Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në panelin e diskutimit në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Kotor

16 Maj, 2024

Kotor, 16 maj 2024

Në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Kotor të Malit të Zi, Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte gjithashtu pjesë e panelit të parë të diskutimit, me temën “Gjendja aktuale dhe planet e ardhshme – Plani i ri i rritjes’’.

Në adresimin e tij fillestar, ai tha se teksa diskutohet rruga drejt anëtarësimit në BE, progresi i Kosovës duhet njohur e pranuar. Ai ritheksoi rëndësinë e ndërlidhjes së fondeve e financimin nga BE-ja me respektimin e vlerave të BE-së.

Nga ky samit, përmes fjalës së tij, kryeministri i bëri thirrje BE-së që të monitoroj progresin në Ballkanin Perëndimor për sa i përket progresit demokratik dhe reformave të BE-së, dhe më pas të bazojë politikat e saj mbi ato të dhëna.

Duke folur për përparimin që Kosova ka shënuar në agjendën e reformave të Planit të Rritjes, ai tha vendi ynë është afër përmbushjes së kësaj agjende e cila përbëhet nga pesë fusha të politikave me 32 reforma në 17 sektore.

Kryeministri e përshëndeti miratimin e Planit të Reformës dhe Rritjes nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke e cilësuar atë si një kapitull të ri që duhet të udhëhiqet nga meritokracia dhe vlerat. Gjithashtu, mirëpriti punën në Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028 dhe synimin për ta miratuar atë në Samitin e sivjetmë të Procesit të Berlinit.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore me njohje de facto dhe de jure janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin, teksa i kërkoi edhe një herë Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoijqin dhe grupin e tij përgjegjës për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me 24 shtator të vitit të kaluar.

Në fund,  ai bëri thirrje që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit evropian kundër pastrimit të parave – “EU Anti-Money Laundering Authority” (AMLA), me qëllim të rritjes së integritetit financiar dhe bashkëpunimit në luftimin e krimeve financiare. Kurse sa i përket CEFTA-s, ai theksoi se duhet të sigurohet përfaqësim dhe trajtim i barabartë për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fjala e kryeministrit Kurti në gjuhën shqipe:

I nderuar kryeministër Milojko SPAJIĆ,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Z. Koopman, I nderuar Z. Varhelyi, Z. Obrien Kolegë nga rajoni,

Faleminderit që thirrët këtë takim për të vazhduar diskutimin mbi “Planin e Rritjes së BE-së”. Kemi hyrë në vitin e tretë që nga lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo luftë ka sjellë shkatërrim mbi Ukrainën, ka rritur kërcënimet dhe pasigurinë në të gjithë Evropën, dhe ka trimëruar regjimet autokratike që paraqesin një sfidë të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Sondazhi i kësaj jave IRI (Instituti Republikan Ndërkombëtar) zbuloi përparimin inkurajues në demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin tim, Republikën e Kosovës, shoqëruar me besimin e palëkundur në orientimin pro-evropian dhe perëndimor tek qytetarët tanë. Në një epokë të shënuar nga dezinformata të shfrenuara dhe ngritja e forcave autokratike, qëndrueshmëria dhe përkushtimi i palëkundur i Kosovës ndaj vlerave demokratike shërbejnë si një fener shprese. Ai nënvizon besimin e qëndrueshëm të qytetarëve tanë në parimet e mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa jemi mbledhur këtu për të diskutuar rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, progresi i Kosovës duhet pranuar. Ajo që është e domosdoshme është një garë deri në krye, një qasje që lidh financimin e BE-së me respektimin e vlerave të BE-së.

Kjo është strategjia më efektive për të nxitur lidershipin në Ballkanin Perëndimor në përputhje me objektiva të tillë.

Nëse Bashkimi Evropian mbështet pa mëdyshje vendet që bëjnë hapa të vërtetë në demokraci, dhe pluralizëm politik, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, atëherë do të jenë vetë qytetarët ata që do të nxisin ndryshimet duke zëvendësuar elitat politike penguese, çfarëdo qofshin ato, kurdo që të ndodhin.

Pra, nëse ka një mesazh që dua t’i përcjell BE-së nga Kotorri, ai është ky: kontrolloni progresin në lidhje me progresin demokratik dhe reformat e BE-së në rajon dhe më pas bazoni politikat mbi ato të dhëna.

Tani, më lejoni të trajtoj progresin e bërë me axhendën e reformës së Planit të Rritjes. Për Kosovën, Plani i Rritjes së BE-së paraqet një mundësi për të çuar më tej integrimin tonë në tregun e vetëm dhe mekanizmat e BE-së, duke përshpejtuar reformat në lidhje me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Përmbushja e Axhendës së Reformës, e përbërë nga pesë fusha të politikave me 32 reforma në 17 sektorë, është pothuajse e përfunduar.

Ne përshëndesim miratimin e Planit të Reformës dhe Rritjes nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së. Ky shënon një kapitull të ri, i cili duhet të udhëhiqet nga meritokracia dhe vlerat.

Ne mirëpresim gjithashtu punën për Planin e ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal për 2025-2028 dhe ambicien për ta miratuar atë në Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti. Ky duhet të jetë një plan ambicioz që integron rajonin tonë dhe e lidh atë me tregun e brendshëm të BE-së.

Për më tepër, ne mbështesim sugjerimin e RCC për të inkorporuar një bllok shtesë për sigurinë ekonomike në Planin e Ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Duke qenë se Tregu i Përbashkët Rajonal funksionon bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, përafrimi i tij me politikën e sigurisë ekonomike të BE-së është logjik dhe i favorshëm, duke rritur tërheqjen e rajonit tonë për kompanitë e Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë me njohje të ndërsjella de fakto dhe de jure janë të nevojshme për paqen, sigurinë dhe integrimin.

Korsitë e gjelbra të shpejta kanë kuptim pa njeriun e gjelbër të vogël, prandaj kërkoj nga Serbia që të dërgojë Millan Radoiçiqin në Kosovë dhe gjithashtu grupin e tij paramilitar që vrau rreshterin tonë, Afrim Bunjakun më 24 shtator të vitit të kaluar.

Së fundi, për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, rajoni ynë do të përfitonte nga të qenit pjesë e Autoritetit të ri Kundër Pastrimit të Parave (AMLA), të Bashkimit Evropian. Sa i përket

CEFTA-s, ne duhet të sigurojmë përfaqësim të barabartë dhe trajtim të barabartë të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Faleminderit.

Last modified: 16 Maj, 2024

Comments are closed.

×