Prishtinë, 28 gusht 2024
E nderuar zëvendëskryeministre, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Vetëm këtë javë, kemi patur finalizime të punëve tejet të rëndësishme të qeverisë sonë. U hap thirrja e dytë për efiçencën e energjisë në shtëpitë individuale: aplikoni përmes platformës e-kosova dhe përfitoni nga kjo mundësi. Po e financojmë për herë të dytë pas sezonës së dimrit të kaluar, me përkrahje financiare edhe nga Bashkimi Evropian.
E pas Klinikës së Urologjisë dhe Kardiokirurgjisë muajin e kaluar, dje përuruam dhe renovimet e radhës në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me vlerë rreth 800 mijë euro. Transformimi në shëndetësi po bëhet siç duhet të jetë: rrënjësor dhe i qëndrueshëm.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritjeje prej 13 vjetësh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës.
Këtë javë u shpërndanë dhe shtesat për fëmijë sipas skemës së re. Familjet të cilët kanë një apo dy fëmijë deri në moshën 16 vjeç marrin nga 20 euro për secilin, kurse familjet që kanë 3 e më shumë fëmijë deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 30 euro për secilin.
Teksa na ndajnë pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, vazhdon edhe subvencionimi për tekste dhe materiale shkollore. Deri më tani kanë aplikuar gjithsej 194.180 prindër ose kujdestarë ligjorë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore, ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 171.200 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve vijon.
Gjithçka është gati për fillimin e mbarë dhe me kohë të vitit shkollor, për çka iu uroj suksese të gjithë vogëlushëve, nxënësve dhe studentëve.
Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar, në harkun kohor të pak ditëve, mysafirë i kemi patur në kryeministri shefin e Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe Admiralin Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik. Nesër për vizitë vjen z.Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s. Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian.
Para katër ditësh u mbushën plot 11 muaj nga agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë, kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj, Milan Radojçiq. Edhe gjatë qëndrimit në ShBA, në takimet bilaterale me senatorë e kongresistë amerikanë, në margjina të Konventës së Demokratëve, kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike, për vënie para drejtësisë, kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës përgjegjës.
Duke u kthyer te rendi i ditës i mbledhjes së sotme të Qeverisë, e cila është e 218-ta me radhë, do të marrim vendime të tjera të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e qytetarëve tanë pa dallim. Ndër to është edhe propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për sigurime shëndetësore.
Last modified: 28 Gusht, 2024