Prishtinë, 8 prill 2025
Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit rom, Kryetarin e PREBK, Albert Kinolli dhe përfaqësues nga komuniteti rom.
Ai i uroi në shënimin e kësaj dite të veçantë, duke shprehur se Dita Ndërkombëtare e Romëve është kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome. Theksoi angazhimin e qeverisë për përfshirjen e komuniteteve pakicë në përmbushjen e nismave që kanë për qëllim një zhvillim më të hovshëm të shtetit për të gjitha komunitetet. Tutje, zëvendëskryeministri theksoi se zhvillimi i shtetit nuk duhet të bëhet në kurriz të minoriteteve por së bashku me ta, dhe ky është qëndrimi i kësaj qeverie.
Z. Kinolli shprehu falënderime të përzemërta për këtë qasje të qeverisë dhe bashkëpunimin e mirë këto vite, duke qenë optimist se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të mbetet i fortë. Ai theksoi se edhe komuniteti i tyre dhe ai vetë si përfaqësues i këtij komuniteti janë të interesuar të kontribojnë në zhvillimin e Kosovës, duke e parë atë si shtëpinë e tyre dhe brezave të tyre të ardhshëm.
Last modified: 10 Prill, 2025