Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 230-të të Qeverisë

13 Nëntor, 2024

 Prishtinë, 13 nëntor 2024

 Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kryeministrisë, punonjës të medie, të dashur qytetarë,

 Në shkurt të vitit 2022, kemi miratuar në Qeveri koncept-dokumentin për Fondin Sovran, që qëmton modelet më të suksesshme në botë dhe propozon rrugën e veçantë që duhet të ndjekë Fondi Sovran i Republikës së Kosovës. Kanë kaluar një vit e gjysmë që e kemi miratuar në Qeveri projektligjin që i hap rrugë themelimit të Fondit. Në dhjetor 2023, në Kuvendin e Republikës e kemi miratuar Ligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës. Kurse muajin tjetër, bëhen një vit prej kur ligji është në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë që po kalon, është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme,  meqenëse po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike të shoqëruar me progresin më të lartë demokratik.

 Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve e pasurimin e strukturës së investimeve. Urojmë që paralajmërimet opozitare, që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për Fondin Sovran të Kosovës, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Pra, urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste, siç ndodhi me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me Ligjin për çmimin tavan për produktet bazë, ndër të tjera.

 E për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që kemi themeluar, ne mund ta marrim si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky institut u themelua nga nevoja për të ruajtur dhe për të dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisnim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 tera bajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuar: qytetarëve, organizatave, institucioneve, komunave, ministrive, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Falënderoj secilën e secilin prej jush për dëshmitë që keni ndarë dhe për kujtimet që keni ruajtur. Ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni Institutin drejt realizimit të këtij misioni të drejtë e fisnik të tij. E dimë se ky proces nuk është i lehtë, por është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë. Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të mbrojtur kujtesën tonë kolektive.

 Andaj, në raste si kjo, veçanërisht kujtojmë të gjithë ata, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Është detyra jonë morale dhe institucionale të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Është nderim e drejtësi ndaj atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrarëve dhe të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

 E sa i përket mbledhjes së sotme, të 230-ës me radhë të qeverisë sonë, me të do të fillojë një etapë e re për industrinë e kinematografisë në Kosovë, meqë në rend të ditës e kemi Rregulloren e re për Drejtat në Rabat. Kjo rregullore do ta bëjë vendin tonë destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon. Përmes saj, kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra. Për këtë do të flasë më gjerësisht, ministri ynë i Kulturës, Rinës dhe Sportit, Hajrulla Çeku në konferencën e rregullt që pason këtë mbledhje.

 E në rend të ditës gjithashtu e kemi edhe Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030. Me reformën që po bëjmë në sektorin e shëndetësisë, po sigurojmë qasjen e plotë për të gjithë qytetarët në shërbime shëndetësore cilësore e të sigurta, pa vështirësi financiare. Në lidhje me këtë, ministri ynë i Shëndetësisë, Arben Vitia gjithashtu do të jetë në konferencën për media pas përfundimit të kësaj mbledhje. E unë gjatë ditës, me kënaqësi do të marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të Urgjencës në Komunën e Podujevës, që është rezultat i një pune të përbashkët dhe bashkëfinancimit të komunës dhe Fondacionit Katar, me të cilin u takova para se të vijë në këtë mbledhje.

 Lufta jonë kundër krimit të organizuar, të nderuar kolegë, dhe kundër korrupsionit po fuqizohet me një ligj modern, që përcjellë standardet e Bashkimit Evropian kundër shpëlarjes së parave. Andaj, në rend të ditës sot, po ashtu e kemi aprovimin e Projektligjit kundër Shpëlarjes së Parave. Republika jonë kësisoj e përmbushë kushtin e fundit për aplikim për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane apo SEPA (Single Euro Payments Area). Anëtarësimi i Kosovës në SEPA sjell përfitime të shumta për ekonominë tonë duke përfshirë lehtësimin e transferove ndërkombëtare e ndërbankare dhe uljen e kostove të atyre transaksioneve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Sipas një studimi të “German Economic Team”, anëtarësimi në SEPA qytetarëve tanë ua kursen rreth 55 milionë euro në vit, të cilat ishin shpenzime të mëhershme të transfereve ndërbankare e ndërkombëtare të parave.

Ju faleminderit.

Last modified: 13 Nëntor, 2024

Comments are closed.