Gjakovë, 2 prill 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot morën pjesë në përurimin e çerdhes “Ganimete Tërbeshi”, në Rezinë të Komunës së Gjakovës.
Çerdhja e re në lagjen Rezinë ka vlerë të investimit prej afro 759 mijë euro, është realizuar brenda 24 muajve dhe ka kapacitet për së paku 120 fëmijë.
“Kjo është çerdhja e katërt në Gjakovë, përveç atyre në Korenicë, Shishman edhe Bishtazhin, por do të ketë edhe një tjetër të adaptuar tek Stacioni i Autobusëve. Kjo çerdhe “Ganimete Tërbeshi” ka sipërfaqen e gjithmbarshme prej 1,552 metra katrorë, kapacitetin për së paku 120 fëmijë dhe përveç se ka kushtuar afro 759 mijë euro, pajisje për çerdhe janë afër 81,600 euro. Investimet totale në Gjakovë gjatë këtij mandati janë mbi 12 milionë euro, apo më saktësisht 12,226,000 euro.” tha kryeministri Kurti në prononcimin e tij.
Që nga fillimi i mandatit të Qeverisë, kryeministri njoftoi se shuma e investimeve për çerdhe ka arritur mbi 35 milionë euro, krahas shumës prej 5 milionë euro që po investohet nga fondet e IPA-s së Bashkimit Evropian, dhe përfshijnë punime në 25 komuna të vendit.
“Këto punime janë shtrirë tashmë në 25 komuna të vendit, dhe do të vazhdojnë në çdo komunë e cila ka nevojë. Deri më tani: 21 çerdhe janë të përfunduara, 11 të reja, 10 adaptime nga shkolla në çerdhe. në vlerë mbi 6 milionë euro; 39 çerdhe në proces të ndërtimit, 32 të reja dhe 7 adaptime në vlerë mbi 26 milionë euro; dhe 4 çerdhe janë në proces të tenderimit, 2 të reja e 2 adaptime në vlerë prej 2 milionë euro.”, deklaroi tutje kryeministri Kurti.
Ai kujtoi edhe një datë tjetër të veçantë: Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin. Me këtë rast, tha se pranimi i unikes është hap i parë i rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët dhe njerëzit me autizëm.
Në fund, derisa bëri thirrje që të gjitha komuna të aplikojnë dhe të interesohen sa më shumë në fushën e arsimit dhe edukimit të hershëm, kryeministri Kurti tregoi se përparësi iu është dhënë lokaliteteve ku nuk ka çerdhe publike dhe atyre ku ka vetëm një çerdhe. Kjo ngase, ky proces siguron mbështetje të shtuar për gratë, nënat në rritjen e fëmijëve, dhe në veçanti për nënat vetushqyese.
Po ashtu, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se meqenëse jemi në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vlen të theksohet se edhe kjo çerdhe, sikurse çdo objekt tjetër në të cilin kemi investuar, i plotëson të gjitha standardet për gjithpërfshirje, duke filluar që nga pjerrinat e qasjet e pakufizuara në hapësirat brenda çerdheve.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Sot jemi posaçërisht të gëzuar, për shkak se pas dy viteve po e përurojmë çerdhen “Ganimete Tërbeshi”, të cilën e kemi vënë gurthemelin, e kemi filluar para 24 muajve dhe punëkryesi ashtu siç ka premtuar edhe e ka realizuar këtë ndërtesë kaq të rëndësishme për fëmijët e Gjakovës, më konkretisht për lagjen Rezinë.
Kjo është çerdhja e katërt në Gjakovë, përveç atyre në Korenicë, Shishman edhe Bishtazhin, por do të ketë edhe një tjetër të adaptuar tek Stacioni i Autobusëve. Kjo çerdhe “Ganimete Tërbeshi” ka sipërfaqen e gjithmbarshme prej 1,552 metra katrorë, kapacitetin për së paku 120 fëmijë dhe përveç se ka kushtuar afro 759 mijë euro, pajisje për çerdhe janë afër 81,600 euro.
Investimet totale në Gjakovë gjatë këtij mandati janë mbi 12 milionë euro, apo më saktësisht 12,226,000 euro.
Ne dëshirojmë që ta rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë e shkollimit, edukimit në fëmijërinë e hershme. Prandaj, edhe prioritet numër një i strategjisë sonë të arsimit është pikërisht fëmijëria e hershme, arsimimi, edukimi aty, me këtë strategji katërvjeçare 2022-2026.
Por sot jemi edhe në një ditë tjetër të veçantë, meqënëse është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, 2 prilli pra, dhe ngjyra e kaltër, ngjyra e qiellit është ngjyra e autizmit. Pranimi i unikes është hapi i parë i rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët dhe njerëzit me autizëm.
Tash që nga fillimi i mandatit si Qeveri, shuma e investimeve për çerdhe ka arritur mbi 35 milionë euro, krahas shumës prej 5 milionë euro që po investohet nga fondet e IPA-s së Bashkimit Evropian.
Këto punime janë shtrirë tashmë në 25 komuna të vendit, dhe do të vazhdojnë në çdo komunë e cila ka nevojë. Deri më tani: 21 çerdhe janë të përfunduara, 11 të reja, 10 adaptime nga shkolla në çerdhe. në vlerë mbi 6 milionë euro; 39 çerdhe në proces të ndërtimit, 32 të reja dhe 7 adaptime në vlerë mbi 26 milionë euro; dhe 4 çerdhe janë në proces të tenderimit, 2 të reja e 2 adaptime në vlerë prej 2 milionë euro.
Falë kësaj pune të përbashkët kemi shënuar një rritje prej 33 për qind të numrit të regjistrimit të fëmijëve në çerdhet publike nëse e krahasojmë me vitin 2021 kur filluam qeverisjen me vitin 2024, e nëse e krahasojmë me vitin 2020 atëherë kemi 50% rritje.
Përparësi iu kemi dhënë lokaliteteve ku nuk ka çerdhe publike dhe atyre ku ka vetëm një çerdhe. Ky proces siguron mbështetje të shtuar për gratë, nënat në rritjen e fëmijëve, dhe në veçanti për nënat vetushqyese.
Unë e falënderoj ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nënkryetarin e komunës dhe drejtorin e Arsimit që e bëmë këtë përurim së bashku të çerdhes “Ganimete Tërbeshi” në Rezinë të Gjakovës.
Po ashtu, inkurajoj edhe komunat e tjera që sa më shumë të aplikojnë dhe të interesohen, sepse gatishmëria dhe vullneti dhe buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i padyshimtë sa i përket mbështetjes së arsimit në përgjithësi, e veçanërisht çerdheve për fëmijë, si një komponentë jetike për arsimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme.
Gëzuar e urime të gjithëve!
Last modified: 2 Prill, 2025