Prishtinë, 18 mars 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim profesorin Martin L. Camp, prodekan i Fakultetit Juridik të Universitetit “Southern Methodist” (SMU) në Dallas të Teksasit, i cili po qëndron në vendin tonë për të vendosur bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë.
Prof. Camp, i cili ligjëron në fushat e së drejtës biznesore ndërkombëtare dhe etikës së juristëve, foli për rolin e avokatit në zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë shoqërore në një vend demokratik. U shpreh i lumtur për memorandumin e bashkëpunimit që ka nënshkruar këtë javë me Universitetin e Prishtinës dhe për mundësinë për t’u ndërlidhur me institucione të tjera në Kosovë.
Kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e arsimit dhe juristëve të kualifikuar për zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe përfaqësimin e duhur të shtetit. Në veçanti u vendos theksi mbi rëndësinë e etikës së juristit dhe kontributit të të njëjtit ndaj sundimit të ligjit.
Kryeministri Kurti u shoqërua në takim nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili ka marrë gradën Juris Doctor nga SMU, dhe këshilltarja juridike e Kryeministrit, Tea Blakaj.
Last modified: 18 Mars, 2025