Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 113-të të Qeverisë

16 Dhjetor, 2022


Prishtinë, 16 dhjetor 2022

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,

Mirë se takohemi në këtë mbledhje të radhës në një orar pak të pazakontë, mirëpo kjo javë nuk është aspak e zakontë. Në fakt, është e jashtëzakonshme. Është javë, në të cilën patëm ditën historike të 15 dhjetorit, kur zyrtarisht dorëzuam aplikimin tonë në Presidencën Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Orientimit evropian i dhamë cak. Perspektivës evropiane, i dhamë përgjigje. Marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, i dhamë kapitull të ri.

Kurse vetëm një ditë më herët, Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, më së largu me 1 janar 2024.

E kuptojmë që rruga jonë integruese do të bazohet në meritat tona. Por integrimi do të thotë edhe njohje. Do të thotë edhe pranim dhe do të thotë edhe ndërvarësi. Krahas meritës sonë, njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që ende nuk na kanë njohur, sigurisht do të lehtësonte përshpejtimin e procesit së anëtarësimit. Pra, njohje që mundësojnë anëtarësim dhe integrim ndërkombëtar. Njohje e pavarësisë jo si shprehje e vetëmjaftueshmërisë sonë, por për më shumë ndërvarësi të të gjithëve ndërmjet e brenda aleancave të vlerave, besimeve dhe interesave të përbashkëta.

Ndërkaq, mbrëmë Kuvendi i Republikës sonë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm me vlerë prej 3.2 miliardë euro. Për herën e dytë radhazi, buxheti për vitin tjetër po e miratojmë para fundit të vitit. Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës, secilën, secilin prej tyre, për mbështetjet, që përmes votës i dhanë buxhetit, që do të jetë buxhet për të gjithë. Do të jetë buxhet me më shumë për të gjithë. Më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën. Më shumë për edukimin, barazinë, mirëqenien, sigurinë, prodhimin e zhvillimin ekonomik e shoqëror. Më shumë për të gjithë qytetarët dhe për Republikën tonë.

Sot para nesh kemi një nga dokumentet më të rëndësishme për shqyrtim në këtë viti, Strategjinë e Energjisë 2022-2031. Sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji elektrike me kosto të përballueshme dhe të pastër, është thelbësor për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të saj.
Kjo Strategji parasheh zhvillime të shpejta e bindëse të sektorit të energjisë, siç parashihet në vizionin e Qeverisë për energji dhe në përputhje me qëllimin tonë e të Bashkimit Evropian. Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët.

Strategjia parashikon një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjitë e erës dhe fotovoltaike. Deri në fund të vitit 2031 parashihet të kemi 1600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Ndërkohë, investimet në kapacitetet bazë me thëngjill janë të domosdoshme për të rritur sigurinë e furnizimit në afat të shkurtër.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për integrimin e tregut dhe planifikimin e përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë. Bursa e përbashkët me Shqipërinë do të funksionalizohet në vitin që po hyjmë, ndërsa bashkëinvestimi në termocentrale me gaz natyror në Shqipëri tanimë është duke u shqyrtuar. Integrimi i sistemit elektroenergjetik të Kosovës në atë pan-evropian të energjisë elektrike, planifikohet më së largu në vitin 2030.

Në fund, por mbase më e rëndësishmja, Strategjia e Energjisë, për herë të parë i vendos qytetarët në qendër duke u siguruar që ata të kenë qasje në energji me kosto të përballueshme, duke u fuqizuar për të marrë pjesë në këtë sektor në mënyrë aktive dhe duke u siguruar që grupet më të cenueshme të shoqërisë përfitojnë nga skemat e dedikuara për ta, për shembull masa të efiçiencës në shtëpi e ndërtesa, vendosje të paneleve solare, blerje të pajisjeve shtëpiake efiçiente, sisteme efiçiente për ngrohje, e të tjera.

Sektori i energjisë ka potencialin të ndryshojë tërësisht drejtimin e vendit për sa i përket zhvillimit socio-ekonomik. E, qëllimi kryesor i yni është që kjo strategji t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit tonë dhe rritjen e mundësive të bizneseve tona dhe punësimit të të rinjve tanë. Andaj, shqyrtimi i kësaj Strategjie është i një rëndësie të veçantë.

Ju falemnderit.

 

Last modified: 16 Dhjetor, 2022

Comments are closed.