Zyra e Kryeministrit

Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhënë për Sky News

2 Mars, 2022

Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhënë për Sky News

3 mars 2021

Gazetarja: Ta marrim edhe një reagim nga Evropa Lindore, le të flasim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Më vjen mirë dhe ju falënderojmë për mundësinë e bisedës me ju. A jeni i shqetësuar që kjo që po ngjanë në Ukrainë mund të shpërndahet në Ballkan, në vendin tuaj?

Kryeministri Kurti: Mirëmëngjesi. Mendoj se ne tashmë e kemi parë këtë në Ballkan, në Kosovë, në pranverën e 1999, kur 860.000 shqiptarë të Kosovës u deportuan për në Shqipëri, Mal të Zi, dhe Maqedoni Veriore. Qindra masakra u kryen, 12.000 civilë të paarmatosur u vranë dhe 20.000 gra u përdhunuan.

Ne po e shohim tash invazionin rus, agresionin ushtarak, të cilin secili lider institucional, secili politikan evropian dhe botëror duhet ta dënojë ashpër dhe qartë. Për të treguar kështu të gjithë së bashku solidaritet  dhe admirim me guximin dhe luftën çlirimtare të popullit ukrainas.

Ballkani nuk është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, për shkak se në Ballkan kemi një shtet që nuk ka vënë sanksione ndaj Federatës Ruse, që nuk i është bashkuar BE-së në dënimin e invazionit rus dhe ky vend është Serbia – fqiu ynë i parë. Ne kemi një vijë kufitare të gjatë me Serbinë.

Serbia është fqiu ynë verior që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës për dallim nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut.

Serbia ka lidhje të fuqishme me [Rusinë], dhe kjo lidhje është edhe historike e kulturore nga njëra anë por edhe ekonomike e ushtarake nga ana tjetër. Për shembull, Serbia i ka 14 MiG-29, aeroplanë luftarak, dhe prej tyre 8 i kanë si donacion nga Bjellorusia dhe 6 nga Federata Ruse.

Në parlamentin e Serbisë, prej 250 deputetëve, 151 prej tyre janë anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi – është grupi më i madh i miqësisë.

Dhe në të njëjtën kohë, Gazprom-i rus ka në pronësi 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të rezervave të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, që është rezerva më e madhe në Evropën jugore dhe lindore.

Lukoil, Sberbank, të gjitha kompanitë ruse i kanë degët e tyre në Serbi, dhe prandaj qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta bërë edhe një fushëbetejë me demokracitë perëndimore.

Por, ne jemi të vendosur dhe vigjilent, dhe nuk jemi të frikësuar. Ne duam t’i bashkohemi BE-së dhe NATO-s.

Tani për tani kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejtë që anëtarësohemi në këtë organizatë aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës, për Republikën e Kosovës, por edhe për gjithë regjionin dhe kontinentin evropian në përgjithësi.

Gazetarja: Kosova është përmendur nga ministri i jashtëm rus Lavrov për disa herë. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës po shkojnë në Donbask për të luftuar, çfarë thoni për këtë?

Kryeministri Kurti: Kjo tregon qëllimin e tij, ai dëshiron ta destabilizoj Ballkanin andaj i thotë këto të pavërteta.

Nuk ka qytetarë të Kosovës që kanë shkuar për  të luftuar në Donbask.

Është Rusia që ka aneksuar Donbaskun dhe Krimean.

Le të mos harrojmë që presidenti Putin erdhi në pushtet si kryeministër i Federatës Ruse vetëm 2 muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe më pas aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë në Gjerogji në të njëjtin vit, disa muaj pasi deklaruam pavarësinë tonë me 17 shkurt, 2008.

Presidenti Putin është përmendur në Kosovë të paktën një herë në muaj, kurse tani po përmendet çdo javë, për shkak se ai thjeshtë e urren NATO-n, e urren Perëndimin.

Ai është një lider despotik, i hidhur dhe nostalgjik, dhe ai do të dëshironte ta kthente luftën hibride në luftë. Tani po e shohim që lufta hibride kurrë nuk ka qenë zëvendësim për luftën, ajo ka qenë thjeshtë faza përgatitëse e saj.

Dhe në këtë drejtim luftë hibride ka edhe në Ballkanin Perëndimor dhe qendra e Sputnik-ut është në Beograd për gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, BE-ja dhe NATO duhet të përfshihet më shumë në Ballkanin Perëndimor.

U bëj thirrje pesë vendeve brenda BE-së që nuk na kanë njohur, ta njohin Republikën e Kosovës.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në paqe, stabilitet e siguri.

Në anën tjetër, në nëntorin e kaluar, në Sochi, presidenti Putin kishte pritur presidentin e Serbisë, Vuçiq i cili gjatë takimit kishte treguar hartën e Kosovës me pjesën veriore, në veçanti për shkak se disa nga strukturat e saj ilegale atje janë ende shumë aktive dhe funksionale.  Realisht ata janë në koordinim të ngushtë.

Prandaj, kryeqytetet e BE-së duhet t’ia kërkojnë Serbisë dënimin e invazionit rus, për shkak se Ukraina nuk është goditur nga tërmeti apo përmbytjet, nuk ka përjetuar ndonjë katastrofë natyrore, por ishte makineria luftarake e udhëhequr nga një president despotik me një synim gjenocidal që shkakton largimin në masë të ukrainasve nga Ukraina.

Prandaj, kryeqytetet e shteteve të BE-së duhet të jenë shumë të vendosura të kërkojnë nga Beogradi që të denojë invazionin rus dhe agresionin ushtarak, për shkak se Ukraina nuk është goditur nga tërmeti apo përmbytjet, nuk ka përjetuar ndonjë katastrofë natyrore, por është makineria luftarake e udhëhequr nga presidenti despotik me një synim gjenocidal  që po shkakton dëbimin masiv të ukrainasve nga Ukraina.

Siç duket Blitz Krigu rus ka dështuar, por për mua është e qartë që tash do shkojnë pas copëtimit të Ukrainës, pas ndarjes së Ukrainës në pjesën lindore dhe perëndimore, ku pjesa perëndimore do të synohet të jetë një tokë e mbyllur (pa dalje në det) dhe sa më e vogël territorialisht.

Prandaj, e mbështes popullin ukrainas. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse ashtu siç ka vendosur Këshilli i BE-së dhe në të njëjtën kohë do t’i pranojmë 20 gazetarë ukrainas që u detyruan të largohen nga vendi i tyre.

Të dielën e kaluar, vendimi i Bundestag-ut gjerman ishte historik dhe ishte një ndihmë e madhe për BE-në dhe regjionin.

Gazetarja: Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, më vjen mirë që folëm sot, të falënderojmë shumë që na u bashkove.

Kryeministri Kurti: Faleminderit, gjithashtu.

 

Last modified: 2 Mars, 2022

Comments are closed.