Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar

11 Janar, 2024

Prishtinë, 11 janar 2024

I nderuari Kryeministër i Irlandës, Leo Varadkar,
Të nderuar pjesëtarë të delegacioneve tona,
Të dashur qytetarë,
Të respektuar përfaqësues të medieve,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i lumtur dhe i nderuar të jem sot nikoqir i Kryeministrit Leo Varadkar, në vizitën e tij të parë në Kosovë.

Irlanda, krahas bukurive të saj natyrore, është e njohur edhe për poezinë dhe letërsinë e saj të pasur. Fituesi i çmimit Man Booker në vitin që sapo e lëmë pas ishte pikërisht një autor irlandez, Paul Lynch. Dhe megjithëse talenti i tij përfaqëson Irlandën, më duhet të them se frymëzimi i tij për të shkruar një roman distopian se si një vend rrëshqet në një të djathtë ekstreme duhet të ketë qenë diku tjetër. Libri i tij “Prophet Song”, në një Dublin alternativ që është zhytur në totalitarizëm, shpalos ankthin e njerëzve kudo, atyre që policia sekrete u shfaqet në pragun e derës për t’i marrë pa asnjë paralajmërim, ose atyre që kanë ikur pasi rreziku i së panjohurës është më i lehtë se realiteti i së njohurës. Unë veçse i kam në mendje një ose dy vende që mund të kenë qenë inspirim, por gjithsesi jo Irlanda.

Sepse në një kohë kur demokracia kërcënohet kaq fuqishëm, Irlanda është një kampione e saj dhe një model e shembull për vendet që synojnë dhe luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Andaj, mes pasigurive globale, kërcënimeve për kontinentin Evropian, Irlanda qëndron si një testament i forcës së unitetit, aleancës dhe angazhimit të qëndrueshëm për përparim.

Zhvillimi ekonomik dhe progresi social në dekadat e fundit e ka bërë Irlandën burim të frymëzimit për shumë shtete. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre përparimeve i atribuohen edhe udhëheqjes së kryeministrit Varadkar, duke mishëruar një valë të re ndryshimesh pozitive.

Irlanda është veçanërisht frymëzuese për ne, sepse me të kemi ngjashmëri që ne ndajmë. Nga pikëpamja shoqërore, populli ynë shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Për sa i përket aleancave ndërkombëtare, të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, që të dy vendet tona janë të orientuara dhe të fokusuara kah rritja thelbësore dhe progresi social.

Në një kohë kur Kosova në vitin 2021 ka shënuar për herë të parë një rritje ekonomike dyshifrore, dhe vazhdon të udhëheqë në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me vlera të Bashkimit Evropian, në rritjen e parashikuar, ne presim që të thellojmë miqësinë ndërmjet dy vendeve tona dhe të mësojmë më shumë nga përvojat dhe sukseset e Irlandës.

Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Evropës, ku ne aplikuam gjatë presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Irlanda, si dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Irlanda po ashtu ka dhënë kontribut të hershëm të cilin e vazhdon edhe sot në fushën e mbrojtjes përmes misionit të KFOR-it në Kosovë. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues e përgjithmonë mirënjohës.

Kosova mund të mësojë nga përvoja dhe ekspertiza e Irlandës me diasporën, si dhe në sektorë si bujqësia, energjia e rinovueshme dhe teknologjia.

Andaj, takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona dypalëshe, për mundësitë që kemi para vetes për t’i thelluar ato, sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në atë kulturor, politik dhe diplomatik.

E tani ia kaloj fjalën kryeministrit Varadkar për të ndarë këndvështrimet e tij për vizitën e tij.

Ju falemnderit

Last modified: 11 Janar, 2024

Comments are closed.

×