Prishtinë, 18 nëntor 2024
Të nderuar përfaqësues të mediave të pranishme sot,
Të dashur qytetarë,
Tre vjet pas mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive tona, e cila u mbajt në Shkup më 16 shtator të vitit 2021, sot, këtu në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë pata kënaqësinë të jem nikoqir i mbledhjes së dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Para se të fillonte sesioni i mbledhjes ndërqeveritare, me Kryeministrin Hristijan Mickoskin, patëm një takim bilateral, të dytin mes nesh në më pak se katër muaj. Ndonëse Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje dhe kemi një komunikim të vazhdueshëm e të gjerë, kemi gjithashtu edhe shumë tema me interes të përbashkët për vendet tona dhe rajonin për të cilat na duhet të bashkëpunojmë. Ekonomia, tregtia, arsimi, shëndetësia, siguria, energjia, turizmi, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë vetëm disa prej tyre. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore që i lidh dy shtetet tona dhe forcimi i lidhjes mes qytetarëve tanë janë kyçe për thellimin e raporteve midis dy vendeve.
Në atë drejtim, janë edhe protokolli dhe dy memorandumet që ministrat tanë i nënshkruan sot në lidhje me lehtësimin e lëvizjes së lirë, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe të arsimit, përkatësisht e para ishte Protokolli për zbatimin e Marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboqicë.
Pas shumë kohë pritjeje, më në fund do të kemi kontroll të përbashkët në pikat kufitare Han të Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë. Ky model kontrolli kufitar bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar e rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve. Po ashtu do ta rrisë shkëmbimin e informatave mes zyrtarëve duke e bërë kufirin më të sigurt. Policët nga Maqedonia e Veriut dhe policët nga Kosova do të ndodhen bashkë në të njëjtin objekt apo ndërtesë.
E dyta ishte Memorandumi i Mirëkuptimit në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e dy ministrive përkatëse. Me këtë memorandum e kemi bërë një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së furnizimit me energji për të dy vendet tona. Të dy ministritë do të angazhohen për të adresuar sfidat e energjisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Po zotohemi të nxisim projekte për energjinë e ripërtërishme dhe efiçiencën energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes korporatave tona të energjisë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shkëmbimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me thëngjill, për të siguruar kosto më të përballueshme për qytetarët dhe për të zhvilluar një sektor energjetik të qëndrueshëm për të ardhmen e dy vendeve tona.
Dhe e treta është Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, i cili është i fokusuar në arsimin dhe aftësimin profesional dhe në arsimin e të rriturve.
Arsimi dhe aftësimi profesional është identifikuar si sektor i rëndësisë së veçantë në kuadër të iniciativës ERA apo Zona Evropiane e Arsimit për periudhën 2021-2030. Kosova dhe Maqedonia e Veriut bëjnë pjesë në një sërë nismash rajonale në këtë sektor. Këtu theksohet projekti Fuqizimi i Cilësisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Evropën Juglindore, ku të dy Republikat tona janë partnere për sigurimin e cilësisë së arsimit profesional që lidhet natyrisht me nevojat e tregut. E Qeveria e jonë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe të gjitha dikasteret e tjera qeveritare në përputhje me këtë i kanë kushtuar vëmendje dhe burime të shtuara arsimit dhe aftësimit profesional pra përtej ministrisë përkatëse me ta marrë mandatin tonë ku një komitet ndërministror e udhëheq unë si kryeministër. E kemi shembullin e suksesshëm të arsimit dual në shkollat tona të mesme profesionale, ku po mundësohet lidhja direkte e punonjësit me biznesin.
Falënderoj ministrat e dy qeverive në përgatitjen e këtyre dokumenteve që i nënshkruam sot, edhe falënderoj qeverinë e Maqedonisë së Veriut në veçanti kryeministrin Mickoski për vullnet dhe përkushtim për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit në interes të dy vendeve tona, të qytetarëve të dy Republikave dhe të rajonit të cilit i përkasim.
Faleminderit! E tash, i nderuari kryeministër Mickoski, i nderuari Hristijan fjala është për ju.
Last modified: 18 Nëntor, 2024