tha Kryeministri, në dy vitet e fundit, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara, janë mbështetur të gjitha kategoritë sociale dhe komunitetet.
Ai shtoi se janë ndarë edhe bursa për studentë të komuniteteve ashkai, rom dhe egjiptian, por edhe qendrat mësimore të fëmijëve të këtyre komuniteteve, që 104 ashkali, rom dhe egjiptian kanë përfituar nga trajnimet në Qendrën e Trajnimit Profesional, e nëpërmjet platformës Superpuna, qeveria po i subvencionon të rinjtë për vende të reja të punës për ta.
Krahas kësaj, Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit ka mbështetur organizatat dhe mediat e komuniteteve. Janë ndarë gjithsej 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet joshumicë, ndërkaq që vazhdon të jetë thirrja e hapur për grante me vlerë të përgjithshme 300 mijë euro për organizata joqeveritare dhe 100 mijë euro për media.
Në të njëjtën kohë Ministria për Komunitete dhe Kthim, ka mbështetur 123 projekte për biznese të vogla dhe startup-e për komunitetet joshumicë. Prej tyre, 10 për komunitetin ashkali. Kjo ministri ka darë edhe fonde për 19 shtëpi që do të ndërtohen për familje me nevojë, përfshirë edhe ato nga komuniteti ashkali. Janë ndarë edhe 373 pako ushqimore dhe higjienike, prej të cilave 94 për komunitetin ashkali, apo përafërsisht 1/4.
“Po angazhohemi bashkë, institucionet, organizatat dhe qytetarët, për të shtyrë përpara përpjekjet për një të ardhme gjithëpërfshirëse e cila nuk e lë askë mbrapa, me të drejta dhe mundësi të barabarta, të gjithë e pa dallim”, tha Kryeministrit, duke potencuar gjithashtu se na duhen edhe më shumë rezultate, sepse fundja të arriturat kanë për qëllim që në të ardhmen të jenë edhe më të mëdha. Çdo sukses që e kemi është në funksion të një suksesi më të madh që na pret në të ardhmen.
Ndërkaq, Deputeti nga radhët e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, Bekim Arifi, pasi falënderoi për organizimin e kësaj tryeze, tha se kryeministri Kurti me prezencën e tij në çdo ngjarje e organizim, po e dëshmon që komuniteti ashkali është i rëndësishëm për Kosovën.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, këshilltarja e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing, si dhe përfaqësues të shumtë nga komunitetet joshumicë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Faleminderit shumë Artan,
I nderuari z.Bekim Arifi, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuar znj.Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut,
E nderuara Elizabeth Gowing,
Edhe njëherë i nderuari Artan Asllani, faleminderit shumë për këtë organizim,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi që jemi së bashku në këtë tryezë e të flasim për mundësitë e komunitetit ashkali, për sfidat që i kemi dhe për bashkëpunimin tonë e rezultatet në të ardhmen.
Për të përparuar si shoqëri është i domosdoshëm, që përparimi i vazhdueshëm të jetë i të gjithë qytetarëve pa dallim. Andaj, edhe Qeveria jonë është e përkushtuar dhe punon që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.
Për të harmonizuar veprimet tona strategjike në këtë drejtim, ne kemi tashmë disa të arritura të rëndësishme, siç është miratimi i Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Ashkali dhe Rom, 2022-2026.
Për të parandaluar dhe luftuar disktriminimin, e kemi lansuar edhe Platformën Kombëtare për raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian, e në dy vitet e fundit, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara, Qeveria jonë ka mbështetur të gjitha kategoritë sociale dhe komunitetet.
Me Pakon për Ringjallje Ekonomike dhe Pakon për Përballje me Inflacion, brena një viti kemi mbështetur rreth 800 mijë qytetarë, praktikisht çdo familje në vendin tonë.
Qeveria po punon për krijimin e mundësive të barabarta me fokusim në shkollim dhe punësim. Shkollimi është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, si dhe kundërpërgjigja më e mirë ndaj problemeve të kërkimit të lëmoshës në rrugë, punës së detyruar dhe martesave të hershme. Prandaj, arsimin e lartë e kemi bërë pa pagesë për të gjithë studentët, që t’i inkurajojmë të mos ndalen te gjimnazi, te shkolla e mesme, por të vazhdojnë edhe studimet universitare.
Për të mbështetur nxënësit e komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian, kemi ndarë bursa në vlerë prej 300 mijë euro. Me bursa po mbështesim po ashtu po mbështesim studentët nga komuniteti ashkali në fakultetin e edukimit, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë mësimdhënës sa më të mirë nga komuniteti juaj.
Kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve ashkali, rom dhe egjiptian.
Me ligjin për zyrtarët publikë, kemi krijuar ndër të tjera të gjithë mekanizmat e duhur për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në të gjitha kategoritë.
Gjithashtu kemi themeluar ekipin ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian. E në vitin e kalua 104 ashkali, rom dhe egjiptian kanë përfituar nga trajnimet në Qendrën e Trajnimit Profesional. Ky numër është trefishuar nga viti paraprak.
Me skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, e nëpërmjet platformës Superpuna, Qeveria po i subvencionon të rinjtë për vende të reja të punës për ta. Në platformën “Kosova Generation Unlimited” për praktikat me pagesë synojmë që 15 për qind e praktikave të siguruara të jenë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Andaj, inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë ashkali që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto mundësi për zhvillim profesional dhe për punësim.
Krahas kësaj, Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit ka mbështetur organizatat dhe mediat e komuniteteve. I kemi ndarë 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet joshumicë. Nga kjo zyre kemi thirrje të hapur për grante, 300 mijë euro për organizata joqeveritare dhe 100 mijë euro për media. Andaj, e shfrytëzoj edhe këtë rast që të bëjë thirrje për sa më shumë aplikime. 300 mijë euro për organizata joqeveritare dhe 100 mijë euro për media.
Gjithashtu Ministria për Komunitete dhe Kthim, i ka mbështetur 123 projekte për biznese të vogla dhe startup-e për komunitetet joshumicë. Prej tyre, 10 ishin për komunitetin ashkali. Kjo ministri ka darë edhe fonde për 19 shtëpi që do të ndërtohen për familje me nevojë, përfshirë edhe ato nga komuniteti ashkali. Janë ndarë edhe 373 pako ushqimore dhe higjienike, prej të cilave 94 për komunitetin ashkali, apo përafërsisht 1/4.
Tani ministria ka hapur thirrje për aplikime për grante, në vlerë 3 milionë euro për komunitete. Ndërsa për familjet që nuk kanë shtëpi ose kanë nevojë për renovime, i kemi ndarë edhe 3 milionë euro, vetëm për komunitetet.
Sepse, ne e dimë kemi familje pa strehë, po kemi edhe familje me strehë që nuk është adekuate. Shtëpitë janë të qëndrueshme, mirëpo nuk janë edhe aq të jetueshme e të banueshme. Pra, kemi nevojë jo vetëm rindërtime po edhe renovime, për kushte të dinjitetshme të jetesës e të banimit.
Të nderuar të pranishëm, gjatë këtyre muajve të fundit kam pasur disa takime të veçanta me komunitetin ashkali. Në fund të vitit të kaluar në lagjen e komuniteteve në fshatin Gjurkoc në Shtime, e patëm përuruar këndin e lodrave për fëmijë dhe parkun aty. Atë po e shfrytëzojnë edhe fëmijët ashkali, edhe shqiptarë, edhe të komuniteteve të tjera bashkë. Pra, nuk bën që shërbimet publike, sferën publike në përgjithësi ta ndajmë sipas etnive, ajo duhet të jetë në shërbim të të gjithëve, në shfrytëzim e përdorim të secilit.
Para disa muajsh kam pasur një takim me studentët përfitues të bursave të ndara nga Qeveria për komunitet, ndërkaq me 15 shkurt së bashku e kemi festuar Ditën e Komunitetit Ashkali, të përkrahur me fonde nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Kryeministri.
Edhe në muajt e ardhshëm kemi mundësi të tjera të shumta për bashkëpunim me qëllim forcimin e pozitës së komunitetit ashkali. Janë edhe një sërë nismash nga qeveria jonë, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt komunitetet duke ndihmuar me integrim dhe duke arritur pjesëmarrjen ekonomike dhe sociale.
Për një shoqëri të drejtë dhe përparimtare po angazhohemi bashkë, institucionet, organizatat dhe qytetarët, për të shtyrë përpara përpjekjet për një të ardhme gjithëpërfshirëse e cila nuk e lë askë mbrapa, me të drejta dhe mundësi të barabarta, të gjithë e pa dallim.
Pra, kemi shumë të arritura po na duhen edhe më shumë rezultate. Fundja të arriturat kanë për qëllim që në të ardhmen të jenë edhe më të mëdha. Çdo sukses që e kemi është në funksion të një suksesi më të madh që na pret në të ardhmen.
Do të kemi vështirësi e sfida mirëpo me qëllimin e mirë, me punën e palodhshme edhe me vullnetin e pakursyer, nuk kam dilema që bashkë ja dalim.
Faleminderit shumë!
Last modified: 19 Qershor, 2023