Zyra e Kryeministrit

Fillon pilotimi i skemës së reformuar të asistencës sociale në Kosovë

18 Maj, 2024

Prishtinë, 18 maj 2024

Sot fillon pilotimi i skemës së reformuar të asistencës sociale në Kosovë.

Në tetor 2023, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) prezantoi projektin për reformën e asistencës sociale. Pas një pune intensive, që nga sot familjet e cenueshme do të kenë mundësinë të aplikojnë për t’u përfshirë në skemën e re të asistencës sociale. 

Në ngjarjen që shënoi fillimin e këtij procesi, prezent ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Ekspertja për Kapital Njerëzor në Bankën Botërore, Mrikë Aliu.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se skema e re e heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës. Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se mësimet që do të nxirren nga ky pilotim do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale. 

Ministri Murati, nga ana e tij, ofroi më shumë detaje rreth projektit duke e konsideruar fillimin e këtij pilotimi si ndryshim thelbësor që e trajton diskriminimin prezent në skemën aktuale. Përmes skemës së re sigurohet testimi i varfërisë përmes kalkulimit të të ardhurave në tre muajt e fundit dhe pilotimi bëhet për të gjitha familjet që janë diskriminuar në kuadër të projektligjit aktual.

Ndërsa, përfaqësuesja e Bankës Botërore, znj. Aliu falënderoi Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e vazhdueshme për të arritur në këtë pikë ku garantohet reformimi i skemës së asistencës sociale në një skemë më efektive dhe gjithëpërfshirëse, dhe gjithashtu rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë përgjatë secilit hap të kësaj reforme. 

Në konferencë u prezantua edhe mënyra e plotësimit të aplikacionit, hap pas hapi, e cila mund të bëhet online, drejtpërdrejtë nga njëri anëtar i familjes, apo përmes zyrtarit përkatës në Qendrën për Punë Sociale.

Linku për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/518

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

I nderuari z. Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

E nderuara znj. Mrika Aliu, eksperte për kapitalin njerëzor në Bankën Botërore,

E nderuara znj. Elvira Berisha, eksperte e komunikimit në kuadër të projektit për reformimin e asistencës sociale,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar përfaqësues e punonjës të mediave,

Kur morëm mandatin qeverisës premtuam punë dhe drejtësi. Punë që nënkupton zhvillimin ekonomik të vendit dhe drejtësi që nënkupton trajtim të drejtë e të barabartë para ligjit.

Për të parën, fjalimet nuk janë të nevojshme! Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim.

Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje.

Këtë realitet të ri ekonomik për vendin, e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings.

Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu.

Punuam që këto të hyra t’i rishpërndajmë përmes skemave të ndryshme sociale e masave të shumta për qytetarët, bizneset e posaçërisht tek grupet e cenueshme të shoqërisë. Kjo për shkak se detyra jonë parësore si Qeveri, e siç do duhej të ishte e çdo Qeverie, ishte rishpërndarja e tatimit të mbledhur nga ata që kanë më shumë tek ata që kanë më pak.

Qysh në shtator të vitit 2021, filluam me shpërndarjen e shtesave për lehonat dhe shtesat për fëmijë, skema sociale këto të cilat jo vetëm që sigurojnë financim për nevojat bazike të nënave të reja dhe fëmijëve, por edhe pavarësi financiare të grave. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 55 mijë nëna lehona që përfitojnë nga këto skema. E madje rreth 100 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë.

Për t’u përballur me krizat e njëpasnjëshme që na goditën, ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur pensionistët tanë dhe familjet përfituese nga skema e asistencës sociale. Shpërndamë mbi 35 mijë pako ushqimore e vazhdimisht mbështetëm rreth 20 kuzhina popullore për të përgatitur shujta për ata që kanë më së shumti nevojë. E po subvencionojmë faturat e energjisë elektrike për mbi 60 mijë familje në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm.

Mirëpo përsëri si Qeveri nuk u ndalëm me kaq!

Fokusi ynë ka qenë jo vetëm prezantimi i politikave të reja dhe rishpërndarja momentale për krizat, por edhe reformimi rrënjësor i sistemeve e politikave të cilat ishin keq të dizajnuara e madje edhe diskriminuese.

Politikë e tillë është edhe skema e asistencës sociale të cilën e kemi trashëguar.

Dizajni i skemës aktuale të asistencës sociale, i cili ka filluar në vitin 2007 dhe nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë, është diskriminues, i padrejtë dhe nxit papunësi e edhe më keq, punësim jo-formal.

Është diskriminues e i padrejtë sepse në momentin që fëmiu në një familje e cila ka qenë duke përfituar nga skema e asistencës sociale, ka mbushur moshën 5-vjeçare, familjes i është ndërprerë përfitimi nga skema, dhe është dizajn i një skeme kundërproduktive sepse në momentin që ndonjë nga anëtarët e familjes ka filluar të gjenerojë të ardhura, sado të ulëta të kenë qenë ato, familjes i është ndërprerë përfitimi nga skema duke krijuar kësisoj shtysa për mos-aktivizim në treg të punës e madje edhe për punësim jo-formal.

Për të adresuar këto probleme, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve së bashku me Bankën Botërore kanë dizajnuar një skemë të re të asistencës sociale e cila bazohet në test të varfërisë, siguron barazi të plotë për të gjithë dhe nxit punësim formal, e pilotimin e së cilës po e fillojmë sot.

Kjo skemë që po prezantojmë heq diskriminimin dhe shtysat e gabuara që kanë qenë të instaluara në skemën aktuale. Kjo skemë bën vlerësim të varfërisë për secilën familje dhe siguron që ato familje të cilat janë të varfra do të mbështeten nga Qeveria, pa marrë parasysh moshën e fëmijës.

Skema e re gjithashtu është e ndërtuar mbi nxitjet e duhura, mbi mekanizma të cilët sigurojnë aktivizim të përfituesve të skemës në tregun e punës dhe punësimin formal të tyre.

Andaj qysh nga ky moment, secila familje në Republikën tonë e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar për muaj, mund të qaset në e-Kosova dhe të aplikojë për t’u bërë pjesë e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale. Ky pilotim do të na shërbejë edhe neve si Qeveri që të mësojmë më shumë, ashtu që mësimet që nxjerrim t’i reflektojmë në Projektligjin për Ndihmën dhe Mbrojtjen Sociale, në të cilin jemi duke punuar aktualisht.

E për detajet e kësaj skeme të reformuar të asistencës sociale, ia kaloj fjalën Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit.

Last modified: 18 Maj, 2024

Comments are closed.

×