Zyra e Kryeministrit

Inaugurohet Parku Industrial në Budrikë të Komunës së Vitisë

19 Dhjetor, 2023

Budrikë, Viti, 19 dhjetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në praninë e Kryetari të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi e deputetë të Kuvendit, mori pjesë në inaugurimin e Parkut Industrial në fshatin Budrikë të Komunës së Vitisë.

Një investim kapital ky prej 1.7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në hapësirë prej 15.5 ha, Parku Industrial do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve nga diaspora dhe të huaja; do të nxisë veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar; do të ofrojë punësimin dhe aftësimin për të rinjtë si shtyllë e zhvillimit dhe transformimit progresist në vendin; si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre, për një ekosistem inovativ për rritje të konkurrueshmërisë, për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar.

“Këtë fundvit, këtu në Budrikë të Vitisë, po e përmbyllim me punë të mira e të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë, ndërmarrës e punëtorë të vyer”, tha kryeministri në fillim të fjalës së tij, për të shtuar pastaj se Parku Industrial i sapo ndërtuar këtu, e që pritet të akomodojë rreth 30 biznese, do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Duke folur për përfitimet nga ky park industrial, që kryeministri tha se përveç bizneseve, bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë, të cilëve ky park industrial do t’u ofrojë hapësirë inkubimi dhe krijimit të biznesit fillestar, paralajmëroi se në tri vitet e ardhshme do të investohen edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike.

Në fund të fjalës së tij, kryeministrit u shpreh i bindur që edhe ky park në Budrikë të Vitisë do të jetë një nga mundësitë dhe arsyet e progresit dhe zhvillimit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se është kënaqësi të marrësh pjesë në inaugurimin e Parkut Industrial në Budrikë të Vitisë, i cili pritet që së shpejti të shndërrohet në zonë me karakteristika miqësore për mjedisin dhe të popullohet me bizneset tona, duke u bërë kështu tërheqëse edhe për investimet e qëndrueshme dhe të përgjegjshme nga diaspora dhe nga investitorët e huaj.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se ky inaugurim i Parkut Industrial është pritur me padurim, për shkak të potencialeve që kanë si rajon, për shkak të nevojës për punësim të të rinjve dhe investimeve nga diaspora dhe investimeve të huaja.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuari zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj,
I nderuari kryetar i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti,
Të nderuar deputetë, Njiazi, Mirlinda,
I nderuari zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi,
Të nderuar zyrtarë të Qeverisë, institucioneve shtetërore qendrore e lokale,
Të nderuar zyrtarë e përfaqësues të Komunës së Vitisë,
Të dashur qytetarë,

Këtë fundvit, këtu në Budrikë të Vitisë, po e përmbyllim me punë të mira e të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë, ndërmarrës e punëtorë të vyer.

Parku Industrial i sapo ndërtuar këtu, do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal. Në veçanti, ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1.7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në hapësirë prej 15.5 hektarë, pra 15 hektarë e gjysmë, këtu në komunën e Vitisë:

i) do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona, nga diaspora dhe investime të huaja; mandej
ii) do të nxisë veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar;
iii) do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe transformimit progresist të vendin tonë; si dhe
iv) do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre, për një ekosistem inovativ me rritje të konkurrueshmërisë, për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar.

Bizneset që do të operojnë këtu në këtë park industrial, të përqendruara në një zonë, dhe biznese tjera në parqet industriale në Kosovë, gëzojnë qasje më të lehta në transport, energji elektrike, ujë, internet dhe shërbime të tjera. Falë këtij parku, ato do të kursejnë deri në 30% të investimit të tyre total.

Përveç bizneseve, bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë. Ky park industrial do të ofrojë hapësirë të inkubimit dhe krijimit të bizneseve fillestare. Kështu, të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi të reja në vend, më përpara e në vend se t’i kërkojnë ato jashtë vendit.

E këtë hapësirë që po e inaugurojmë sot, do ta gëzojnë së shpejti, përmes thirrjeve publike, rreth 30 biznese.

Ky nuk është as investimi i parë dhe as i fundit në shërbim të bizneseve. Organizime e inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi.

Në tri vitet e ardhshme, do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Përmes tyre, po ofrojmë hapësirë shtesë për biznese dhe po nxisim edhe më shumë ndërmarrësinë, parakushte këto për punësim, zhvillim dhe transformim.

Ndërkohë, që me qeverisjen tonë të deritanishme, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar–tetor 2023, pra sivjet, ai ka arritur vlerën prej 15.83 miliardë euro, apo gati 7% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Me dyfishim të eksporteve, raporti i eksporteve me importe është përmirësuar nga gati 1.9 sa ishte, në edhe më mirë se 1 me 6, pra nga 1 me 9 në 1 me 6. Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, pra të rinjve që janë nën moshën 25 vjeçare. Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut, sivjet 2023, numri i të rinjve të punësuar ishte 60,884. Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet një shifër dyshifrore miliardëshe e Bruto Produktit Vendor.

Këto janë rezultate që kanë arsye, jo rastësi. Kjo është përgjigja e sektorit privat dhe ekonomisë ndaj masave të mbështetjes sonë, që në këta gati 34 muaj qeverisje nuk ka munguar asnjëherë, veçse kanë ardhur në forma të ndryshme. Mbështetëm punësimin e të rinjve përmes platformës SuperPuna, të grave, të personave me aftësi të kufizuara dhe të anëtarëve të familjeve pa asnjë të punësuar. Subvencionuam pagën e rritur në sektorin privat; mbështetëm bizneset në zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit e të eksportit; në promovimin e produkteve tyre në panaire ndërkombëtare; në blerjen e pajisjeve për efiçiencë të energjisë, teksa u siguruam që faturat e energjisë elektrike për ta të jenë më të lirat në rajonin e Ballkanit.

Jam i bindur që edhe ky park, të cilin po e inaugurojmë sot këtu së bashku në Budrikë të Vitisë, do të jetë një nga mundësitë dhe arsyet e progresit dhe zhvillimit, andaj urime të gjithëve e ju faleminderit!

Last modified: 19 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×