Prishtinë, 4 shtator 2022
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë,
Si Qeveri e Republikës së Kosovës ne jemi angazhuar që nga fillimi për reformën në drejtësi, si thelb të qeverisjes sonë, e cila edhe është themeluar nga fitorja e cila bazohej në parullën kryesore “Punësim dhe drejtësi” apo “Drejtësi dhe punësim”.
Andaj, këtu jemi bashkë me Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu, që të ju informojmë lidhur me reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor, në veçanti.
Gjatë kësaj jave, na tronditi të gjithëve lajmi mbi krimin që për viktimë kishte vajzën 11 vjeçare. Në rastet si këto i humb kuptimi zbatimit të respektimit të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekjes së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore që kanë për obligim parandalimin, përkatësisht ndjekjen e atyre që kërcënojnë sigurinë, mirëqenien dhe integritetin fizik të qytetarëve.
Kur kuptojmë që kryesi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale e gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional përgjegjës për ndjekjen penale – policia, prokuroria dhe gjykata, dështon drejtësia – kurse faturën e paguan qytetari.
Fuqia e cila vie nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit, në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit. Për të garantuar të drejtat e secilit e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi e me maturi. Vepron me profesionalizëm – andaj, vendimet e tij apo të saj edhe mbrohen nga vetë shteti përmes pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.
Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjanë sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Dhunuesi lirohet pas 8 muajsh burgim. Dhunuesi nuk rehabilitohet. Dhunuesi përsëritë veprën. E madje dhunuesi edhe vret.
Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi, e edhe ata më skeptikët për vettingun.
Duhet përmendur një gjë: demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale janë baza mbi të cilën ndërtohet çdo gjë tjetër. Dhe sistemi i kontrollit dhe balancimit ndërmjet pushteteve, urtësia e votuesve, qytetarët si fuqi sovrane e cila e kupton që duhet ta mbajë e ta ruaj një demokraci të shëndoshë, janë parametrat e politikave për ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit demokratik.
Mbi këtë urtësi e besim të qytetarit, ne edhe kemi fituar qeverisjen tonë, duke marrë përsipër obligimin që këtë themel ta mbrojmë. Mbi këtë kemi ndërtuar idenë e vettingut duke gjetur bazë në parimet më të mira ndërkombëtare, të pasqyruara në Opinionin e Komisionit të Venecias.
Në qëllim të koordinimit me të gjithë akterët politik në vend, kam thirrë takime me liderët e opozitës, ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vettingut, të arrijë konsenzus të plotë. Në përjashtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takime.
Tani, kur punën tonë e kemi bërë me profesionalizëm e në koordinim me akterët politik, duke kuptuar që vettingu është produkt i nevojave të shoqërisë, pra shtetit, procesin e vendosim në duar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Të nderuar qytetarë,
Besimi në drejtësi ngërthen në vete besimin në shtet – që ky i fundit është në funksion të mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore, pra në shërbim të qytetarit.
Duke kuptuar këtë, kemi vendosur reformën në drejtësi në vendin meritor, prioritet të Qeverisë e të shtetit. Gjatë 1 viti e gjysmë kemi miratuar politikën e re të funksionimit të sistemit prokurorial përmes Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e kemi finalizuar atë për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale. Për më tepër, kemi funksionalizuar Gjykatën Komerciale, e kemi votuar në parim Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Qasja jonë aq sa sistematike, ka sulmuar drejtpërdrejt politikat e gabuara e ka vendosur parime të mirëfillta, duke e vënë drejtësinë në shërbim të qytetarit.
Puna e nisur nuk mund të mbarojë pa vettingun dhe sigurimin që: institucionet e parandalojnë krimin; gjykatat shqiptojnë dënime të merituara; burgjet rehabilitojnë të dënuarit kurse qytetarët kthejnë besimin në rendin dhe ligjin, e ndjehen të sigurt – gjë që e ka për detyrë ta garantojë shteti. Për këtë mbetemi të përkushtuar.
Tani më lejoni që për më shumë informacion lidhur me procesin e vettingut, fjalën t’ia kaloj Ministres së Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu, e më pas, pas kësaj konference për media, do të shkojmë për takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufcën, të cilit do t’ia dorëzojmë edhe dokumentin përkatës, meqenëse nga Qeveria, tash deputetët e organit më të lartë legjislativ të shtetit tonë, e marrin në duart e tyre procedimin e mëtutjeshëm të vettingut.
Ju faleminderit.
Last modified: 4 Shtator, 2022