Prishtinë, 30 mars 2025
Në mëngjesin e festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.
Me këtë rast, kryeministri i uroi besimtarët për Fitër Bajramin, duke i dëshiruar agjëruesve agjërim të pranuar. Gjithashtu, shprehu mirënjohje për rolin e BIK-ut në ndihmën ndaj atyre në nevojë dhe forcimin e vlerës së solidaritetit dhe mëshirës.
“Urime e gëzuar Fitër Bajrami. Për hair Bajrami të gjithëve! Zoti kabull agjëruesve dhe një mirënjohje e veçantë për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmon të varfrit, ata të cilët e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme dhe kësisoj dëshmojmë solidaritetin, mëshirën për dinjitet e begati për të gjithë, pa dallim”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson dhe e çmon lartë rolin, kontributin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, me në krye Myftiun Naim Tërnava, në të gjitha etapat e zhvillimit, përparimit, të rezistencës, çlirimit dhe pavarësimit të vendit tonë.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri përkujtoi edhe 37 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vijnë nga radhët e imamëve, hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson dhe e çmon lartë rolin, kontributin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, me në krye Myftiun Naim Tërnava, në të gjitha etapat e zhvillimit e të përparimit, të rezistencës, çlirimit e të pavarësimit të vendit tonë.
Urime e gëzuar Fitër Bajrami! Për hair Bajrami të gjithëve! Zoti kabull agjëruesve dhe një mirënjohje e veçantë për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmon të varfrit, ata të cilët e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme dhe kësisoj dëshmojmë solidaritetin, mëshirën për dinjitet e begati për të gjithë, pa dallim.
Në këtë pranverë gjithashtu përkujtojmë me nderim të thellë edhe 37 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vijnë nga radhët e imamëve, hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gëzuar edhe një herë të gjithëve, e dëshiroj për juve dhe familjet e juaja, miqtë e juaj, sa më shumë dashuri, paqe e begati në sofrat e shtëpitë tuaja.
Last modified: 30 Mars, 2025