Prishtinë, 18 mars 2025
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore për Punë Sociale, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën me temën “Forcimi i Solidaritetit Ndërbrezor për Mirëqenie të Qëndrueshme”, e cila u mbajt në ambientet e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
I ndodhur në mesin e shumë studentëve, profesorëve, studiuesve, punëtorëve e partnerëve, kryeministri tha se puna sociale ka evoluar përgjatë periudhave në bazë edhe të nevojave njerëzore dhe të shoqërisë. Mirëpo, përkundër fazave zhvilluese, ajo ka ruajtur qëllimin e saj, punën, për një shoqëri gjithëpërfshirëse, si e tillë ajo gjithashtu kërkon të arrijë: mirëqenien e komuniteteve dhe individëve të cenueshëm dhe të margjinalizuar.
“Puna sociale është shumë më tepër se punë dhe më tepër se një fushë apo profesion i posaçëm. Është më tepër se aq sepse ngërthen brenda vetes një botë të larmishme të ideve dhe forcë të përkushtimit e të angazhimit të palëkundur, për të kontribuar për një ambient që na rrethon dhe shoqëri më të mirë. E në këtë kuptim është edhe art, edhe shkencë”, tha ai.
Në mes tjerash, kryeministri Kurti përmendi që gjatë mandatit qeverisës, kanë pasur në qendër edhe mbrojtjen sociale, duke siguruar shpërndarje financiare e kushte të barabarta për të gjitha komunitetet dhe kategoritë shoqërore pa dallim, nëpërmjet masave të ndryshme.
Më tej, kryeministri tregoi se ka filluar zbatimi i projektit për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale, i cili ka për qëllim targetimin më të mirë të familjeve, të cilat kanë nevojë për mbështetje nga shteti dhe mbështetjen e anëtarëve të familjeve të aftë për punë.
Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti potencoi se janë ndarë rreth 3.8 milionë euro mbështetje financiare për dy vitet e shkuara, 2023 dhe 2024, për kategoritë në nevojë sociale, si dhe janë liruar nga tarifat noteriale, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe janë licensuar 672 profesionistë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
“3 milionë euro ishte mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat joqeveritare të licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë atyre viteve 2023 dhe 2024”, shtoi ndër të tjera ai.
Në përmbyllje ai deklaroi se po punojnë për reformimin e thellë të Qendrave për Punë Social, sepse duam ta lidhim zhvillimin me drejtësi për ta bërë progres dhe me këtë reformë këto qendra hyjnë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë.
Kujtojmë se Dita Botërore për Punë Sociale ka filluar të shënohet nga Federata Ndërkombëtare e Punonjësve Socialë, e cila festohet përmes aktiviteteve të ndryshme në mbarë botën.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Përherë ndjej kënaqësi kur kthehem në hapësira të universitetit dhe posaçërisht kur ndodhem në mes të studentëve, e profesorëve, të punëtorëve, e të partnerëve, e të studiuesve siç është sot, e aq më tepër të një rëndësie të veçantë e madhore në funksionimin dhe progresin e shoqërisë mbarë dhe të komuniteteve në veçanti siç është kjo e punës sociale.
I nderuari Prof. Dr. Bekim Baliqi, Dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës,
I nderuari Prof. Ass. Avdyl Gashi, Shef i Departamentit për Punë Sociale,
E nderuara Profesoreshë, Njomza Llullaku,
Të nderuar përfaqësues nga Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe organizata Terre Des Hommes,
Të nderuar studentë,
Të dashur pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Çdo vit, e marta e muajit mars, e treta në radhë shënon Ditën Botërore të Punës Sociale. Gjersa këtë vit, në këtë konferencë, po shënohet më temën e “Forcimit të Solidaritetit Ndërbrezor për Mirëqenie të Qëndrueshme”, na bën të hulumtojmë e të mendojmë mbi natyrën dhe karakterin e punës sociale e cila ka evoluar përgjatë periudhave si në bazë të nevojave njerëzore dhe të shoqërisë, po ashtu edhe të avancimit të shkencës edhe të teknologjisë.
Përkundër fazave zhvilluese të saj, ajo e ka ruajtur të njëjtin qëllim: punën për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku fuqia e veprimit të komuniteteve të cilët janë të ndryshme dhe përbëjnë diversitetin social sjell zhvillim shoqëror, drejtësi shoqërore, paqe të qëndrueshme dhe promovim të llojllojshmërisë.
Puna sociale është shumë më tepër se punë dhe më tepër se një fushë apo profesion i posaçëm. Është më tepër se aq sepse ngërthen brenda vetes një botë të larmishme të ideve dhe forcë të përkushtimit e të angazhimit të palëkundur, për të kontribuar për një ambient që na rrethon dhe shoqëri më të mirë. E në këtë kuptim është edhe art, edhe shkencë. Shkencë sepse është disiplinë shkencore, ku provojmë t’i gjejmë rregullsitë për brenda dukurive dhe studiojmë e kuptojmë për të vënë në jetë idetë dhe teoritë e ndërveprimit njerëzor. Por është edhe art sepse është komunikim i vazhdueshëm, imagjinatë aktive e individëve të ndryshëm, ku shprehja kreative dhe mendimi kritik qëndrojnë si përbërës kyç.
Fisnikëria vjen nga ajo se çfarë synojmë: mirëqenien e komuniteteve dhe individëve të cenueshëm e të margjinalizuar. Duke punuar drejt këtij qëllimi, punonjësit socialë krijojnë programe dhe politika, avokojnë dhe u japin zë të gjithë atyre që kanë nevojë dhe të ndihmojnë individët të përballen me sfida të ndryshme në jetën e tyre.
Fuqizimi i individëve, komuniteteve dhe institucioneve është mision parësor edhe i yni si Qeveri e Republikës. Përgjatë katër viteve të mandatit tonë, politikat qeverisëse kanë patur në qendër edhe mbrojtjen sociale duke siguruar shpërndarje financiare e kushte të barabarta për të gjitha komunitetet dhe kategoritë shoqërore pa dallim nëpërmjet masave të ndryshme. Sepse pikërisht nëpërmjet shpërndarjes e rishpërndarjes së drejtë zhvillimi bëhet progres. Zhvillimi si i tillë pa drejtësinë brenda, nuk është progres. Kur zhvillimi, është zhvillim i drejtë bëhet progres. E për këtë kemi përdorur një sërë masash të ndryshme jo vetëm nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por sidomos nga ajo.
Mes tjerash, kemi filluar zbatimin e projektit për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale që ka për qëllim targetimin më të mirë të familjeve të cilat kanë nevojë për mbështetje nga shteti dhe mbështetjen e anëtarëve të familjeve të aftë për punë. Kemi ndarë rreth 3.8 milionë euro mbështetje financiare për dy vitet e shkuara, që lamë pas 2023 dhe 2024, për kategoritë në nevojë sociale. Kemi liruar në tërësi nga tarifat noteriale edhe personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale, dhe kemi licensuar 672 profesionistë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Tre milionë euro ishte mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat joqeveritare të licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë atyre viteve, 2023 dhe 2024. Teksa përkrahëm edhe edukimin e hershëm të fëmijëve nga familjet me asistencë sociale, sepse janë të panumërta studimet që tregojnë se për formimin intelektual e emocional dhe për avancimin në karrierë profesionale, fëmijëria e hershme është pothuajse vendimtare.
Kemi qenë dhe jemi qeveri e punës, e për punësim, pra edhe qeveri e punës edhe për punësimin e të tjerëve. Përderisa shoqëria në aspektin privat, shoqërimi privat është i organizuar rreth pushimit dhe argëtimit, shoqëria publike, ne besojmë se ndërtohet rreth punësimit. Andaj, kur themi që bashkëpunojmë kjo nuk do të thotë vetëm që jemi bashkë, po jemi bashkë teksa punojmë dhe punojmë bashkë. E në këto katër vjet punësimi në Kosovë është rritur për 23%, e më së shumti tek rinia dhe gratë, dy kategori shoqërore të cilat kanë qenë më së shumti e më së gjati të lënë anash.
Edhe për Qendrat për Punë Sociale po punojmë për reformimin e thellë të tyre, duke qenë se duam ta lidhim zhvillimin me drejtësi për ta bërë progres, kemi edhe këtë reformën ku këto qendra hyjnë nën ombrellën pikërisht të Ministrisë së Drejtësisë sepse financat, drejtësia i bën progres. Me këtë rast synojmë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, por edhe kushtet për punonjësit sepse ata që i ofrojnë këto shërbime duhet t’i kenë kushtet e mira pikë së pari, në mënyrë që edhe ata të cilët i marrin ato më pastaj të jenë sa më të kënaqur, dhe kjo për t’i mbështetur si në aspektin ligjor ashtu edhe atë institucional duke i fuqizuar që të arrijnë të shtyjnë përpara misionin e tyre fisnik.
Amerikanja e parë grua e cila e ka fituar çmimin Nobel, Jane Addams, ishte aktiviste dhe kontribuese pikërisht në fushën e punëve sociale, dhe ajo thoshte: “Përparimi shoqëror varet po aq nga procesi përmes të cilit sigurohet, po aq sa edhe nga vetë rezultati”. Me fjalë tjera rruga dhe caku përveç se nuk janë të ndara kanë edhe pjesëmarrje të barabartë. Nuk është vendi ku duam të arrijmë i tillë që e zhdukë rrugën atëherë kur do të arrijmë. Rruga që ndjekim është po aq e rëndësishme sa edhe caku që e synojmë.
Prandaj, shumësi veprimesh, të gjithë bashkë, që prodhojnë një shoqëri e cila nuk e lë askënd prapa duhet të jetë fokusi ynë qendror. Të gjithë kemi ndikim në shoqërinë tonë, për ta përmirësuar të tashmen e për ta lënë një trashëgimi më të mirë për brezat pas nesh, meqenëse nuk jemi përgjegjës për botën dhe vendin tonë, e shoqërinë ku bëjmë pjesë të tillë çfarë e kemi gjetur, sigurisht se jemi përgjegjës së çfarë do të lëmë për ata të cilët do të vijnë pas nesh.
Unë shpreh mirënjohjen time të thellë dhe gjithashtu falënderimin e përzemërt për vullnetin tuaj të fortë për të qenë aktiv në kontributin për një shoqëri sa më të barabartë gjithëpërfshirëse e përparimtare, ku të gjithë përfitojnë drejtë nga zhvillimi i cili po e theksoj pikërisht me drejtësinë bëhet progres.
Përgëzime e ju faleminderit të gjithëve.
Last modified: 19 Mars, 2025