Prishtinë, 24 korrik 2024
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Të nderuara media,
Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi. Institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacione zyrtare. Së fundmi, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës jemi informuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22 korrik 2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF), ku pas krahasimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur më vëmendje çdo hollësi. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme janë angazhuar dhe kanë informuar.
Megjithëkëtë, sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri të vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkohë, i ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës, është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit.
Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë. E pikërisht këtë javë, 26 korrikun, për të tretin vit radhazi, e shënojmë si Ditë Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës. Datë kjo e cila përkon me rënien e një patrioti tjetër të ditëve tona, Heroit Enver Zymeri që u vra në krye të detyrës në Zubç të Zubin Potokut më 2011. Andaj edhe sot, si çdo ditë e çdo mot, e ripërsëris thirrjen tek organet përgjegjëse për zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut në Banjskë të Zveçanit, në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit dhe të integritetit të Republikës. Në Kosovë, nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij paramilitarë nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj. Por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook.
Të rënëve ju takon lavdia e përjetshme. Por mos të harrojmë, mbi të gjallët, e sidomos institucionet, peshon rëndë përgjegjësia për drejtësi e zhvillim, mirëqenie, rend dhe ligj.
Këtë javë, gjithashtu, 14 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Marrëveshja Bazike e Brukselit e 27 shkurtit të vitit 2023 është një moment i radhës përmes së cilit u arrit të materializohen karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare në të cilat bazohet Mendimi Këshillëdhënës i GjND-së, përfshirë fqinjësinë e mirë, barazinë e sovranëve, respektimin e pavarësisë së tjetrit, njohjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial, të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe parimet e tjera të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Fuqizimi i shtetit të Kosovës dhe shtetësisë së tij në arenën ndërkombëtare e dimë që nuk është një proces automatik, por kërkon kohë e mund, përkushtim e guxim.
Kohë, përkushtim dhe vullnet duhet edhe për politika të mira të brendshme të vendit për të mirën e qytetarëve. Nga muaji i ardhshëm mbi 400 mijë fëmijë do t’i marrin shtesat e tyre me rritje. Është dashur që fillimisht të ketë shtesa për të pasur pastaj rritje të tyre. E ne jemi të lumtur që na është dhënë mundësia përmes vullnetit të qytetarëve tanë që edhe t’i nisim edhe t’i rrisim shtesat për fëmijët që janë e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje, më lejoni që t’i uroj mirëseardhje mërgatës sonë të dashur, e cila tashmë ka filluar të vijë e t’i dinamizojë qytetet tona, dhe i ftoj që të marrin pjesë në organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kushtuar mërgatës, bashkatdhetarëve tanë, më 30 korrik, në Sheshin “Skënderbeu”, që nisë qysh në orën 10:00 e vazhdon deri në mbrëmje vonë, me muzikë, kënde argëtimi e kënde informimi. Ky organizim që po zhvillohet në 25-vjetorin e çlirimit të vendit është shenjë falënderimi për kontributin e çmuar të mërgatës në çdo etapë të shoqërisë dhe të shtetit tonë.
Ju faleminderit!
Last modified: 24 Korrik, 2024