Prishtinë, 16 tetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar AGROKOS, panairit me traditë 24- vjeçare, i cili jo vetëm që lidh bizneset dhe produktet me konsumatorët, por krijon një urë të fortë midis teorisë dhe praktikës për studentët dhe të rinjtë.
Kryeministri tha se si Qeveri, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm që e mbështesin zhvillimin e bujqësisë, përpunimin e ushqimit dhe prodhimin e pijeve, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët.
Sipas tij, investimet nga projektet strategjike të Qeverisë, të kombinuara me faktorë të tjerë mbështetës, po na drejtojnë te një e ardhmeje premtuese. Si faktorë mbështetës, ai veçoi stabilitetin institucional të vendit, rritjen mesatare ekonomike prej 6.2% mesatarisht në tri vitet e fundit, afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore, zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, përparimi i sektorëve si bujqësia, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia informative, rinia e madhe, e talentuar dhe shumëgjuhëshe, si dhe energjinë e lirë elektrike e mungesën e taksave doganore për lëndë të parë dhe makineri prodhuese.
E rëndësishmja e këtij panairi, sipas kryeministrit Kurti, medoemos që ishte edhe roli i agrobiznesit në zhvillimin profesional të studentëve dhe të rinjve.
“Kur arsimi dhe biznesi bashkëpunojnë, ndodhin mrekulli: studentët përfitojnë aftësi praktike të vlefshme, ndërkaq bizneset fitojnë ide të freskëta dhe burime të reja pune. Sot, agrobiznesi nuk është më thjesht një fushë tradicionale; inovacioni, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si përparon bujqësia”, deklaroi ai.
Edhe përfshirja e grave në agrobiznes, është një aspekt tjetër i rëndësishëm, tha kryeministri Kurti, sepse gratë tona janë ndërmarrëse të shkëlqyera dhe përmes bizneseve të tyre të vogla, jo vetëm që fuqizojnë ekonominë lokale, por krijojnë zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale.
Në fund, kryeministri Kurti ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë këtë panair për të krijuar lidhje të reja, për të ndarë ide dhe për të hulumtuar mundësitë për bashkëveprim të mëtejshëm. Ai cilësoi panairin AGROKOS si shembull i mirë se si biznesi, arsimi dhe inovacioni mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për Kosovën.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari zëvendëskryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z. Besnik Bislimi, dhe Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci,
I nderuar z. Bekim Xhafa, Drejtor i CEO-s, i cili nuk po ndalet asnjë vit duke punuar për biznesin vendor që prodhimet e vendit tonë por edhe të vendeve të tjera të jenë sa më shumë të afirmuara në Republikën e Kosovës për më shumë cilësi dhe për më shumë zhvillim ekonomik e shkëmbime tregtare,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të Republikës së Hungarisë, të Republikës Çeke dhe e ngarkuara me punë nga Mali i Zi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot jemi së bashku në Panairin Agrokos, ku agrobiznesi, arsimi dhe teknologjia bëhen bashkë për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për vendin tonë. Ky panair jo vetëm që lidh bizneset me konsumatorët, jo vetëm që i lidh produktet me qytetarët, por krijon një urë të fortë mes teorisë dhe praktikës për studentët të cilët sigurisht si të rinj, sot janë liderët e së nesërmes dhe ku ka më mirë se sa të takohemi pikërisht këtu në sallën e 1 tetorit që i përket kampusit universitar.
Në kuadër të këtij vizioni, si Qeveri, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, përfshirë dhjetëra oda ekonomike dhe organizata, me ç’rast këtu kemi edhe atë nga Bosnja dhe Hercegovina, z. Jashar Spahiq, prej tyre presim që të avancojmë me ide dhe përvoja të reja sa i përket mbështetjes së bujqësisë, përpunimit të ushqimit dhe prodhimit të pijeve, duke i bërë bujqit në qendër të progresit ekonomik dhe duke e bërë Kosovën gjithnjë e më tërheqëse për investitorët. Me një popullsi të re dhe dinamike, vendi ynë ka potencialin për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime, përfshirë këtu edhe sektorin e bujqësisë.
Për të realizuar këtë potencial, kemi prioritizuar projekte strategjike, si ndërtimin e pendave të ujit, për të krijuar sisteme të mëdha ujitjeje të cilat mundësojnë investimet e sektorit privat në ndërtimin e serave. Këto investime, të kombinuara me faktorë të tjerë mbështetës, po na drejtojnë te një e ardhmeje premtuese, e më lejoni t’i përmendi disa faktorë:
1. Është stabiliteti institucional i vendit tonë, i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Investitorët kërkojnë stabilitet dhe parashikueshmëri sepse ato janë jetike për efikasitetin dhe për qëndrueshmërinë, prandaj Kosova ka ndërtuar një bazë të fortë në këtë drejtim.
2. Tjetra është rritja mesatare ekonomike prej 6.2% mesatarisht në vitet e fundit e cila e dëshmon një trend solid e pozitiv të progresit ekonomik.
3. Më tej kemi afërsinë tonë me tregjet e Evropës Perëndimore, që ofron mundësi të jashtëzakonshme për tregti dhe investime.
4. Kemi zhvillimin e projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit dhe të energjisë, që janë kyçe për një ekonomi të qëndrueshme.
5. Mandej përparimin e sektorëve si bujqësia, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia informative, të cilët po kontribuojnë si motorë të rritjes ekonomike.
6. Një rini të madhe, të talentuar dhe shumëgjuhëshe, e cila, e kombinuar me ekspertizën dhe mbështetjen e mërgatës sonë gjigante, përbën një bazë të fortë për zhvillim të mëtutjeshëm.
7. Dhe energjia e lirë elektrike e mungesa e taksave doganore për lëndë të parë dhe makineri prodhuese.
Padyshim që të gjitha këta faktorë janë në favorin tonë dhe Kosova rrjedhimisht po pozicionohet gjithnjë e më mirë si një destinacion kryesor për investimet rajonale dhe ndërkombëtare. Andaj nuk është e çuditshme dhe aspak e rastësishme që në këto tri vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet dhe më shumë se dyfishuar investimet e huaja.
Një temë e rëndësishme që po diskutohet në këtë panair është edhe roli i agrobiznesit në zhvillimin profesional të studentëve dhe të rinjve. Kur arsimi dhe biznesi bashkëpunojnë, ndodhin mrekulli: studentët përfitojnë aftësi praktike të vlefshme, ndërkaq bizneset fitojnë ide të freskëta dhe burime të reja pune. Sot, agrobiznesi nuk është më thjesht një fushë tradicionale; inovacioni, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si përparon bujqësia.
Dhe kjo na sjell te një fakt interesant: teknologjia dhe bujqësia shpesh mendohet se janë dy botë të ndryshme, por në realitet, ato po bashkohen për të sjellë përparime edhe më të mëdha. Teknologjia po ndihmon në rritjen e prodhimit, kursimin e burimeve dhe zhvillimin e praktikave të qëndrueshme. Në të ardhmen e afërt, fermerët në Kosovë do të mbjellin farat e tyre, jo me dorë, por me aplikacion, apo edhe do të llogarisin rendimentin e tyre, jo më me lopata, por me klikim. Teknologjia e informacionit dhe bujqësia do të bashkëpunojnë si rrallë ndonjë fushë tjetër në muajt edhe në vitet në vijim, prandaj përveç se të interesuar duhet të jemi edhe fort të gatshëm për këtë hap të rëndësishëm të radhës.
E një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe përfshirja e grave në agrobiznes. Gratë tona janë ndërmarrëse të shkëlqyera dhe përmes bizneseve të tyre të vogla, jo vetëm që fuqizojnë ekonominë lokale, por krijojnë zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale. Paneli që përqendrohet në fuqizimin ekonomik dhe barazinë gjinore është një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar se si mund t’i mbështesim këto përpjekje.
Në përfundim, dua t’i ftoj të gjithë të shfrytëzojnë këtë panair për të krijuar lidhje, kontakte, komunikime, bashkëpunime të reja, për të ndarë ide dhe për të hulumtuar mundësitë për bashkëveprim të mëtejshëm. Panairi Agrokos është një shembull i mirë se si biznesi, arsimi dhe inovacioni mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për Kosovën e cila u shfaqet për ta parë dhe për ta përjetuar të gjithë qytetarëve dhe mysafirëve pa dallim.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe shpresoj që ky panair të sjellë rezultate të shkëlqyera si për juve individualisht e për nga biznesi e familja, gjithashtu edhe për sektorin e agrobiznesit në përgjithësi në Kosovë!
Faleminderit!
Last modified: 16 Tetor, 2024