Strasburg, 16 prill 2024
Mbrëmë në Strasburg të Francës, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës atje, u organizua pritje me rastin votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 131 vota në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadori i Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti falënderuan mysafirët e pranishëm dhe miqtë e vendit tonë për përkrahjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të përhershëm të shteteve anëtare,
Të dashur miq,
Është kënaqësi t’ju mirëpres këtu sonte, që të bashkoheni me ne për të festuar këtë arritje të madhe. Lajm i mirë për qytetarët tanë, për vendin tonë dhe për kontinentin tonë. Së dyti, e gjithë kjo në 75-vjetorin e Këshillit të Evropës, shtëpia roje e vlerave tona të përbashkëta të të drejtave të njeriut, demokracisë dh sundimit të ligjit.
Sot, ne kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt rrugës sonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Jo fjalët, por veprimet tona në vitet e fundit e kanë bërë të qartë se ne besojmë dhe i përmbahemi fort vlerave që përfaqëson kjo organizatë.
Ne besojmë dhe i përmbahemi të drejtave të njeriut, të cilat bashkojnë universalitetin dhe barazinë, dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin shoqëror.
Ne besojmë dhe i përmbahemi sundimit të ligjit: legjislacionit që qëndron mbi të gjithë ne e që na bënë bashkë të gjithëve, dhe mbron secilin me të drejtat dhe liritë e secilit.
Ne besojmë dhe i përmbahemi demokracisë: vullnetit të popullit, të përfaqësuar nga përfaqësues të përgjegjshëm dhe të zbatuar nga zyrtarë llogaridhënës.
Pikërisht këto vlera në të cilat ne besojmë dhe u përmbahemi, duhet të bëhen anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës dhe aktualiteti i përditshëm në zbatimin e tyre në vendin tonë. Kjo është arsyeja pse ne kemi paraqitur para jush një listë të detyrimeve që jemi të përkushtuar t’i realizojmë. Ne duam të bëhemi anëtarë sepse duam të kontribuojmë dhe të përfitojmë. Të Kontribuojmë si shtet, të përfitojmë si qytetarë.
Zonja dhe zotërinj,
Besnikëria jonë ndaj këtyre vlerave sot është njohur formalisht nga forca shtytëse e demokracisë që përfaqëson Këshilli i Evropës, e që është Asambleja e tij Parlamentare. Raporti tregonte qartë se Kosova i ka përmbushur parakushtet dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Votimi për i 82% të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE/PACE) ishte një miratim kumbues i regjistrit të shtetit tonë për këto vlera.
Ky është një rezultat i punës së palodhur, bashkëpunimit, aktiviteteve publike dhe takimeve të panumërta. Prandaj, dëshiroj të falënderoj ministren tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla, zëvendësin e saj, Kreshnik Ahmetin, ambasadorin tonë në Strasburg, Lulzim Hisenin dhe delegacionin tonë parlamentar në APKiE, për angazhimin e palëkundur që ta shohin Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës.
Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ju për mbështetjen dhe partneritetin që keni treguar gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe historik.
Dua të falënderoj anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE) që i qëndruan besnikë parimeve të kësaj organizate dhe që votuan sot në favor të anëtarësimit tonë. Falënderime të veçanta për drejtuesit e grupeve më të mëdha politike në APKiE, në veçanti z. Frank Schwabe, z. Davor Stier dhe z. Iulian Bulai.
Në hapin tonë të shpejtë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas APKiE mbetet një hap i fundit.
Unë si kryeministër i dëgjoj dhe i ndjek deputetët e Kuvendit tim. Shpresoj që në maj, Komiteti i Ministrave do të bëjë të njëjtën gjë.
Faleminderit shumë!
Gëzuar!
Last modified: 17 Prill, 2024