Prishtinë, 13 qershor 2023
Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Të dashur qytetarë,
Ju faleminderit që jeni duke ndjekur ngjarjet e aktivitetet në shënim të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Në kuadër të agjendës shtetërore për këto data me peshë jashtëzakonisht historike, sonte do të mbahet koncerti i përbashkët i Ansamblit “Shota” dhe muzikantëve nga Shqipëria në Gjakovë.
Me të po e përmbyllim agjendën shtetërore për 10 dhe 12 qershorin, dhe po e nisim mbledhjen ndërqeveritare të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Pra, me këngë e valle shqipe po e festojmë lidhjen dhe lirinë, një ditë para se të forcojmë më tej lidhjen dhe lirinë për të bashkëpunuar.
Nesër në Gjakovë, për herë të dytë si nikoqir, e për herë të tretë në më pak se 2 vjet, po mbajmë mbledhjen e nëntë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
41 marrëveshjeve në dy mbledhjet e pararendëse, prej të cilave 39 të zbatuara plotësisht e dy tjera në fazën finale të zbatimit, do t’ia shtojmë edhe 13 të reja në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë e mbrojtjes dhe një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Në rend të ditës së nesërme do ta kemi edhe diskutimin në lidhje me bashkëpunimin për realizimin e një qëllim të kamotshëm, atë të Bashkimit Doganor, krahas marrëveshjeve e memorandumeve të bashkëpunimit për njohjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe ndërmjetësit; për bursa studentore; ofrimin e shërbimeve shëndetësore; lehtësimin e procedurave të kalimit të mallrave ushtarake dhe të produkteve me origjinë jo shtazore, për të përmendur vetëm disa pre tyre.
Veçanti e kësaj mbledhje, përveç momentit se kur po zhvillohet, është edhe takimi i përbashkët me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare; Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit dhe Dragashit në njërën anë, dhe Tropojës, Kukësit dhe Hasit në anën tjetër. Bashkë do të diskutojmë se si sfidat t’i kthejmë në mundësi, e mundësitë në përfitim të qytetarëve.
Lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonat ndërkufitare i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjeve të deritanishme e protokolleve zbatuese, e kemi rritur në 26 numrin e vendkalimeve të veçanta kufitare. Nga prilli i këtij viti, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare e shëndetësore.
Tema e dytë për të cilën dua të flas sot është që ditën e fillova me një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e misionit të BE-së, me të cilët folëm për zhvillimet e fundit në vend dhe të cilët i njoftova për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me de-eskalimin e plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Propozim të cilën e kam ndarë paraprakisht me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.
Dje në orën 12:00 kam pasur një telefonatë pra me zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell në lidhje me situatën në komunat në veri pas zgjedhjeve komunale, kurse sot kam pritur pra në takim përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.
Dje pasdite kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin dhe Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë z. Miroslav Lajcak dhe njëkohësisht në mbrëmje edhe me ambasadorin amerikan në Republikën e Kosovës, z. Jeffrey Hovenier. Me z. Borell dje, dhe me vendet mike e partnerët e QUINT-it sot kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë për depërshkallëzimin e situatës në komunat në veri të Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra de-eskalim dhe normalizim.
Është e rëndësishme të kuptojmë drejt se eskalimi i situatës në veri vjen në njërën anë është si pasojë e bojkotit të institucioneve dhe të zgjedhjeve nga partitë nga komuniteti serb nën urdhrat e Beogradit, përkundër shtyrjes së zgjedhjeve dhe afateve për regjistrim kurse në anën tjetër si pasojë e pranisë së elementeve kriminale në listat e pagesës së Beogradit po ashtu. Pra janë këta faktorë të cilët janë burim i tensionit të vazhdueshëm.
Megjithëkëto, përkundër veprimeve të qëllimshme destabilizuese të Serbisë, unë i kam ofruar dje z. Borrell dhe sot vendeve të QUINT-it një listë me hapa konkretë që i kontribuojnë direkt dhe menjëherë de-përshkallëzimit të situatës dhe kthimit në dialog.
Hapi i parë: Sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.
Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi me 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë gjithë atyre, që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve. Pra, e para pikë në letrën time drejtuar z.Borrel pas telefonatës, është sundimi i ligjit në katër komuna në veri të Republikës së Kosovës, të sigurohet, të krijohet menjëherë, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin.
Pika e dytë: Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat.
Pika e tretë: Policia e Kosovës dhe KFOR apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo pesëmbëdhjetë ditë për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë dhe për të mbështetur masat e sundimit të ligjit.
Pika e katërt: Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar liberale.
Pika e pestë: Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Bashkimi Evropian siguron një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, Bruksel 27 shkurt dhe Aneksit të Zbatimit të saj, Ohër 18 Mars. Udhëheqësit e të dy shteteve takohen në një nivel të dialogut të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave.
Pra, siç e theksova dhe siç e dëshmon kronologjia e zhvillimeve, që nga 5 nëntori i vitit të kaluar, vendimet tona as nuk i kanë kontribuar eskalimit dhe as nuk janë burim i eskalimit të situatës në veri të Kosovës.
Ne jemi në detyrat tona të zbatimit të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Siç edhe jemi në rrugën e drejtë të avancimit të demokracisë, zbatimin dhe promovimin e vlerave të përbashkëta e fundamentale, të cilat i ndajmë me miqtë, partnerët, aleatët tanë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit e tash do të mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja!
Last modified: 13 Qershor, 2023