Prishtinë, 11 shtator 2024
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Dje, bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi ishim në një vizitë në Komunën e Leposaviqit, fillimisht përkatësisht në fshatrat, Bistricë, Cerajë e Leshak, e më pas edhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Vizitat tona, të zyrtarëve shtetërorë, në këto komuna nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekadat pararendëse. Po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve.
Në fund të muaji të kaluar, pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komunat veriore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara, dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve, institucioneve qeverisëse që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. N ato objekte, do funksionalizohen Njësia e Patentë Shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qendra për Punë Sociale dhe Shërbime të Mirëqenies Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, pastaj shërbimi për regjistrimin e automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e shërbime tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Pra, Qeveria jonë nuk po mbyllë zyre. Përkundrazi, Qeveria jonë po hapë zyre. Nuk po zvogëlon apo kufizon shërbimet, përkundrazi po i shton ato. Nuk po i largon shërbimet publike prej qytetarëve, përkundrazi po i ofron tek ata. Kësisoj duhet të shihen veprimet tona në veri të vendit.
Se kush është për mbyllje dhe kufizim, e pamë edhe një herë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar, në prani të Policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës por në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Gjatë atyre ditëve, institucionet tona, policia dhe inteligjenca kanë punuar nga minuta në minutë që planet e qëllimet e këtyre grupeve të dështojnë siç edhe ndodhi.
Ka tepër shumë punë që bëhen, për të cilat nuk dihet fort në publik, e nuk ka aq diskutime në publik. Me këtë rast, dua të shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë zyrtarët policorë dhe agjentët tanë të cilët janë kujdesur e përkujdesen çdo herë që publiku e qytetarët të shohin dhe jetojnë dhe përjetojnë vetëm rezultatet pozitive, për kundruall planeve të këqijave që synohen por që nuk realizohen dhe nuk merren vesh asnjëherë.
Të nderuar kolegë,
Dje po ashtu shënuam edhe 12-vjetorin e përfundimit të mbikëqyrjes katër vjeçare të pavarësisë sonë, me ç‘rast Republikës së Kosovës iu besua plotësisht qeverisja demokratike dhe e pavarur në shërbim të të gjithë qytetarëve. Ne i jemi mirënjohës mbështetjes së miqve dhe aleatëve tanë, atyre 25 shteteve në kuadër të Grupit Ndërkombëtar Mbikëqyrës dhe jemi krenarë për kuadrin e fortë institucional që gëzon vendi ynë si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta. Jemi krah për krah me ta edhe sot në vlera e orientime, në parime e bindje. Republika e Kosovës është histori e dëshmuar e suksesit, është triumf i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe ligjshmërisë.
E para se të fillojmë me rendin e ditës, dua të veçoj dy nga vendimet që do t’i marrim sot: projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës.
Për çështjen e parë, kemi votuar edhe një herë, në dhjetor të vitit 2021. Pas kontestimit të Ligjit nga partitë opozitare në Gjykatën Kushtetuese dhe pritjes së gjatë prej 17 muajsh për trajtim nga ky institucion, Ministria e Drejtësisë e ka sjellë para neve projektligjin e ri me vërejtjet e adresuara të Gjykatës, për të dëshmuar edhe një herë seriozitetin dhe qëndrueshmërinë tonë për këtë nismë ligjore.
Kurse çështjen e dytë, do ta kemi për herë të parë para nesh; është Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse apo i Mbrojtjes Totale siç thuhet ndryshe i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes që është i bazuar në sisteme të ngjashme të cilat aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s. Përmes tij synojmë të ndërtojmë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistoj, të reagoj dhe të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore apo sulmeve të armatosura. Ky sistem ka në thelb mbështetjen që qytetarët e japin në baza vullnetare për Forcën e Sigurisë së Kosovës të kombinuar me strukturat e tjera shtetërore. Për të dy këto vendime, do të flasin më gjerësisht në konferencën për medie pas kësaj mbledhje të 220-të të Qeverisë sonë, ministrja Haxhiu dhe ministri Maqedonci.
Të nderuar kolegë, le ta ritheksoj që drejtësia e pavarësisë sonë e ka për argument edhe përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare 4 vjeçare para 12 vjetësh, kurse dobishmëria e pavarësisë sonë e ka për argument progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe paqen e qëndrueshme dhe sigurinë e shtuar për të gjithë.
E kjo duhet theksuar pikërisht sot kur shënojmë 23-vjetorin e sulmeve terroriste mizore ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç‘rast humbën jetën 2977 qytetarë amerikanë, në mesin e të cilëve edhe 343 zjarrfikës dhe 60 policë të cilët heroikisht u përpoqën të shpëtojnë jetë. Në këtë ditë 23 vjet më vonë Qeveria e Republikës së Kosovës, populli i Kosovës, qëndron solidar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, familjet e viktimave dhe i bashkëngjitet qeverive demokratike anë e mbanë botës që bashkëpunojnë kundër terrorizmit.
Nderimi dhe kujtimi për ta është i përjetshëm.
Last modified: 11 Shtator, 2024