Prishtinë, 3 mars 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, mirëpriti sot fituesit e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit, të cilat ndahen nga organizata TOKA për ndryshimtarë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shoqërinë.
Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit janë një nismë e organizatës TOKA – me mbështetjen e 50 hisedarëve nga komuniteti lokal dhe ndërkombëtar – që për qëllim ka mirënjohjen, promovimin dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në vullnetarizëm. Nga 100 nominime, vitin e kaluar, për kontribut të jashtëzakonshëm u shpërblyen 8 fitues dhe u ndanë 7 mirënjohje të veçanta në shtatë kategori të ndryshme. Prej tyre, në takimin e sotëm të pranishëm ishin Gazmend Hasani, “Vullnetari më Guximtar i Vitit”; Dion Istrefi, “Vullnetari më Kreativ i Vitit”; Viola Maksuti, “Vullnetarja e Vitit”; Bujar Neziri, fitues i Çmimit “Ambasadori i Diasporës më Përkrahës i Vitit”; Donika Shahini-Lami, fituese e Çmimit “Figura Publike më Përkrahëse e Vitit”; dhe Liridona Syla nga kompania Kutia, fituese e Çmimit “Biznesi më Përkrahës i Vitit”, që po shoqëroheshin nga Drejtorja Ekzekutive e organizatës TOKA dhe Drejtuesja e Programit për Zhvillim në këtë organizatë, Fjolla Shaqiri.
Kryeministri Kurti i uroi mysafirët për çmimet dhe i përgëzoi ata për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm. Në takim u theksua rëndësia e përfshirjes në punë vullnetare, veçanërisht të rinjve, por në të njëjtën kohë edhe promovimi dhe mirënjohja e punës vullnetare në komunitet dhe shoqëri.
Kryeministri Albin Kurti e ka përkrahur fushatën e Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit 2024 me një video promovuese ku kishte bërë thirrje për nominim të qytetarëve dhe subjekteve që janë angazhuar apo kanë përkrahur vullnetarizmin në vend. Si një nga hisedarët e fushatës, Zyra e Kryeministrit e përfaqësuar nga Mirlinda Lushtaku, Zyrtare e Lartë për Koordinim të Politikave në Sekretariatin Koordinues Qeveritar, kishte marrë pjesë në vlerësimin e nominimeve. Ndërkaq në konferencën e shpalljes së fituesve më 5 dhjetor 2024 kishte marrë pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Last modified: 3 Mars, 2025