Prishtinë, 13 qershor 2024
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Urime një çerekshekulli liri edhe nga kjo sallë. Nuk është tepërt që t’ia urojmë edhe një herë njëri-tjetrit 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë.
Asnjëherë nuk është mjaftueshëm të shprehim mirënjohjen dhe nderimet tona për të gjithë ata e ato që sakrifikuan për liri. Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për çlirim.
U jemi përjetësisht falënderues edhe miqve e aleatëve tonë ndërkombëtarë. Në mbledhje po vij nga takimi me mikun e madh të Kosovës e të vërtetës, diplomatin amerikan William Walker. Ky njeri i jashtëzakonshëm, ishte ai që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë të cilat po ndodhnin në vendin tonë. Me guxim dhe integritet, ambasadori Walker dhe Misioni Verifikues i OSBE dokumentuan dhe dëshmuan krimet e rënda që po kryheshin nga Serbia ndaj popullit tonë.
Raportet nga terreni shërbyen si një thirrje për ndërgjegjen ndërkombëtare dhe nxitën reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Ai angazhim dhe ato dëshmi ishin katalizatorët që çuan në ndërhyrjen e NATO-s. Puna dhe përkushtimi i ambasadorit Walker me ekipet e tij ishin thelbësore për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare që na ndihmoi të arrijmë lirinë tonë. Andaj një falënderim i veçantë për të gjithë ato gra e burra, anëtarë të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, rreth 1400 sosh, mirënjohje për secilën e secilin që u angazhuan në këtë mision për afro gjashtë muaj, nga tetori i vitit 1998-të deri në marsin e vitit 1999-të.
Kjo javë, e veçanërisht dita e djeshme, ka qenë pika kulmore e organizimeve të cilat i kemi bërë në kuadër të Agjendës Shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit. Ajo vazhdon edhe ditëve në vijim të këtij muaji. Më 15 qershor bëhet përurimi i Shtegut të Lirisë “Pashtriku” në Has. Më 19 qershor promovohet libri “Shqiptarët dhe serbët – e vërteta kundër të pavërtetës” i profesorit të ndjerë, dizajnerit grafik, Shyqri Nimani në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ndërkaq, me 21 qershor, mbahet ekspozita dhe koncerti për Ditën Botërore të Muzikës “Tinguj në imazhe”, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës.
Duke qenë mirë i vetëdijshëm për përmasat e planifikimit, bashkërendimit dhe organizimit institucional për shënimin e këtij përvjetori jubilar, dua të falënderoj të gjitha zyrtarët shtetërorë dhe institucionet shtetërore për angazhimin dhe punën, si dhe për pritjen e mirëpritjen, e kujdesin për mysafirët e ftuar të cilët na e pasuruan festën.
Një nga ta, ish- kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Blair, në Kuvendin e Republikës sonë, tha, liria në vetvete nuk mjafton. Kremtës për liri, duhet të gjithë, gjithmonë t’ia bashkëngjesim zhvillimin, mirëqenien, disiplinën, shërbimin, vëmendjen e përqendruar për drejtësi dhe zellin tonë të pandalshëm për këto dhe jo vetëm.
Ekonomia e vendit tonë apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000. Nuk po e krahasojmë me vitin 1999-të, kur ishte vit i kthimit të refugjatëve pas luftës, por po e krahasojmë me vitin 2000. Pas më pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë. Ndërkaq, krahasuar me vitin kur është shpallë pavarësia 2008, sivjet do ta kemi Bruto Produktin Vendor gati tri herë më të madh se sa në atë vit, kurse krahasuar me katër vjet më herët e kemi sivjet 50% më të lartë Bruto Produktin Vendor. Qytetarët gjithashtu janë më të lirë dhe shteti është më i pavarur e më i zhvilluar se kurdoherë më parë. Demokracia është përherë e më e shëndoshë, e qeverisja po bëhet përherë e më e mirë. Pra çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare e ndër gjenerata, shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fort, edhe në aspektin e rritjes ekonomike edhe në aspektin e demokracisë qytetare.
E puna jonë vazhdon, duhet të vazhdojë. Në rend të ditës së mbledhjes së sotme, mes vendimeve të rëndësishme e kemi një më të veçantë, e të rëndësishme. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës do të ketë Strategji për Drejtësi Tranzicionale. Populli i Kosovës ka kaluar nëpër sfida të mëdha, ka përjetuar dhimbje e vuajtje të pamatshme. Ky dokument strategjik është edhe një hap përpara në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë.
Miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi i parë. Zbatimi i saj kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje nga të gjithë ne. Përkushtimi i shfaqur në hartimin e kësaj strategjie, jam i bindur që do të vazhdojë edhe në zbatimin e saj. Andaj shpreh mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e të gjithëve në procesin e hartimit dhe të konsultimeve: institucionet e Republikës, organizatat e shoqërisë civile, akademinë, studiues e aktivistë të të drejtave të njeriut, punonjësit e arsimit, intelektualët, gazetarët, bashkësitë fetare në Kosovë, profesionistët juridikë, të sektorit të sigurisë, punëtorët socialë, e mbi të gjitha viktimat, të mbijetuarit e krimeve të kryera gjatë të luftës dhe familja e secilës e secilit prej tyre.
Ju faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë ne.
Last modified: 14 Qershor, 2024