Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i radhës i Komisionit për Planifikim Strategjik, shqyrtohet lista e aplikimeve për raundin 10B të granteve investuese në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)

3 Mars, 2025

Prishtinë, 3 mars 2025

Sot u zhvillua takimi i katërmbëdhjetë i Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, anëtarë të kabineteve qeveritare, si dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.

Gjatë takimit, u shqyrtua lista e aplikimeve për raundin 10B të granteve investuese në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor apo WBIF, për të cilat afati është data 7 mars. Aplikimet janë përgatitur nga ana e institucioneve të linjës, nën koordinimin e Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe me institucionet financiare sponsorizuese të tyre, të cilat do të ofrojnë kredi për realizimin e këtyre projekteve.

Ministrja Rizvanolli prezantoi dy aplikime: aplikimi për grant investues për projektin “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë” që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe aplikimin për grant investues për projektin “Përmirësimi i rrjetit të transmisionit VII”, që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim. Ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi solli në vëmendje nevojën e përgatitjes nga institucionet e linjës për raundin 11 të granteve investuese dhe raundin 32 të granteve të asistencës teknike për të cilat afati i aplikimit është muaji qershor.

Pas prezantimit, Komisioni për Planifikim Strategjik aprovoi listën e aplikimeve për miratim të mëtutjeshëm në mbledhjen e Qeverisë.

Last modified: 3 Mars, 2025

Comments are closed.