Prishtinë, 2 dhjetor 2024
Adresimi fillestar i kryeministrit Kurti:
Faleminderit e nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës dhe kryesuese e kësaj seance plenare,
Të nderuar e të dashur deputetë dhe qytetarë të Kosovës,
Unë qëndroj para jush sot me krenari edhe me vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë, që ka qenë me përplot të arritura dhe me më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar. Është një histori ndryshimesh, të cilat e prekin jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve, që do të thotë edhe të secilës kategori shoqërore.
Këto histori suksesi flasin njëkohësisht edhe për një të ardhme më të mirë, që nuk e përjashton askënd dhe shifrat, të cilat do t’i prezantoj, pa dyshim që kanë shpirt, meqenëse ato kanë vënë në lëvizje mirëqenien e qytetarëve, zhvillim e tyre, mundësitë për të ardhmen pa diskriminim e pa privilegje.
Le të fillojmë me ekonominë, e cila ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht solide. Në këto tri vitet e fundit kemi pasur rritje ekonomike mesatarisht prej 6.36 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe asnjëri prej këtyre tri viteve të qeverisjes sonë, nuk e ka pasur rritjen ekonomike më pak se 4 për qind. Po flas për rritje reale ekonomike, natyrisht pasi që të hiqet inflacioni, ngelet kjo mbi 4 për qind. Dhe, në të njëjtën kohë, e kemi ulur borxhin publik. Pra, nuk kemi pasur një rritje ekonomike, që bëhet në llogari të së ardhmes, duke e rritur borxhin, por borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 për qind apo për çerekun më të vogël se sa që e kemi gjetur.
Papunësia, që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25.8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë që na ngelet në këtë aspekt, është aktivizimi më i madh i grave, sepse numri i grave që janë inaktive, është më i madh se sa që duam e duhet.
Por, megjithatë, është e qartë se në Kosovë sot, kemi një papunësi të zvogëluar, sepse kemi një punësim të shtuar. Siç e tha edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, në marsin e vitit 2021, kur e kemi marrë detyrën pra me 23 mars, që do të thotë se unë raportoj sot për 4 vjet, por duhen edhe disa muaj për këtë gjë, asokohe në Kosovë kanë qenë gjithsej të punësuar 350 mijë qytetarë. Ndërkaq, sot që po flasim janë 430 mijë. Pra, 80 mijë më shumë, se sa në pranverën e vitit 2021 dhe kjo është një rritje prej 22 për qind e punësimit.
Në anën tjetër, ne e dimë që nuk mjafton vetëm të krijosh vende pune, por është e domosdoshme që sektori privat, që është bartësi kryesor i punësimit, të ketë rritje të aktivitetit, të ketë shpresë për rritje të bizneseve të tyre dhe ta ri-investojnë fitimin, sepse ajo është shprehje e qartë e optimizmit në ekonomi, që është faktor tejet i rëndësishëm për zhvillimin. E në këtë aspekt ne kemi kaluar nga 12 miliardë euro qarkullim në 22 miliardë euro qarkullim.
Përveç kësaj, kemi bërë mbështetje direke në punësimin e 12 mijë grave. Pagën minimale e kemi tash të re, 350 euro, ndërkohë që e kemi gjetur 130 dhe 170 euro. Ka patur diskriminim sipas moshës. Ata që janë nën 35 vjeç, e kanë pasur pagën minimale vetëm 130 euro, ndërkaq ata që janë mbi 35 vjeç, e kanë patur pagën minimale 170 euro. E tash është 350 për të gjithë, që do të thotë me pragun e sipërm, 170 euro është më shumë se dyfishi, sepse 350 është më shumë se dyfishi i 170. A paga minimale nuk është prekur për një dekadë paraprakisht.
Shpenzimet kapitale në vitin 2023 kanë qenë më të lartat në historinë e Kosovës së pavarur, 561 milionë euro dhe gjatë nëntë muajve të vitit 2024, kemi rritje prej 23 për qind të shpenzimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak. Pra, nuk jemi duke u krahasuar në këtë aspekt me qeveritë e mëhershme, por jemi duke u krahasuar me vitin paraprak, që do të thotë me vetveten.
Më tej, 14 mijë të rinj mes moshës 18 dhe 29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna dhe aty 51 për qind janë vajza e gra, e 49 për qind djem. Rreth 9.500 biznese kanë përfituar. E kemi marrë vlerësimin e parë kreditor sovran nga Agjencia Fitch Rating, BB-, i cili është konfirmuar edhe nga raporti gjashtëmujor i vitit 2024. Para kësaj, Kosova në arenën ndërkombëtare ekonomike nuk ka figuruar fare në hartë. Për herë të parë kemi këtë vlerësim dhe punojmë që ky të përmirësohet e të shkojë edhe më lart se kaq.
Në vitin 2020 faturat e papaguara nga qeveritë e kaluara për mallra dhe shërbime, që kanë marrë nga bizneset, kanë qenë në vlerën prej 141.6 milionë euro. Ky është borxh ndaj sektorit privat që e kemi pasur dhe këtë borxh ne e kemi zvogëluar, duke e ulur në vetëm 33 milionë euro.
Bruto Produkti Vendor i Kosovës është afër 50 për qind më i lartë se sa viti i parë parapandemik 2019. Nuk po krahasohemi me vitin 2020, meqenëse ka qenë vit pandemik, kur kishim tkurrje ekonomike, por po krahasohemi me vitin 2019.
Së fundmi miratuam edhe buxhetin për vitin 2025 dhe të gjithë ju e dini që buxheti për vitin e ardhshëm është 50 për qind më i lartë se sa buxheti që e kemi gjetur në vitin 2021. 2.4 miliardë është buxheti i vitit të parë të qeverisjes sonë, ndërkaq për vitin e ardhshëm, do të jetë 3.6 miliardë, pra fiks 50 për qind më i lartë.
Në Kosovë e kemi dëshminë, me të cilën duhet të jemi ndërkombëtarisht krenarë, që edhe çlirimi edhe pavarësia edhe liria e demokracia ja vlejnë fort, meqenëse Bruto Produkti Vendor i vendit tonë për këtë vit është shtatë herë më i lartë se sa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që nuk krahasohemi me 1999-ën, për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës. Le të krahasohemi me vitin 200, vitin e parë pas çlirimit. Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000, është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq, krahasuar me vitin 2008, kur është shpallur pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe se sa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50 për qind më e madhe. Pra, më shumë liri, më shumë demokraci, më shumë të drejta, është edhe më shumë ekonomi. Jemi shembull i jashtëzakonshëm në botë kur ka një betejë të madhe për narracion, se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë bashkë.
Ju të gjithë e dini që ka superfuqi e fuqi që dëshirojnë të tregojnë që zhvillimi s’ka nevojë për demokraci e shteti jonë po e tregon, ndonëse nuk është i madh, që demokracia edhe ekonomia shkojnë bashkë. E këtu kemi një hov të intensifikuar pikërisht në këto tri apo katër vitet e fundit.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, është raporti i fundit vjetor për qeverinë tonë në këtë mandate, thuhet që Kosova është ndër përformuesit kryesorë në rajonin tonë dhe aty janë vlerësuar gjithsej 38 zona të ndryshme të progresit në Kosovë, nga të cilat kemi progres pak a shumë në 36 zona. Vetëm në dy prej 38 nuk kemi progres, ndërkaq në 36 kemi progres, diku më shumë e diku më pak, por pa progres nuk jemi.
Më tej, unë besoj që rritja që kemi pasur si ekonomi, është duke iu falënderuar sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit në masë të konsiderueshme. Është rritur për rreth 50 për qind buxheti për Policinë e Kosovës, 124 grupe kriminale janë shkatërruar, prej tyre 43 grupe për krime ekonomike dhe korrupsion dhe 40 grupe në luftimin kundër drogës. Rreth 300 zyrtarë publikë janë arrestuar. Mbi 4.5 ton substanca narkotike janë konfiskuar, 37 rrugë ilegale janë mbyllur, prej tyre 29 në veri të vendit. 6 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave janë shkatërruar në veri, 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit i kemi tash në veri. Nuk ka qenë asnjë më herët.
Është rekord i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, 82 për qind është më shumë numri i inspektimeve në tri vitet e fundit krahasuar me tri vitet paraprake. Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri fitore në arbitrazhin ndërkombëtar dhe 12 lokacione apo depo të armatimit janë zbuluar në 4 komunat veriore dhe kjo po vazhdon, dikur për çdo muaj, më pastaj për çdo javë e tash edhe për çdo ditë.
Janë mbyllur komunat ilegale të Serbisë në Mitrovicë të veriut; Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, si dhe në Gorazhdec ose janë Vridej, Vranisht, Rahovec, Suharekë, Prizren e Skenderaj.
Organizatat kriminale, Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut, i kemi shpallur organizata terroriste më 29 qershor të vitit të kaluar dhe është eliminuar ndikimi i tyre si organizata në veriun e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale ende atje.
Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme.
Janë mbyllur 6 filiale të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë, si institucione të jashtëligjshme brenda territorit të Republikës sonë. Janë bastisur dhe mbyllur Banka Popullore e Serbisë, dega në Kosovë dhe Drejtoria e Thesarit në Leposaviq, të dyja këto institucione ilegale të Serbisë në Kosovë. Nga ky operacion janë sekuestruar pesë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e treqind e trembëdhjetë dinarë serbë, pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë dollarë amerikanë dhe dhjetë mijë euro e dy mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë franga zvicerane.
Kemi shtruar edhe rrugë në veri të Kosovës me prioritet, për t’i lidhur fshatrat atje mes veti dhe me Komuna në jug, 63.3 kilometra në total.
Po ndërtohen edhe rinovohen shtëpi e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G.
Gjithnjë e më shumë qytetarë po bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës, 4040 qytetarë të komunitetit serb i kanë dorëzuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia dhe janë pajisur me targa zyrtare të Republikës së Kosovës, 6325 qytetarë të komunitetit serb kanë invaliduar patentë-shoferët ilegalë të Serbisë dhe janë pajisur me ata zyrtarë të Kosovës dhe pikërisht ky sukses i shtetit tonë të përbashkët edhe në veri të Kosovës, e ka rrit nervozën dhe agresivitetin në Beograd.
Sa i përket politikës së jashtme, kemi aplikuar dhe kaluar me sukses Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për çfarë ju falënderoj edhe juve të nderuar deputetë të Kuvendit për punën dhe angazhimin që keni bërë.
Pastaj e kemi avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe jemi anëtarësuar në dhjetë organizata ndërkombëtare.
Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja, por duhet ta kuptoni edhe një gjë, as liberalizimin e vizave, as njohje të reja nuk i kemi premtuar në fushatë.
Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi. Pra neve duhet të na matni krahasuar me zotimet tona që kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe në programin qeveritar më pastaj.
(Drejtuar deputetëve në sallë: Besoni, jam i interesuar t’ju dëgjoj të gjithëve, veç ju kisha lutur që të mund ta dëgjoj edhe veten, që do të thotë më dëgjoni edhe ju e të mos bëjmë zhurmë ku i flasim sikur të shurdhërit njëri-tjetrit. Ju lutem, do t’ju dëgjoj të gjithëve. Ju kisha lutur që të më dëgjoni, sepse më keni thirrë ju në raport.
Nuk është seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri. Ju më keni ftuar që të më dëgjoni dhe unë do t’ju prezantoj para jush e nuk mund të jemi shkurtër, sepse më keni ftuar për katër vjet qeverisje. Nuk më keni ftuar për katër javë, por për katër vjet).
Pra, pa premtuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jemi anëtarësuar në dhjetë sosh. Për shembull, Partneriteti për Qeverisje të Hapur, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Shoqata Evropiane e Kartës Rinore e të tjera e të tjera
Më tej, kemi pranuar dhe gjithashtu kemi ofruar punë për gazetarët ukrainas dhe i kemi pranu 1961 refugjatë nga Afganistani me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
(Drejtuar deputetëve në sallë: Për besë, nuk është në rregull të qeshni kur flasim për refugjatë).
1961 refugjatë nga Afganistani i kemi pranuar në Kosovë.
I kemi nënshkruar rreth 300 marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale të karaktereve të ndryshme Është bërë liberalizimi i vizave në zonën Shengen. Udhëtimi pa viza është nga 1 janari i vitit 2024. Kjo gjithashtu është shoqëruar edhe me liberalizimin e vizave për shtete, si Emirate të Bashkuara, Izraeli dhe Tajlanda.
I kemi mbajtur rreth pesëdhjetë konsultime politike me shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet. I kemi blerë dhe i kemi bërë pronë të Kosovës pesë ambasada të Republikës sonë në botë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Senegal, Kroaci dhe Strazburg.
Më herët janë paguar qira shumë të shtrenjta. Tash nuk paguhen qira, pra kursehet qiraja, plus e kemi pronën tonë dhe i kemi në plan për blerje edhe pesë ambasada të tjera në Gjermani, Francë, Itali, Kanada dhe Turqi.
Për mërgatën e kemi programin apo platformën Shijo Kosovën, kemi organizuar kampe verore dhe dimërore, festivale të ndryshme, me aktivitete kulturore, sportive, platformën Made in Kosova dhe gjithashtu javën e kulturës jashtë vendit.
Po e organizojmë edhe sivjet, sikurse vjet, organizimin e Forumit Ndërkombëtar Ulpiana Forum dhe gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka rritë subvencionet nga më pak se çerek milioni në mbi një milion për diasporën.
Është lansuar programi për diplomaci qytetare, qëllimi i të cilit është të ndërlidhë profesionistët e rinj nga diaspora dhe në të njëjtën kohë, qeveria ka ofruar deri në tetë milionë euro kapital shtesë, ndërsa Fondi Kosovar për Garanti Kreditore ka ofruar dy milionë dhe do të lëshohen kreditë deri në tre milionë euro për investime, me ç ‘rast tashmë janë nënshkruar kontratat e para.
I kemi pasur dy mbledhje të përbashkëta me Shqipërinë. I kemi nënshkru pesëdhjetë e tetë marrëveshje. Shqipëria është partnerja kryesore tregtare e Kosovës në vitin 2023. Shkëmbimet tregtare me Shqipërinë në vitin 2020 kanë qenë në vlerën treqind milionë euro, ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ka shkuar në mbi 440 milionë euro.
E kemi funksionalizuar tregun e përbashkët energjetik Alpex, kemi bashkëpunuar për kandidaturën e suksesshme të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe për Kampionatin Evropian në volejboll për grupmoshat U16 te vajzat.
Po e bashkëfinancojmë projektin madhor Enciklopedia shqiptare dhe po ofrojmë bursa të ndërsjellta për studentë në Kosovë e në Shqipëri
Po e mundësojmë përfitimin e pensioneve të pleqërisë dhe njohjen e periudhave të sigurimeve, kontributeve të paguara për shtetasit e të dy vendeve. I kemi hapë zyrat Doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. E kemi reduktuar atë skanimin nga njëqind për qind të mauneve në dhjetë për qind, kemi mundësu lëvizjen pa asnjë kontroll të qytetarëve në kufi për nëntë muaj gjatë një viti e për ata tre muajt e mbetur sërish nuk ka nevojë për kontroll në festa e gjatë fundjavave.
Kemi bërë ofrimin e shërbimeve mjekësore nga spitalet e zonave kufitare Kukës, Gjakovë, Prizren për banorët e tyre dhe kemi nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Studimi i fizibilitetit finalizohet në shkurt të vitit 2025.
Kemi hapur njëzet e gjashtë vendkalime të reja për mbi dyqind mijë banorët e zonës kufitare dhe kemi hapur korridore të reja ajrore për fluturime komerciale, bëhet shkurtimi i trajektoreve të fluturimeve për dhe nga Kosova për tetë deri në dymbëdhjetë minuta, apo shkurtimi i distancës nëntëdhjetë deri në njëqind e dhjetë kilometra.
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Për komunat e Kosovës në buxhetin sivjet 2024 ka 195 milionë euro më shumë sesa në vitin 2021 e kur ishin 547 milionë euro. Sivjet janë gjithsej 742 milionë euro, ndërkaq në vitin 2025 do t’i kemi 788 milionë euro për komunat. Kjo është rritje për 44 për qind e vitit 2025 me vitin kur e kemi marrë qeverisjen në 2021.
Sa i përket drejtësisë, e kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, e kemi miratuar në Kuvend në lexim të parë, Projektligjin për Gjykatën Administrative, pastaj memorandumin e kemi bërë për funksionalizimin e strehimores në veriun e Mitrovicës dhe gjithashtu kemi themeluar Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë në kuadër të Drejtësisë Tranzicionale që adreson krimet e kryera gjatë luftës ku edhe është miratuar strategjia për këtë drejtësi tranzicionale, mundësimi i gjykimit në mungesë për krimet e luftës përmes hyrjes në fuqi të ndryshimeve procedurale penale, si dhe ndarja e mjeteve për rritjen e kapaciteteve të prokurorisë speciale, katër prokurorë dhe gjashtë bashkëpunëtorë special dhe dy staf mbështetës.
Është miratuar në Qeveri Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pas trajtimit në Gjykatën Kushtetuese për disa nene. Në energji e kemi bërë ankandin e parë për parkun solar me kapacitet njëqind megavat në Kramovik të Rahovecit me ç’rast kemi ofruar pesëmbëdhjetë vjet blerje të energjisë elektrike, tridhjetë vjet licencë për shfrytëzimin e tokës publike dhe çmimi tavan ka qenë 75 euro për një megavat orë, mirëpo duke iu falënderuar ankandit publik që e kemi organizuar bashkë me USAID-in, në fund të garës ka fituar konsorciumi i cili do ta shesë energjinë elektrike për vetëm dyzet e tetë euro e tetëdhjetë e tetë centë për një megavat orë.
Gjithashtu kemi bërë marrëveshje për kapacitetet gjeneruese solare në ndërmarrje publike njëqind megavat në pronësi të KEK-ut dhe 50 megavat termike për ngrohje qendrore për 60 mijë banorë të Prishtinës, një projekt inovativ, i pari në rajon e ndër më të mëdhenjtë në Evropë.
Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht institucionin e tyre që quhet Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kemi nënshkruar marrëveshje 236.7 shtatë milionë dollarë, prej të cilave programi kompakt, pra na jep neve 202 milionë dollarë grant, jo kredi, por grant dhe kjo bëhet për ndërtimin e baterive akumuluese të cilat kanë kapacitet 170 megavat për dy orë, pra gjithsej 340 megavat orë. Meqenëse dihet për shkak se strategjia jonë do të jetë shumë e fokusuar tek burimet e ripërtërishme të erës dhe të diellit, e ne e dimë që dielli nuk nxeh natën, e era fryn më së shumti në orë të hershme të mëngjesit, kur më pak na duhet, bateritë janë të domosdoshme dhe pikërisht këtë gjë po na e mundëson tash programi kompakt i korporatës së sfidës së mijëvjeçarit
Arsimi publik është bërë falas edhe për baçelor e për master, mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesa nga viti 2021, mbi 10 milionë euro kemi mbështetje për studentët, mbi 10.200 janë, për të cilat veçanërisht kanë dalur të suksesshme bursat për vajza dhe gra në STEM, në shkencë, teknologji, inxhinieri edhe matematikë.
Janë rreth 2 mijë bursa për nxënës të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, tek të cilët ne e dimë që varfëria është edhe më e thellë, edhe më e përhapur dhe afër pesëqind mijë euro janë për qendrat mësimore të fëmijëve të këtyre komuniteteve. 339 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, me nga 550 euro pagë bruto, buxheti është ndarë për komuna për punësimin e pesëqind asistentëve gjithsej.
Në vitin 2021, të nderuar deputetë, në Kosovë kanë qenë të regjistruar në çerdhe 5555 fëmijë, ndërsa, në vitin 2024, janë 7429 fëmijë apo 1874 katër fëmijë më shumë sesa në vitin 2021, rritje prej 33 për qind. Për tri vjet është rrit për 33 për qind numri i fëmijëve në çerdhe. Të gjitha kërkesat e komunave për çerdhe janë proceduar, por ne i inkurajojmë komunat që të kërkojnë më shumë çerdhe për fëmijët në komunat ku ata qeverisin.
Për herë të parë kemi bërë edhe rishikimin e teksteve mësimore të klasave një deri nëntë për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës duke përmirësuar përmbajtjet në aspektet gjyqësore, konceptuale, kontekstuale, gjinore, të drejtave të njeriut e të tjera.
Një ndër programet më të rëndësishme është lidhja e tregut të punës me arsimin dhe aftësimin profesional, dymbëdhjetë profile, njëzet e tri shkolla profesionale, katërmbëdhjetë komuna, me gjithsej 1588 nxënës, janë futur në zbatim gjashtë kurrikula të reja dhe janë miratuar e pritet të hyjnë në zbatim edhe tri kurrikula të tjera. E kemi unifikuar Abetaren Kombëtare me Republikën e Shqipërisë. Deri në vitin 2021, të nderuar deputetë, Kosova dhe Shqipëria i kanë pas dy abetare. Prej vitit 2021 e këtej, në klasën e parë shkollës fillore, është e njëjta abetare. Edhe i kemi financuar 16 projekte të përbashkëta kërkimore me Shqipërinë, secili projekt nga 10 mijë euro. E kemi shumëfishuar buxhetin për institucionet publike të artit, Filharmonia nga 345 mijë euro në vitin 2019 ka buxhet 1.3 milionë euro, Galeria Kombëtare nga 189 mijë euro në 1 milion euro dhe Teatri nga 300 mijë në 750 mijë euro
Faleminderit!
Fuqizuam skenën e pavarur kulturore. 1.5 milion ka qenë në vitin 2019 e 9 milionë euro ka mbështetje direkte tani. Dhe gjithashtu, buxhetin për librin edhe autorin që e kemi gjetur 150 mijë euro, e kemi ngritur në 1 milion euro në vit.
Pastaj, filmin e kemi bërë sektor të interesit të veçantë, me ligj të ri, që prezanton skemën e rabatit deri në 30 për qind të investimeve ndërkombëtare në prodhimet audiovizuale, e rrit mbështetjen për prodhimet filmike nga 51 për qind në 90 për qind të vlerës së realizimit, pastaj, për regjisorët debutues, për herë të parë veprat e metrazhit të shkurtër e të mesëm mundësohen mbështetje deri në njëqind për qind, kemi themeluar rrjetin e kinemave dhe i kemi mbrojtur ato nga privatizimi apo ndryshimi i destinimit.
Kemi nënshkruar marrëveshje ndërshtetërore në sport, kulturë, trashëgimi kulturore rini me Francë, Bullgari, Austri, Shqipëri, Turqi, Izrael, Hungari dhe Maltë. Po e zbatojmë planin pesëvjeçar të infrastrukturës së futbollit, 18 komuna, mbi 20 stadiume, 200 milionë euro investime, edhe po i renovojmë dhe ndërtojmë stadiumet e kategorisë tre dhe katër, sipas standardeve të UEFA-s, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prishtinë dhe Drena
Buxheti vjetor për kujdesin dhe investimet në trashëgimitë kulturore është më i lartë ndonjëherë, trefish më i madh sesa në vitin 2021. E kemi ndalë degradimin e monumenteve edhe po i vendosim në shërbim të komunitetit edhe të ekonomisë lokale. 26 vite pas betejës së lavdishme të Epopesë së UÇK-së, miratuam projektin për zhvillimin e Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz. Për tri vjet e gjysmë qeverisje, 100 ndërhyrje të përfunduara në monumente në tërë territorin e Kosovës.
Për vetëm tri vjet e gjysmë kemi restauruar më shumë sesa në dy dekadat pararendëse bashkë.
Është identifikuar shkatërrimi i rreth 1800 monumenteve dhe grabitja e mbi 3700 artefakteve nga Serbia, raport i cili është dorëzuar në Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës. Subvencionimi për sportin, është trefish më i lartë, nga 3 milionë sa ishte, në mbi 11 milionë euro, miratuam programin Supersportistët me 4 milionë euro për cikël olimpik në mbështetje për sportistët elitarë për suksese kulminante në gara sportive. Kemi krijuar programet Sporti në shkolla, Arti në shkolla dhe Drejt Malit, ku në fazën testuese kanë përfituar 20 mijë nxënës nga dhjetëra shkolla. I kemi ndarë 150 bursa për studentë dhe po i mbështesim profesionistët e rinj në studime jashtë vendit, në art, sport e në trashëgimi kulturore.
Për bujqësi mbi 300 milionë euro mbështetje financiare për afër 120 mijë përfitues me ç’rast 10 milionë euro për gratë në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve, 23 milionë euro për subvencionim të naftës, 34 milionë euro për subvencionim të plehrimit pranveror, 103 shtalla të ndërtuara, në vitin 2020, 0. 951 përfitues të granteve për ngritje të solareve me kapacitet të gjithmbarshëm prej 4.3 megavat, 70 bursa për studentë në vlerë prej 2400 euro edhe gjithashtu 184 për qind rritje e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare në vlerë prej 51 milionë euro. Pra, kemi gati trefishim të mbështetjes ndërkombëtare, kur kanë parë seriozitetin tonë.
Sa i përket infrastrukturës, punimet janë në fazën finale si në rrugën: Prishtinë – Mitrovicë dhe Prishtinë – Podujevë por gjithashtu edhe tek rrugët Prishtinë – Pejë dhe Prizren – Tetovë janë në zhvillim dhe rruga Prishtinë – Mitrovicë puna në segmentin e parë të kësaj rruge e kishte nisur në vitin e largët 2009, para pra 15 vjetëve, nga një rrugë e cila ishte me dy korse, po e kthejmë në rrugë nacionale me dy drejtime me gjithsej katër korsi e vlera e projekti është 25 pesë milionë euro.
Rruga Prishtinë-Pejë në segmentin e parë Kijevë-Dollc, koston e kësaj rruge e kemi zvogëluar nga 240 milionë euro në 90 milionë euro, pra 150 milionë euro kursime. Gjithashtu edhe rruga Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Rahovec-Prizren është projektuar dhe do të jetë e gatshme për fillimin e ndërtimit vitin e ardhshëm. Kemi investime në 243 projekte infrastrukturore në nivelin lokal, në bashkëpunim me komunat, njëqind e shtatëdhjetë e katër prej tyre janë iniciuar në këtë mandat.
Gjithashtu kemi bërë edhe marrëveshjet për rrugët Deçan-Plavë, Pejë-Kuqishtë-Morinë dhe Pejë-Rozhaj, sepse këto rrugë për shembull, ajo Deçan-Plavë, nga ana jonë është e hapur dhe shtruar me zhavorr deri në kufi, si dhe është asfaltuar dyzet për qind e saj.
Nuk ka ende hapa konkretë nga pala tjetër. Rruga Pejë-Kuqisht-Morinë, është e asfaltuar deri në kufi nga ana jonë, por në kufi është mbyllur me pengesa që nga paslufta. Jemi njoftuar që Mali i Zi tani e ka fillu projektimin e kësaj rruge ndërkaq rruga Pejë-Rozhaj ndërtohet të bëhet studimi i fizibilitetit dhe projekti i rrugës, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret
Kemi reformuar dhe digjitalizuar procesin e marrjes së patent-shoferëve në ministrinë e njëjtë dhe për ruajtjen e parasë publike dhe shpenzimin e duhur të buxhetit, ta zëmë e kemi zvogëluar buxhetin shpronësime për 82 milionë euro ndërkaq më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro për tri vjet, tani me kontratat që kemi nënshkruar ne, me paramasa të ndryshuara, mirëmbajtjen e kemi zbritur në 38 milionë euro ndërkaq mbulueshmëria e mirëmbajtjes së rrugës është rritur për 37 për qind.
Pra, për 1/3 është zbritur kostoja e për 37 për qind është rritur mbulueshmëria. Mbi 200 milionë euro janë investime të parapara për rehabilitimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Leshak. Për banimin e përballueshëm është kryer fizibiliteti, është hartuar ligji, janë zgjedhur lokacionet në trembëdhjetë komuna, duke u bërë projektimi, i kemi nënshkruar pesë marrëveshje me Gjilanin, Pejën, Podujevën, Istogun e Kamenicën dhe jemi shumë afër nënshkrimit me Obiliqin dhe Shtimen, ndërkaq për Banim Social pas përfundimit të fizibilitetit dhe hartimit të ligjit është nënshkruar edhe marrëveshja për kredinë në vlerë prej njëzet e pesë milionë euro me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës.
Për herë të parë në Republikën e Kosovës Qeveria ka linjë të rregullt buxhetore për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Rritja e mbështetjes financiare është bërë nga dy në tre milionë euro në buxhetin e vitit 2024 dhe 4 milionë euro për vitin e ardhshëm. Nga 107 bursa për studentë shqiptarë në vitin 2023, në vitin 2024 kemi planifikuar 1234 bursa për studentë edhe nxënës, diç më shumë për studentë, sesa për nxënës dhe përveç kësaj jemi duke investuar në ruajtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës atje, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Gjithashtu kemi mundësuar lehtësira për bashkatdhetarët nga Lugina, prej Ligjit për shtetësinë e Kosovës, që është miratuar në lexim të parë, te kuota për shkollim specialistik në mjekësi, trajtim të barabartë për pacientët prej atje në spitalet e Kosovës, sikurse shtetasit e Kosovës.
Për juristët prej Luginës së Preshevës, që kanë leje qëndrimi në Kosovë, ua kemi mundësuar aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Kemi miratuar Ligjin për të Drejtat Pronësore të Shteteve të huaj që i lejon qytetarët e Luginës të bëhen pronarë të pasurive të paluajtshme në Kosovë. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e padokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Në institucione publike përfaqësimi i grave tash është 45.6 për qind. Në ministri, në agjenci ekzekutive dhe në nivelin qendror – 441 gra, apo 32.1 për qind të pozitave drejtuese në institucionet publike, janë si në vijim: Drejtuese të ulëta që i bie udhëheqëse të divizioneve dhe sektorëve janë 36.4 për qind; Drejtuese të mesme që i bie drejtore të departamenteve janë 20.4 për qind; Drejtuese të larta, sekretare të përgjithshme, drejtore ekzekutive është 23.1 për qind; dhe shkalla e pjesëmarrjes së grave në administratën publike, cakun e kemi pasë 40 për qind, aktualisht janë 46 për qind.
Në ndërmarrjet publike përfaqësimi i grave është përmirësuar shumë. Në vitin 2017 ka qenë 10 për qind. Tash që po flasim është 43 për qind. Nga 10 për qind në 43 për qind anëtare të emëruara në ndërmarrjet publike. Edhe i kemi dy gra kryeshefe në ndërmarrjet kryesore qendrore publike: Nora Rraci te Posta e Kosovës, dhe Burbuqe Hana te Telekomi i Kosovës.
Shtesat për lehona dhe fëmijë kanë ndihmuar shumë gratë, edhe familjet në përgjithësi. Mbi 60 mijë lehona përfituese, mbi 19 mijë të punësuara e mbi 43 mijë të papuna prej tyre, nga shtesat për fëmijë kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë dhe rreth 100 mijë gra, që është shumë e çuditshme po të mos kishte ndodhur, kanë hapur xhirollogari bankare për herë të parë në Kosovë, për shkak të këtyre shtesave për lehona apo shtesat për fëmijë, që ne i japim në emrin e nënës.
172 mijë vizita janë bërë në shtëpi dhe mbi 67 mijë vizita vetëm në vitin 2024 për nënat dhe fëmijët. Mamografia është falas përgjatë gjithë vitit dhe gjithashtu rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe protezat tashmë sigurohen nga sektori publik e çmimi privat ka qenë prej 3000 deri në 5000 euro. Deri në vitin 2022 shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin në fazën e tretë ose të katërt, e tash në vitin 2023 dhe 2024 shumica e rasteve diagnostifikohen në fazën e parë, për të cilën trajtimet dhe shërimi është shumë më lehtë i arritshëm.
Për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, pra edhe të burrit edhe të gruas, pa pagesë, në vitin 2024 gjithsej ishin 17592 prona të regjistruara të çifteve në krahasim me 105 sa ishin në vitin 2016. Prej rreth 100 në afër 18 mijë. Pra, prej 100 në afër 18 mijë, 180 herë më shumë. Ky është një fuqizim tejet i rëndësishëm i grave në vendin tonë.
Por ne nuk kemi qeverisë vetëm për shqiptarët. Ne nuk i privilegjojmë shqiptarët. Ne kemi qeverisë edhe për pakicat kombëtare: serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, por edhe goranët, malazezët e kroatët. 215 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj, përmes fondit prej 3 milionë euro, dhe një e dhënë interesante është që deri më 8 nëntor të vitit 2024 kanë aplikuar 460 punë kërkues dhe 176 punëdhënës e janë ende 547 vende te lira e 379 ndërmjetësime punësime në kuadër të masës së veçantë të punësimit për 2000 qytetarë të komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe veri i Mitrovicës.
Kemi themeluar grupin ndërinstitucional kundër martesave të hershme të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe gjithashtu për promovimin e punësimit të tyre, me ç’rast kemi siguruar një rritje prej 31 për qind në numrin e vendeve të punës të siguruara për këto tri komunitete që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ende në papunësi e varfëri dukshëm më të lartë sesa mesatarja e vendit tonë.
Kemi ndërtuar dhe renovuar shtëpi që mundësojnë për komunitetet joshumicë qëndrim solid dhe për këtë e kemi bërë natyrisht edhe për shqiptarët në veri të Ibrit.
Rifillimi i procesit të verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut është bërë me qëllim që serbët të mos i përjashtojmë nga tregu i punës. Nuk kemi bërë licencim, kemi bërë verifikim, sepse e dimë se si janë dispozitat kushtetuese dhe ligjore për këtë çështje.
Për dhjetë muaj në veri të Kosovës janë regjistruar 261 biznese të reja dhe ne inkurajojmë bizneset që të regjistrohen në veri të Kosovës, të hapin degë të tyre, në mënyrë që qytetarët tanë serbë të mos i lëmë pa shërbimet dhe mallrat e mira të vendit tonë.
Bëjmë transmetim direkt të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe nga tetori i vitit 2023. Gjithë qytetarët serbë në Kosovë të gjitha vendimet e Qeverisë mund t’i përcjellin në kohë reale në gjuhën e tyre.
Masat e ndryshme afirmative, prej punësimit deri te konvertimi i patentë-shoferëve e kanë shënuar qeverisjen tonë për komunitet joshumicë e natyrisht që gjithnjë e më shumë po na ndihmon transformimi dixhital, me ç’rast portalin e-Kosova që e kemi filluar në vitin 2021, tash i ka 195 shërbime online. Mbi 971 mijë qytetarë të Kosovës janë regjistruar në e-Kosova. Numri i transaksioneve të shërbimeve në E-Kosova është rritur nga 1.92 milion në vitin 2022 në 3.84 milionë transaksione shërbimesh në vitin 2023 apo një rritje prej fiks 100 për qind
Në shtator të vitit 2024, qytetarët kanë zgjedhur ta marrin versionin elektronik të çertifikatës së pronës në 46 për qind të rasteve që e kanë marrë një certifikatë e tillë. Pra, gati gjysma e qytetarëve kur e kanë mundësinë fizike ose digjitale, po vendosin për versionin digjital.
E kemi miratuar strategjinë për e-qeverisje me investim pesëvjeçar prej 48 milionë euro nga Qeveria dhe partnerët. Ndërkaq, në indeksin GTMI të Bankës Botërore, si shtet kemi avancuar nga Grupi C në Grupin B, si qeverisje e fokusuar në digjitalizim.
Në shëndetësi, buxheti krahasuar me vitin e parë para pandemik 2019, është rritur për rreth 50 për qind dhe me këtë rast është për t’u shënuar që lista e barnave esenciale që në vitin 2021 kishte buxhetin 24 milionë euro, tash i ka 63 milionë euro, që do të thotë se është më shumë se sa 150 për qind rritje.
Kemi trefishim të numrit të inspektorëve shëndetësorë dhe farmaceutikë. Vetëm këtë vit janë angazhuar mbi 300 profesionistë shëndetësorë në institucionet publike, mjek specialistë, infermierë, teknikë e të tjera.
Miratimi i Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore në Qeveri, janë paraparë pra 7 milionë euro investime në SISH, tash edhe në Kuvendin e Kosovës gjithashtu, dhe specialistët në shëndetësi i kanë pagat më të larta në rajon, me kujdestari edhe me shtesa deri në 2000 euro. Një kujdestari 24 orëshe, gjatë vikendeve për mjekët specialistë, paguhet 285 euro.
Në më pak se një vit numri i specializantëve të rinj do të arrijë në 588. Kemi përfshirë, siç e përmenda më herët, edhe mjekët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, për shkak të diskriminimeve që i përjetojnë në vendlindjen e tyre.
Vetëm këtë vit janë angazhuar mbi 300 profesionistë shëndetësorë në institucionet publike dhe duhet ta theksojmë që të gjitha njoftimet për ikjen e mjekëve edhe infermierëve, në njërën anë ka një inflacion joreal, ndërkaq në anën tjetër shumica dërrmuese e tyre ikin nga sektori privat, jo nga sektori publik.
Tri rezonanca magnetike të reja për spitalin e Pejës, për Klinikën e Pediatrisë në QKUK dhe për spitalin e Prizrenit. Për 20 vjet kanë qenë dy, për tre vjet edhe tre të tjera.
Janë transformuar e renovuar Klinika e Onkologjisë, Gjinekologjisë, Urologjisë, Kardiokirurgjisë, Oftalmologjisë, Klinika Emergjente, blloku operativ në Neurokirurgji, Kirurgji Vaskulare, blloku operativ në Kirurgjinë Torakale dhe Psikiatria e Fëmijëve dhe Adoleshentëve. Ka përfundu edhe klinika e re e Ortopedisë, e cila ka kushtet më moderne me katër salla operative. Edhe riparimi gjithashtu i objektit të pediatrisë në Mitrovicë ka përfunduar dhe dy reparte në Institutin Special në Shtime, si dhe renovimi i përgjithshëm i objektit ekzistues të transfuzionit të gjakut, Njësia Regjionale në Gjilan.
Është renovuar dhe investuar edhe në spitalin e Pejës, në qendrën rajonale të shëndetit publik në Prizren. Janë renovuar 15 ambulanca specialistike në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Kemi autoambulancën e parë neonatale për transport të sigurt të të porsalindurve dhe me 25 dhjetor po bëhet për herë të parë laboratori i toksikologjisë. Po instalohen filtra modern steril në sallat operative që në mënyrë të theksuar do ta ulin numrin e infeksioneve intrahospitalore, një problem ky prej dy dekadash në klinikat tona. 70 barna të reja në listën e barnave esenciale dhe janë shtuar edhe barnat për fertilizim të asistuar. Përmes programit për vizita të nënave edhe të fëmijëve kemi mundësuar lidhjen e shërbimit me qytetarin, si asnjëherë tjetër për shkak të masivitetit, siç e thashë më herët, 172 mijë vizita shtëpiake.
Dhe, përveçse për gratë, edhe rinia ka qenë në fokusin tonë. Është dyfishuar numri i të rinjve të punësuar përmes platformës Superpuna, por jo vetëm. Kemi edhe programin Kosova Generation Unlimited në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë dhe me rrjetin CSR, që janë bashkë në ofrimin e mundësive praktike për mbi 3 mijë të rinj, prej të cilëve rreth 60 për qind janë gra ose vajza, edhe 12 për qind janë nga komuniteti serb dhe 4 për qind nga komunitetet joshumicë.
Po ndajmë gjithnjë e më shumë mjete për inovacion dhe teknologji për të rinjtë, për shembull 574 mijë euro për maturantë të profilit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit përmes kuponëve për trajnime dhe në vitin 2023 kemi mbajtur orën e kodimit në 22 komuna, ku mbi 20 mijë nxënës të klasave 1 deri në 12, në 350 shkolla, kanë mbajtur rreth 30 mijë orë kodim, dhe është duke u vazhduar kjo edhe në vitin 2024.
Duke u bazuar në emërtimin dhe modelin e Polonisë, kemi filluar programin “Edukimi për siguri” edhe në shkollat tona, në mënyrë që edhe të rinjtë prej dhënies së ndihmës së parë deri tek literaturat për mbrojtje, siguri dhe për organizimin në kushtet e fatkeqësive natyrore ose të konfliktit të armatosur të jenë sa më të njoftuar, vetëdijshëm dhe të dijshëm.
Njëra ndër katër fushat ku e kemi rritur më së shumti buxhetin pa dëshirën tonë është mbrojtja dhe siguria. Ne do të dëshironim që në vend se të shpenzojmë për armatim e për municion, të shpenzojmë në fusha tjera, por për shkak të fqinjit tonë agresiv verior që s’na njeh, mohon krimet e luftës dhe vazhdimisht na provokon dhe, në anën tjetër për shkak të tensioneve të reja gjeopolitike jo vetëm në kontinentin tonë, ne e kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë dhe qysh në vitin 2023 e kemi mbërritur atë kuotën për 2 për qind të bruto produktit vendor, e më herët nuk ka qenë as 1 për qind.
E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve të rekrutuar, nga 1971 ushtarë të rinj kemi kaluar edhe një proces shtesë të rekrutimit për 300 ushtarë të rinj total, dhe i kemi katërfishuar numrin e ushtarakëve të trajnuar jashtë vendit, oficerë, nënoficerë e ushtarë, 3325 gjithsej. E kemi hequr këtë kufizimin e numrit të ushtarëve në FSK dhe gjithashtu të moshës, nga 23 e kemi ngritur në 25 vjeç.
Miratimi i programit kombëtar për mbrojtje gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës ka marrë për shembull Finlandën edhe vendet baltike, të cilat kufizohen gjithashtu me fqinj agresiv dhe më të mëdhenj se ata.
Kemi shumëfishim të investimeve në blerje të armatimit. 2018-2020 ka qenë më pak se katër milionë, ndërkaq 2021-2023 janë investuar 239 milionë. Kemi blerë dronët luftarakë Bayraktar nga Republika e Turqisë në njërën anë, dhe sistemin antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kemi përuruar Qendrën Shtetërore të Trajnimit për Siguri Kibernetike dhe kemi marrë pjesë në Defender Europe 2021 dhe 2023, e do të jemi edhe nikoçir përveçse pjesëmarrës në Defender Europe 2025.
Kemi bashkëzbarkuar me Ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar në ishujt Falkland dhe në Belize, ndërkaq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kuvajt.
Kemi rritje të dukshme të regjistrimit të bizneseve, të nderuar deputetë e të dashur qytetarë në vendin tonë, total 42411 biznese të regjistruara, rritje prej 17 për qind. Gjithashtu kemi edhe rritje të ankesave të konsumatorëve që i kemi trajtuar për gati shtatë herë apo saktësisht 568 për qind, në krahasim me vitin 2019. Pra, qytetarët po besojnë si konsumatorë që ankesa e tyre adresohet, andaj edhe gati është shtatëfishuar numri i tyre.
Kemi bërë pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, në përballje me inflacionin dhe me krizën energjetike, si përqindje e bruto produktit vendor, 4.3 për qind të bruto produktit vendor, sipas Bankës Botërore jemi të parët në rajon.
Kemi bërë subvencionimin e faturave të energjisë për mbi 208 mijë familje, që kanë kursyer rrymë gjatë sezonit të dimrit 2022-2023, dhe programin e mbrojtjes së konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike në Kosovë.
Për të gjitha familjet edhe bizneset kemi bërë subvencionim të faturave, për ta përballuar konkurrueshmërinë për bizneset dhe kohën e vështirë në të cilën ndodhemi për qytetarët. Dhe sot Kosova e ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike, përkundër pandemisë Covid-19, luftës në Ukrainë, krizave të njëpasnjëshme, të cilat e kanë cenuar zinxhirin e furnizimit, zinxhirin e vlerës. Kosova ka arritur pra që të ketë rritje ekonomike prej vazhdimisht mbi katër për qind, të mos ketë borxh të ri, dhe në të njëjtën kohë, ta mbajë çmimin e ulët të energjisë elektrike në vetëm 7.4 cent të euros për një kilovat orë.
Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë,
Gjatë kësaj qeverisjeje e cila nuk i ka ende katër vjet, po pa çka ne po raportojmë për katërvjeçarin, ne kemi arritur në këto suksese dhe rezultate duke iu falënderuar para së gjithash popullit të Kosovës dhe institucioneve të shtetit dhe partnerëve, miqve e aleatëve tonë ndërkombëtarë evropianë, amerikanë, britanikë, por edhe anë e mbanë globit, prej Japonisë deri te Kanadaja, për çfarë të gjithëve atyre u jemi përjetësisht falënderues edhe mirënjohës.
Gjithashtu, e falënderoj edhe Kuvendin e Republikës që ka rekord të ligjeve të miratuara në këtë mandat. Nëse nuk janë gabim, 307 ligje kanë kaluar në lexim të dytë në Kuvendin e Republikës, që është rekord për shtetin tonë për çfarë ju falënderoj nga zemra.
Faleminderit edhe një herë për durimin dhe kontributin!
Replika e kryeministrit Kurti:
Të nderuar deputetë,
Kryesorja e këtyre katër viteve të qeverisjes është rritja ekonomike, e cila është 6.36 për qind e Bruto Produktiv Vendor, mesatarisht në këto tri vite. Asnjëherë pa rënë nën katër për qind, natyrisht rritje reale pasi që të hiqet inflacioni. E para kjo. E dyta, në kuadër të kësaj rritjeje ekonomike kemi edhe dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte. E treta, kemi rritje shumë të lartë të të hyrave në buxhetin e Kosovës nga tatimet. Konkretisht, në këtë vit janë mbi 3 miliardë të hyra tatimore. Në vitin 2019 kanë qenë më pak se 1.9 miliardë. Në vitin 2020 që ishte vit i tkurrjes, ishin rreth 1.7 miliardë, ndërkaq në vitin 2021 kur erdhëm në qeverisje ishin afër 2.2 miliardë. Çka i bie kjo? Që sivjet, kemi të hyra tatimore 60 për qind më shumë se në vitin 2019, 76 për qind më shumë se në vitin 2020 dhe 39 për qind më shumë sesa në vitin e parë të qeverisjes sonë.
Më tej, kemi dyfishim të numrit të të rinjve të punësuar edhe mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave. Paga minimale është 350 euro dhe kemi 18 mijë vende të reja të punës ose formalizim të vendeve ekzistuese të punës, krahasuar me pranverën e vitit 2021. Ndërkohë ka rënë borxhi publik, vetëm në 17 për qind të Bruto Produktit Vendor, është borxhi më i ulët publik i ndonjë shteti në Evropë. Shpenzimet kapitale të vitit 2023 kanë qenë më të lartat në histori të Kosovës. 561 milionë euro. Jo vetëm kaq, sivjet për treçerekët e parë të vitit, kemi 23 për qind më shumë shpenzime kapitale në krahasim me vitin e kaluar, pra me vetveten tonë.
E tash unë po i them edhe disa prej gjërave për të cilat u kritikuam sot këtu. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë edhe gjyqësinë. Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit me 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Po prokuroria nuk është reformuar. Ne vitin e ardhshëm i bëjmë katër vjet në qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye dhe më tutje me ndikim e me funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Hasanajt e shndërroi në vetëvrasje dhe vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërroi në vrasje. Ky është problem të nderuar deputetë. Ekzekutivi është njëra prej shtyllave të pushtetit. Shtylla tjetër është legjislativi, pra ju, dhe kemi një shtyllë të tretë që është tejet e rëndësishme e është drejtësia. E aty kemi ngecur ne. Edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe në krye të Prokurorisë së Shtetit janë njerëzit e njëjtë. Se ata nuk po dalin në zgjedhje në popull, se do ta kishin marrë vesh mandej se çka mendon populli për ta. Prandaj edhe ka këtë ngecje. Prandaj edhe ne kemi propozuar e jemi angazhuar e kemi miratuar fillimin e vettingut por sërish edhe këto iniciativa për reformimin e sistemit të drejtësisë po përfundojnë në sistemin e drejtësisë i cili nuk po don të reformohet.
Më tej, edhe Fondi Sovran i Republikës së Kosovës, natyrisht që do ishte bërë deri tash po të varej prej neve. Me 26 dhjetor i bën një vjet i ngujuar në Gjykatën Kushtetuese. Pra për pak më shumë se tre javë bëhet një vit që Fondin Sovran që është miratuar në Kuvend të Republikës për çka ju falënderoj, është i ngujuar në Gjykatën Kushtetuese. E ne nuk mund ta fillojmë Bankën Zhvillimore pa Fondin Sovran, sepse këto janë dy hapa të njëpasnjëshëm të shtetit zhvillimor.
Pikërisht pse ka shumë më tepër sovranitet, integritet territorial, ligjshmëri, kushtetutshmëri në veri, ka aksione terroriste tash. Dikur kur strukturat paralele të Serbisë e kanë kontrolluar veriun, ata nuk kanë pasur nevojë për sulme terroriste. Tash që nuk e kanë më ata kryejnë aksione terroriste. Dikur i kanë pasur katër ndërtesat kryesore në katër komuna të stacioneve të policisë. Prej 5 nëntorit të vitit 2022 kur bënë dorëheqje kolektive nuk i kanë më ato ndërtesat, prandaj tash e gjuajnë granatën e dorës me 26 nëntor sivjet në stacionin e policisë në Zveçan. A e kuptoni, pra po e hedhin granatën e dorës në stacionin e policisë në Zveçan sepse ajo është Policia e Republikës së Kosovës. Kur ka qenë komandanti serb i policisë që merrte rrugën edhe në Prishtinë edhe prej Beogradit, pse me e gjuajt granatën e dorës. Ai granatën e dorës po e gjuan tash sepse nuk është më aty. Pikërisht pse e kanë humb veriun po i bëjnë këto sulme terroriste. Terrorizmi është pafuqi, nuk është fuqi, është tmerr, është frikë, është krim, është vrasje, është dëmtim, por është pafuqi në thelb. Më herët se kanë pas këtë pafuqi.
Gjithçka ka filluar me datën 5 nëntor 2022 kur kolektivisht dhanë dorëheqje katër kryetarë të komunave në veri, deputetët që ishin këtu të Listës Serbe, prokurorët dhe gjykatësit në veri. Shtrohet pyetja pse dhanë dorëheqje edhe ikën edhe prej këtu edhe prej atje? Sepse nuk ishin këtu! Kur ishin këtu, nuk jepnin dorëheqje. Meqenëse nuk ishin këtu dhanë dorëheqje dhe atje. E tash me datën 5 nëntor të vitit 2022, katër orë kanë qenë vendimtare në pasdite kur policia jonë e ka plotësuar vakumin e krijuar me rastin e dorëheqjes së 547 policëve serb atje. Ata kanë besuar që do të implodojë sistemi, do të fillojë kaosi dhe anarkia, edhe nuk ka kush të qeverisë edhe a ju kujtohet çfarë thoshin para 2 vjetëve? Do të bëhet Republika e KFOR-it. Pse Republika e KFOR-it t’u qenë Republika e Kosovës. Ky ka qenë plani i Serbisë. Që UNMIK-u dhe KFOR-i ta marrin veriun. Po atje është policia jonë. Do mund të ishte edhe ushtria po dihet se si jemi të hendikepuar për këtë gjë.
Pra, pse ka sulme terroriste në veri? Ka sulme terroriste sepse është mbyllur Banka Popullore e Serbisë dega në Kosovë dhe Drejtoria e Thesarit në Leposaviq. Ka krime terroriste e sulme të ndryshme e sabotazhe se nuk më as targa as letërnjoftim as patentë shofer ilegal të Serbisë. Mbi 10 mijë qytetarë tyre ose i kanë invalidu patentë shoferët ose i kanë marrë targat e RKS-së ose të dyja!
Tjetra, në katër komunat në veri janë hapur zyrat Kadastrale Komunale, zyrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, zyrat Pensionale në zyrat e Punësimit, zyrat e Inspektoratit të Punës, pikat e Postës së Kosovës dhe në dy pikat kufitare në Jarinje edhe në Bërnjak. Kanë filluar të paguhet energjia elektrike, ofrimi i mundësisë së arkëtimit të faturave në institucionet financiare jobankare dhe në banka e në Postën e Kosovës dhe gjithashtu i kemi shtuar 15 stacione të reja bazë të transmetimit BTS të Valës edhe modernizimi i tyre për teknologjinë 4+ edhe 5G. Është shtrirë infrastruktura dhe shërbimet përcjellëse të regjistrimit civil në këto katër komuna, për 10 muaj janë regjistruar 260 biznese. 28 shtëpia janë ndërtuar edhe mbi 200 janë në proces dhe 63,3 kilometra rrugë janë të asfaltuara edhe 120 tjera në process. Mbi 30 qytetarë janë kthyer në banesat e tyre të uzurpuara prej vitesh edhe janë konfiskuar asetet e sulmit në Banjskë e të kryekriminelit Millan Radoiçiq. Janë zbuluar 41 raste të kriptovalutave se e kanë pasur energjinë elektrike pa para. Të tjerat: është krijuar njësiti i ri i ndërhyrjes së shpejtë të kufirit dhe në kuadër të departamentit të kufirit, është pajisur policia e rendit me armë të gjata edhe është krijuar njësia e barkave në kuadër të departamentit të kufirit sepse siç e tha ministri Liburn Aliu, Liqenin e Radoniqit, Batllavës dhe Badovcit me i mbledh bashkë bëjnë veç sa 1/3-ta e Ujmanit apo Gazivodës siç e quajnë në Serbi. Domethënë është jetik ai ujë dhe kjo është arsyeja pse tash ka aksione terroriste, sepse nuk ka kontroll.
Ne duhet të jemi vigjilentë, të parashikojmë sa të mundemi por nuk është bash kollaj me ia tejkalua me imagjinatë terroristit çdo herë e çdokund. Edhe ky kanali i Ibër-Lepencit, nuk kemi infrastrukturë më të rëndësishme por është mbi 50 kilometra. Me pas qenë, 50 metra, apo 5 kilometra apo 500 metra po, por mbi 50 kilometra. Më në fund tash e kemi edhe FSK-në, prej Obiliqit deri në veri e më pastaj është policia jonë bashkë me KFOR-in që ta ruaj këtë kanalin i cili është jetik për neve. Nuk ka as tunel, as urë, as antenë të rëndësishme, se lëre më rrugë, sikurse kanali Ibër-Lepenc. Dhe tash ne po kërkojmë edhe ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë për shkak se këto janë situata të reja ku nuk ka pas shteti jonë përvojë më herët, pa fajin e tij. Faji është natyrisht i Serbisë dhe Rusisë.
Tjetra që besoj duhet të theksohet është që në këtë raportim ku kam ardhur unë sot, po qëndroj sa më gjatë që është e mundur, mirëpo më lejoni që kritikave tuaja t’ua bëj një kundër kritikë. Tash që po flas asnjë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk është në sallë. Zero. Tash që po flas, janë veç katër deputetë të Partisë Demokratike të Kosovë (PDK). Tash që po flas, janë veç tre deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Pra e gjithë opozita të nderuar deputetë sonte kur po raporton kryeministri, jo me vullnetin e tij po me obligimin ndaj opozitës, janë veç shtatë deputetë. Dhe a dini çfarë? Asnjëri prej tre kryetarëve të partive politike opozitare nuk ka qenë sot dhe jo vetëm sot por edhe kur e kemi diskutuar buxhetin në lexim të parë. Si kryeministër unë e kam prezantuar buxhetin për vitin 2025, nuk ka qenë asnjëri prej tyre, më 21 nëntor sivjet.
Si bëhet që mund të thonë tre kryetarët e partive politike opozitare, që janë të interesuar për të ardhmen, dalin në fushatë, vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e vitit 2025, e kur vjen puna qoftë për buxhetin 2025, qoftë për raportimin katër vjeçar në parlament, nuk është asnjëri këtu. Por na e kemi një dallim themelor. Unë me kolegët e mi, se unë jam edhe kryetar partie, me kolegët e mi që janë kryetarët e partive tjera politike, kam një dallim themelor: ata më shumë i preferojnë studiot televizive të oligarkëve, ndërsa unë shtëpinë e popullit, Kuvendin. Ky është dallimi.
Dhe krejt në fund, unë e di që ju i keni pritjet shumë të mëdha ndaj neve. Edhe ju falënderoj për këtë gjë. Për besë, pritjet e opozitës, nëse dëgjoni me vëmendje sot, kanë qenë më të mëdha sesa të mazhorancës. Madje shpesh herë janë më të mëdha se tonat vetë. Ne dëshirojmë shumë e ma shumë, lart e më lart, po nganjëherë aq shpejt, si po doni ju, shumë lart atje, nuk po mundemi të mbërrijmë. Prandaj, do të na nevojitet edhe një mandat.
Faleminderit shumë.
Last modified: 3 Dhjetor, 2024