Prishtinë, 14 qershor 2024
Me rastin e organizimit të Kampionatit Ballkanit të Shaut dhe Turneut Ndërkombëtar të Shahut “Prishtina Open”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjet e organizuar në kuadër të mirëpritjes së 120 shahistëve të cilët ndodhen në Kosovë, e që vijnë nga 16 vende të ndryshme të botës.
Të mbledhur për të festuar, jo vetëm bukurinë dhe anën garuese të këtij sporti të lashtë, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë që ai mbart mes popujve tanë, kryeministri Kurti, u shpreh për sportin e shahut se është shumë më tepër se një lojë, ai mbartë në vete art e shkencë, si dhe pasqyrim të mendjes dhe vullnetit njerëzor.
E veçanta e gjithë kësaj ngjarje të rëndësishme që po zhvillohet në vendin tonë, është prania e legjedës së shahut botëror, Nigel Short, të cilin kryeministri e cilësoi si nderë duke e lartësuar personalitetin dhe figurën e shahistit Nigel Short, si frymëzim dhe mbështetje për brezat e rinj. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje sportive është dëshmi e përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët për të zhvilluar dhe promovuar shahun si sport, u shpreh kryeministri.
“Unë kam qenë i ri kur më kujtohet lojërat e bukura të talentit të jashtëzakonshëm në shah, Nigel Short, në vitin 1992 pat fituar një ndeshje 6:4 me Anatoly Karpov-in, ndërkaq në vitin pasues para tri dekadave, saktësisht në vitin 1993 ka pasur lojë, të cilët e ka mundur edhe Garry Kasparov-in edhe Vladimir Kramnik-un. Faleminderit, z. Short, për mbështetjen dhe frymëzimin që i jepni brezave të rinj të shahistëve anë e mbanë”, kujtoi kryeministri.
Kryeministri gjithashtu theksoi se në kuadër të programit shtetëror “Sporti në Shkolla” që po pilotohet në 30 shkolla, të 21 komunave të Kosovës, sporti i shahut ka marrë zemrën dhe vëmendjen e nxënësve tanë të cilët aktualisht po zhvillojnë fazën finale të projektit, garat për t’u shpallur më i miri. Disa prej këtyre shahistët e rinj të këtij programi ishin të pranishëm për të ndjekur garat profesionale dhe për të mbështur shahistët nga Kosova.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohje për punën dhe angazhimin e madh ndaj Federatës së Shahut të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe sponsorët, vullnetarët dhe të gjithë mbështetësit tjerë. Ai i ftoi shahistës pjesëmarrës nga vendet e ndryshme të botës që të vizitojnë qytetet e Kosovës si dhe të njihën nga afër me energjinë fantastike që ofron populli dhe vendi ynë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme përkrah kryeministrit Kurti, ishin edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përfaqësues të federatave nga shtetet fqinje, si dhe nxënës e të programit “Shah në Shkolla”, shahistë e dashamirë të sportit të shahut. Gjatë qëndrim aty, kryeministri gjithashtu takoi për një bashkëbisedim miqësor legjedën e shahut botëror, Nigel Short.Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Daulina Osmani,
I nderuar President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi,
I nderuar Drejtor për Zhvillim të Shahut në Federatën Ndërkombëtare, z. Nigel Short,
Të nderuar përfaqësues të federatave mike nga shtetet tona fqinje,
Shumë të dashur nxënës të programit shtetëror “Shah në Shkolla”,
Të nderuar pjesëmarrës, shahistë, dashamirë të shahut, dhe mysafirë të veçantë,
Kam kënaqësinë të ju uroj mirëseardhje në Kampionatin Ballkanik të Shahut dhe në Prishtina Open, dy ngjarje sportive, të cila po organizohen paralelisht, e të cilat kanë sjellë në Kosovë 120 shahistë nga 16 vende të botës anë e mbanë.
Shahu është shumë më tepër se një lojë; aty ka art e shkencë dhe pasqyrim të mendjes dhe vullnetit njerëzor. Duke kërkuar strategji të hollësishme ndërmjet teorive të hapjeve dhe përfundimeve matematikore, shahu na mëson durimin, disiplinën dhe rëndësinë e lëvizjeve e vendimeve të mirë peshuara, që vazhdimisht na sfidojnë të përmirësohemi si individ dhe të shkëlqejmë si grup.
Sot, jemi mbledhur këtu për të festuar, jo vetëm bukurinë dhe anën garuese të këtij sporti të lashtë, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë që ai mbart mes popujve tanë. E në këtë ditë është nder i veçantë që në mesin tonë të kemi edhe legjendën e shahut botëror, z. Nigel Short. Prania e tij këtu është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të zhvilluar dhe promovuar shahun si sport. Unë kam qenë i ri kur më kujtohet lojërat e bukura të talentit të jashtëzakonshëm në shah, Nigel Short, në vitin 1992 pat fituar një ndeshje 6:4 me Anatoly Karpov-in, ndërkaq në vitin pasues para tri dekadave, saktësisht në vitin 1993 ka pasur lojë, të cilët e ka mundur edhe Garry Kasparov-in edhe Vladimir Kramnik-un. Faleminderit, z. Short, për mbështetjen dhe frymëzimin që i jepni brezave të rinj të shahistëve anë e mbanë.
Në kuadër të programit shtetëror “Sporti në Shkolla” që po pilotohet në 30 shkolla, të 21 komunave të Kosovës, sporti i shahut ka marrë zemrën dhe vëmendjen e nxënësve tanë të cilët aktualisht po zhvillojnë fazën finale të projektit, garat për t’u shpallur më i miri. Në mesin tonë këtu, kemi edhe shahistët e rinj të këtij programi të cilët kanë ardhur për të ndjekur garat profesionale dhe padyshim për të mbështetur shahistët nga Kosova.
E se nuk është kurrë herët që të merreni me shah sërish na e dëshmon biografia e z.Nigel Short, i cili i ka pasur vetëm 10 vjet, atëherë kur me një simultane të Victor Korchnoi e pat mundur atë.
Falënderojmë të gjithëve që po angazhoheni e po kontrubuoni për organizimin e këtyre ngjarjeve, Federatën e Shahut të Kosovës në veçanti, Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, sponsorët, vullnetarët dhe të gjithë mbështetësit.
Për fund, ju uroj pjesëmarrësve suksese dhe ndeshje të ndershme, si dhe uroj që gjatë qëndrimit tuaj në Prishtinë, do të keni mundësinë të njiheni nga afër me energjinë fantastike të vendit tonë.
Faleminderit dhe suksese të gjithëve.
Last modified: 15 Qershor, 2024