Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe mori pjesë në manifestimin përkujtimor të betejës së Rakocit

9 Prill, 2025

Kaçanik, 9 prill 2025

Në 26-vjetorin e betejës së Rakocit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në manifestimin përkujtimor të organizuar në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në këtë betejë të lavdishme në mbrojtje të banorëve civilë.

“Nga viti i kaluar kur isha për homazhe këtu te ju në Kaçanik, më ka ngelur në mendje fakti që mes civilëve të vrarë më prill 1999, ishte edhe Nebih Livoreka, një burrë i lindur më 10 maj 1894, që kur u vra ishte veçse një muaj pa u bërë 105 vjeç. Pra ky njeri, Nebih Livoreka, që edhe Luftën e Parë Ballkanike, edhe Luftën e Parë Botërore, e Luftën e Dytë Botërore, i kishte përjetuar, e kishte shpëtuar e u kishte mbijetuar, të tre atyre luftërave që janë më të përgjakshme jo vetëm për Ballkanin, por për tërë botën, ishte vrarë nga forcat serbe këtu në Kaçanik, më 9 prill 1999”, tha kryeministri në fjalën e tij.

Për këtë rast, ai tha se shpërfaq më së qarti karakterin e regjimit serb dhe natyrë e luftës së kryer nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë: “Një shtet, forcat e armatosura policore dhe ushtarake të të cilit e vrasin një plak të moshuar 105 vjeçar, sikurse kanë vrarë edhe fëmijë disa muajsh e gra shtatzëna, është një shtet kriminal, me faje dhe përgjegjësi para drejtësisë dhe para historisë për gjenocid.”

Të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, gjatë luftës dhe para saj, deklaroi kryeministri, janë bërë me plan e me projekte, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë të spastruar etnikisht dhe për të realizuar një Serbi të Madhe. Andaj, përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ai tha se ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë.

“Me përgjegjësinë më të lartë, si institucionale ashtu edhe kombëtare, duhet të vazhdojmë me përkushtim trajtimin e krimeve të luftës, me drejtësi e para historisë. Të angazhohemi për paqe sot, për një jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit dhe për ata të cilët do ta trashëgojnë të ardhmen tonë. Teksa punojmë për t’u përballur me të kaluarën, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm institucionalë. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, është miratuar Strategjinë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale dhe ka filluar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i rifunksionalizuar dhe i ngritur edhe me kapacitete edhe me kuadro. Si shtet dhe si shoqëri, po ecim përpara drejt me vendosmëri, të bashkuar në përkushtimin tonë për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”, u shpreh ai.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! U kujtofshin përgjithmonë ndër breza.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashura nëna dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve e martirëve të kombit,
I nderuar Kryetar i  Komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar zëvendësministra, Jeton Raka dhe Arsim Ademi,
Të nderuar përfaqësues të komunës, drejtorë e asamblistë të Kuvendit Komunal,
Motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Mirë se ju gjeta kaçanikas qëndrestarë dhe të fortë në kohë luftërash dhe paqes. Tre muajt e stinës së pranverës, janë të mbushur me data të qarkuara në kalendarin e historisë moderne të Kosovës, nga përvjetorët e ngjarjeve nga koha e luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Sot më 9 prill, njësoj sikur edhe vitin e kaluar, erdha në Kaçanik mes jush, familjarë, bashkëluftëtarë e banorë të kësaj zone, për t’ju bashkuar në këtë ditë, mes kujtimesh për lavdinë dhe dhembjen e trashëguar nga lufta për lirinë e Kosovës.

Ne po vijmë këtu nga Lagjja e Re, ku bëmë homazhe, kurse pas kësaj, jemi bashkë për homazhe te varrezat e dëshmorëve, atje ku prehen të rënët për liri nga çdo anë e zonës së Kaçanikut.

Më 9 prill 1999, herët në mëngjes, njësite të tëra forcash të armatosura të Serbisë, hynë në Kaçanik, në një ditë të gjatë luftimesh dhe vrasjesh, ku ranë 32 civilë dhe 28 dëshmorë të rënë, pra gjithsej 60 jetë të sakrifikuara. Në Lagje të Re dhe në Rakoc, në përballje me forcat serbe dhe duke i mbrojtur banorët civilë, u vranë gjatë luftimeve 28 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre edhe katër dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri.

Nga viti i kaluar kur isha për homazhe këtu te ju në Kaçanik, më ka ngelur në mendje fakti që mes civilëve të vrarë më prill 1999, ishte edhe Nebih Livoreka, një burrë i lindur më 10 maj 1894, që kur u vra ishte veçse një muaj pa u bërë 105 vjeç. Pra ky njeri, Nebih Livoreka, që edhe Luftën e Parë Ballkanike, edhe Luftën e Parë Botërore, e Luftën e Dytë Botërore, i kishte përjetuar, e kishte shpëtuar e u kishte mbijetuar, të tre atyre luftërave që është më të përgjakshme jo vetëm për Ballkanin por për tërë botën, ishte vrarë nga forcat serbe këtu në Kaçanik, më 9 prill 1999.

Ky rast ekstrem, e shpërfaq më së qarti karakterin e regjimit serb dhe natyrën e luftës së kryer nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë para 26 vitesh. Një shtet, forcat e armatosura policore dhe ushtarake të të cilit e vrasin një plak të moshuar 105 vjeçar, sikurse kanë vrarë edhe fëmijë disa muajsh e gra shtatzëna, është një shtet kriminal, me faje dhe përgjegjësi para drejtësisë dhe para historisë për gjenocid.

Aq më tepër që këto dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës e edhe para saj, janë bërë me plan e me projekte, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë ku shfarosen shqiptarët, ku ne spastrohemi etnikisht, e për ta realizuar një Serbi të Madhe.

Përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë.

Me përgjegjësinë më të lartë, si institucionale ashtu edhe kombëtare, duhet të vazhdojmë me përkushtim trajtimin e krimeve të luftës, me drejtësi e para historisë. Të angazhohemi për paqe sot, për një jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit dhe për ata të cilët do ta trashëgojnë të ardhmen tonë.

Teksa punojmë për t’u përballur me të kaluarën, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm institucionalë. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, është miratuar Strategjinë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale dhe ka filluar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i rifunksionalizuar dhe i ngritur edhe me kapacitete edhe me kuadro. Si shtet dhe si shoqëri, po ecim përpara drejt me vendosmëri, të bashkuar në përkushtimin tonë për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.

Serbia nuk është përballur plotësisht dhe as mjaftueshëm me të kaluarën e saj kriminale, për çka vazhdon t’i mbajë qëllimet e viteve ’90 edhe sot në dekadën e tretë të shek. XXI.

Por nëse dikur ishim gati të vetëm përballë saj, tani jemi shumë më të fuqishëm dhe me aleatë para saj dhe kujtdo që e rrezikon vendin dhe popullin tonë. Republika e Kosovës është triumfi i lirisë së arritur nga gjaku i derdhur dhe jetët e flijuara të mijëra njerëzve ndër breza. Andaj sot ne jetojmë në liri dhe gëzojmë shtetin tonë, bashkë me rrugët e përparimit, pikërisht falë sakrificës së të gjithë atyre që po i përkujtojmë tani.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! U kujtofshin përgjithmonë ndër breza.

Ju falemnderit.

Last modified: 9 Prill, 2025

Comments are closed.