Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti i dërgon letër Përfaqësues së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, mbi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga regjimi serb

11 Shkurt, 2025

Prishtinë, 11 shkurt 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar drejt Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, një letër zyrtare mbi shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga regjimi serb.

Ai shkroi se “Përgjatë dekadave të fundit, e veçanërisht me një intensitet alarmues në vitet e fundit, diskriminimi sistematik, margjinalizimi administrativ dhe shtypja ekonomike e shkaktuar ndaj komunitetit shqiptar nga autoritetet serbe, kërkojnë veprime urgjente.”

Përgjatë letrës, kryeministri Kurti e informoi përfaqësuesen e lartë Kallas për një sërë shkeljesh të të drejtave të shqiptarëve, nga pasivizimi i adresave dhe spastrimi etnik përmes mjeteve administrative, deri te margjinalizimi ekonomiki, nënpërfaqësimi në institucione, militarizimi, gjuha e urrejtjes dhe mungesa e integrimit.

“Brenda këtij konteksti të padrejtësisë akute administrative, ekonomike dhe kulturore, unë i bëj thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë veprime vendimtare dhe të menjëhershme. Kërkoj me respekt që Bashkimi Evropian të iniciojë një rishikim gjithëpërfshirës të këtyre praktikave diskriminuese, me qëllim që të sigurohet që Serbia të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe evropiane. Ky rishikim duhet të përfshijë një hetim të pavarur për procesin e “pasivizimit”, përjashtimin ekonomik të evidentuar nga diferencat e theksuara të papunësisë dhe nënpërfaqësimin sistematik të shqiptarëve në institucionet publike.” u shpreh kryeministri në përfundim të letrës së tij.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia e Juaj, Përfaqësuesja e Lartë Kallas,

Dua të sjell në vëmendjen tuaj një çështje thellësisht shqetësuese lidhur me trajtimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Përgjatë dekadave të fundit, e veçanërisht me një intensitet alarmues në vitet e fundit, diskriminimi sistematik, margjinalizimi administrativ dhe shtypja ekonomike e shkaktuar ndaj komunitetit shqiptar nga autoritetet serbe, kërkojnë veprime urgjente.

Diskriminimi Sistematik Përmes Masave Administrative

Komuniteti shqiptar në Serbi, i cili banon kryesisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – një rajon që shtrihet në 1250 kilometra katrorë përgjatë kufijve të Serbisë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut të njohur si “Lugina e Preshevës” – përbën mbi 70 për qind të popullsisë në këto zona. Përkundër kësaj pranie të konsiderueshme, shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë qenë subjekt i politikave të shënjestruara diskriminuese që minojnë pjesëmarrjen e tyre politike, të drejtat themelore civile, të drejtat politike e ato ekonomike.

Së fundmi, administrata e Aleksandër Vuçiq i ka intensifikuar këto praktika përmes një mase administrative të njohur si “pasivizimi” i adresave të përhershme, ku mijëra banorë shqiptarë janë hequr sistematikisht nga Regjistri Civil pa qenë në dijeni. Deri në vitin 2021, më shumë se 6,200 shqiptarë ishin “pasivizuar”, ku vetëm komuna e Medvegjës ishte dëshmi e fshirjes së rreth 4,000 banorëve nga listat e votuesve. Këto shifra tregojnë se mbi 10 për qind e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës nuk munden të ushtrojnë më të drejtat e tyre më elementare si qytetarë të Serbisë. Si pasojë, spastrimi sistematik i shqiptarëve nga listat e votuesve u pasua nga një rritje dramatike e mbështetjes për partinë SNS të Vuçiqit, përqindja e votave të së cilës në zonat e prekura u rrit nga 8 në 90 për qind. Hulumtimet e pavarura tregojnë gjithashtu se shqiptarëve të pasivizuar iu mohua pajisja me letërnjoftime dhe pasaporta të reja, duke gërryer edhe më shumë të drejtat e tyre themelore.

Një fushatë e tillë e qëllimshme e spastrimit etnik me mjete administrative nuk është vetëm një shkelje e rëndë e normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe një shkelje flagrante e detyrimeve të Serbisë sipas Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e së cilës është nënshkruese, dhe e detyrimeve të saj si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky është një akt i bërë me qëllim dhe diskriminim i sponsorizuar nga vetë shteti, që jo vetëm kufizon të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi, por synon të riformësojë pasqyrimin demografik për t’ia përshtatur atë objektivave politike.

Margjinalizimi Ekonomik dhe Mohimi i Mundësive

Mohimi ekonomik që i është shkaktuar komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës është i thellë, siç e tregojnë vetë treguesit ekonomikë. Lugina e Preshevës njihet si rajoni më i varfër në Serbi, me shkallë të papunësisë në komuna që variojnë nga 30 deri në 70 për qind – një kontrast alarmant me mesataren e vendit që është prej rreth 12 për qind. Kjo pabarazi e madhe shtohet nga përjashtimi i qëllimshëm nga punësimi publik dhe përfaqësimi institucional.

Në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën, ata janë vazhdimisht të nënpërfaqësuar në pozitat kyçe. Për shembull, si në Preshevë ashtu edhe në Bujanoc, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, nuk ka prokurorë të emëruar shqiptarë, dhe rolet udhëheqëse në objektet lokale të kujdesit shëndetësor janë të zëna vetëm nga serbët. Në spitalin rajonal të Vranjës—i cili i shërben komuniteteve të Preshevës dhe Bujanocit—vetëm 2 nga 1000 deri në 1200 të punësuar janë nga komuniteti shqiptar. Në Medvegjë, nga afërsisht 2000 punonjës të komunës, vetëm një pjesë e vogël e punonjësve policorë (9 nga 164 në një lokalitet dhe 3 nga 101 në një lokalitet tjetër) janë shqiptarë. Statistika të tilla tregojnë për një model të qartë përjashtimi sistemik që jo vetëm margjinalizon komunitetin ekonomikisht, por gjithashtu ndrydh potencialin e tij për avancim individual dhe shoqëror.

Po aq shqetësues është edhe mohimi i njohjes së diplomës për shqiptarët e Luginës së Preshevës që studiojnë në universitetet e Kosovës. Të rinjtë shqiptarë të kualifikuar që vijnë nga ky rajon janë të detyruar të ndjekin arsimin e lartë në Kosovë për shkak se Serbia nuk ofron arsim të lartë në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar në Serbi. Nga njëra anë, nuk ofron arsim të lartë në gjuhën shqipe, dhe nga ana tjetër, nuk i njeh diplomat që ata fitojnë në Kosovë, duke i penguar kështu t’i shërbejnë komuniteteve të tyre, e rrjedhimisht duke çuar në ikjen efektive të trurit. Kjo politikë e ka privuar rajonin nga 18 breza të talenteve profesionale, duke thelluar më tej pabarazitë ekonomike.

Represioni Kulturor dhe Shkelja e të Drejtave të Identitetit.

Mungesa e tolerancës e qeverisë serbe shtrihet në identitetin kulturor dhe kombëtar shqiptar. Pavarësisht detyrimeve të Serbisë si nga Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare ashtu edhe nga Kushtetuta e saj – konkretisht neni 79, i cili u garanton pakicave kombëtare të drejtën për të përcaktuar dhe shfaqur simbolet e tyre – komunitetit shqiptar i mohohet në mënyrë rutinore e drejta për të shfaqur flamurin e tij kombëtar. Përdorimi i flamurit shqiptar është rreptësisht i ndaluar dhe ka sjellë arrestime dhe gjoba të shpeshta. Ky mohim i shprehjes kulturore nuk është thjesht simbolik; përbën një cenim të së drejtës themelore të minoritetit shqiptar për të ruajtur dhe kremtuar trashëgiminë e tij. Për më tepër, dy filma, I pabesi dhe Heshtja vret, ishin prodhime lokale të sjella në ekranin e Luginës së Preshevës. Megjithatë, më 10 qershor 2023, shfaqja e tyre në Bujanoc ishte ndaluar nga Prokuroria dhe Policia. Po atë ditë janë marrë në pyetje producenti Gani Veseli dhe drejtori Jetmir Ismaili. Më 20 korrik 2023, Gjykata e Lartë e Vranjës e thirri Veselin në seancë dhe e gjobiti atë.

Gjuhë e urrejtjes e Institucionalizuar dhe Mosveprimi Gjyqësor i Politizuar

Atmosfera e mungesës së tolerancës përkeqësohet më tej nga përhapja e gjuhës së urrejtjes. Termat nënçmues si “Siptar” përdoren në mënyrë rutinore nga zyrtarë shtetërorë dhe media të rreshtuara me regjimin në pushtet, duke nxitur një atmosferë armiqësie dhe diskriminimi. Pavarësisht rasteve të dokumentuara të gjuhës së urrejtjes, përfshirë deklaratat publike nga figura të tilla si ish-ministri i Punëve të Brendshme Aleksandar Vulin, mjetet juridike mbeten të paefektshme. Gjykatat kanë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur rastet kur shqiptarët kanë protestuar kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët shtetërorë, duke reflektuar një gjyqësor të politizuar që dështon t’i mbajë autorët përgjegjës. Një padi ndaj Vulin është ngritur më 25 gusht 2019 dhe pas një procesi të stërzgjatur ligjor, tashmë ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk e ka shqyrtuar çështjen. Ky miratim i heshtur shtetëror i gjuhës së urrejtjes jo vetëm që e rrezikon pakicën shqiptare, por gjithashtu shkatërron sundimin e ligjit dhe parimet demokratike.

Angazhime të Paplotësuara Integruese dhe Militarizimi

Angazhimet e shumta të qeverisë serbe për integrimin e komunitetit shqiptar në jetën publike kanë qenë zhgënjyese. Marrëveshjet dhe planet – të tilla si Deklarata për Çmilitarizimin në vitin 2001, Marrëveshja e Riorganizimit të Trupit Koordinues në vitin 2009 dhe Plani Shtatë Pikësh i vitit 2013 – përvijuan arritje të qarta për integrimin e shqiptarëve në sferat politike, ekonomike dhe kulturore. Megjithatë, këto zotime kanë mbetur të paplotësuara. Në vend që të dëshmohet zhvillimi i premtuar, rajoni ka parë militarizimin e shtuar, shpopullimin përmes “pasivizimit”, ikjen e trurit të të rinjve dhe përjashtimin nga institucionet shtetërore. Për më tepër, ne shprehim shqetësimin tonë më të thellë për krijimin e një prej bazave më të mëdha ushtarake të Serbisë, “Jug”, në Bujanoc së bashku me të ashtuquajturën “qendrën humanitare” në Nish, e cila funksionon si një qendër e inteligjencës e mbështetur nga Rusia. Gjithashtu, vendosja e 48 bazave të përparme ushtarake përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, konkretisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe kontribuon më tej në militarizimin e rajonit. Kjo po përdoret si një mjet frikësimi, duke dekurajuar më tej çdo përpjekje për integrim të vërtetë apo pjesëmarrje politike nga komuniteti lokal shqiptar. Për më tepër, rikthimi së fundmi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe përbën një kërcënim të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke rrezikuar shpërnguljen masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës.

Shkëlqesia Juaj, ndërsa BE-ja ecën përpara në procesin e saj të zgjerimit, është e domosdoshme që Serbia t’i harmonizojë politikat e saj të brendshme me vlerat dhe standardet thelbësore të Bashkimit Evropian. Represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës është në kundërshtim me këto vlera dhe hedh dyshime serioze mbi gatishmërinë e Serbisë për të përqafuar parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Brenda këtij konteksti të padrejtësisë akute administrative, ekonomike dhe kulturore, unë i bëj thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë veprime vendimtare dhe të menjëhershme. Kërkoj me respekt që Bashkimi Evropian të iniciojë një rishikim gjithëpërfshirës të këtyre praktikave diskriminuese, me qëllim që të sigurohet që Serbia të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe evropiane. Ky rishikim duhet të përfshijë një hetim të pavarur për procesin e “pasivizimit”, përjashtimin ekonomik të evidentuar nga diferencat e theksuara të papunësisë dhe nënpërfaqësimin sistematik të shqiptarëve në institucionet publike.

E vlerësoj vëmendjen tuaj urgjente ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme.

Sinqerisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

– Gjeni të bashkangjitur në aneks dhe një krahasim të shkurtër me Republikën e Kosovës sa i përket të drejtave të minoritetit serb

Aneks – Të Drejtat e Avancuara në Republikën e Kosovës kundër Diskriminimit Sistemik në Serbi

Ndryshe nga Serbia, korniza ligjore dhe politikat e Kosovës sigurojnë që çdo qytetari t’i ofrohen të drejta, përfaqësim dhe mundësi të barabarta. Në kontrast të plotë me diskriminimin sistemik në Serbi – ku mbi 6200 shqiptarë (ose 10 për qind e shqiptarëve) të Luginës së Preshevës janë “pasivizuar” dhe shkalla e papunësisë në zonat me shumicë shqiptare arrin deri në 70%.

Komunat me shumicë serbe në Kosovë përfitojnë nga qeverisja e fuqishme lokale; në shumë raste, serbët mbajnë mbi 80% të vendeve të asamblesë komunale. Në nivel kombëtar, dispozitat kushtetuese garantojnë që komuniteti serb të marrë jo më pak se 10 vende të rezervuara në Kuvendin prej 120 vendesh, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet. Ky model është në kontrast të fortë me Serbinë, ku shqiptarët – pavarësisht se janë shumicë në tre rajone komunale – përballen me përjashtim pothuajse total nga zyrat kryesore publike dhe kanë vetëm një përfaqësues në Kuvendin e Serbisë. Në historinë e Serbisë pas Millosheviqit, asnjë shqiptar nuk është emëruar ndonjëherë ministër në qeverinë serbe.

Në Kosovë dygjuhësia dhe diversiteti kulturor janë parime thelbësore. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e administratës dhe televizioni publik kombëtar – RTK ofron një kanal në gjuhën serbe. Komuniteti serb arsimohet në gjuhën e tyre dhe, përkundër që Marrëveshja e Procesit të Berlinit për njohjen reciproke të diplomave që ende nuk është zbatuar në nivelin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne kemi mundësuar verifikimin e diplomave universitare për komunitetin serb me qëllim të punësimit në institucionet publike. Serbia as nuk ofron universitet në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar në Serbi dhe as nuk i njeh diplomat e tyre të marra në Kosovë.

Për më tepër, qeveria e Kosovës ndan më shumë se 15 milionë euro në vit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe, mbështetjen e institucioneve kulturore dhe mbrojtjen e objekteve fetare. Ky nivel i mbështetjes është në kontrast të drejtpërdrejtë me politikat kufizuese kulturore në Serbi, ku edhe përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët etnikë është i ndaluar.

Politikat ekonomike në Kosovë janë të dizajnuara për të reduktuar pabarazitë ndërmjet komunave dhe ndërmjet bashkësive etnike. Për shembull, iniciativat e synuara në komunat me shumicë serbe kanë çuar në ritme të rritjes së punësimit që tejkalojnë 20 për qind në vit, me deri në 15 për qind të pozitave në sektorin publik të rezervuara për profesionistët lokalë. Këto masa jo vetëm që promovojnë mundësitë ekonomike, por edhe lehtësojnë integrimin social – një qasje që qëndron në kundërshtim me përjashtimin ekonomik dhe shkallën e lartë të papunësisë (që varion nga 30 për qind në 70 për qind) të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë Kosova ka mekanizma të fuqishëm dhe garanci ligjore që mbrojnë pakicën serbe dhe promovojnë pjesëmarrjen. Në ato komuna në të cilat komuniteti serb i Kosovës përbën shumicën, ai gëzon të drejta të zgjeruara pjesëmarrëse dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe krimet e urrejtjes. Organet e pavarura gjyqësore hetojnë në mënyrë aktive dhe reduktojnë incidentet e gjuhës së urrejtjes, duke rezultuar në një mjedis më të sigurt për komunitetin serb. Gjatë pesë viteve të fundit, incidentet diskriminuese janë ulur me më shumë se 50 për qind, duke treguar efikasitetin e këtyre masave. Në Serbi, përkundrazi, gjuha e urrejtjes kundër shqiptarëve etnikë është e përhapur dhe llogaridhënia mbetet e pakapshme për shkak të një gjyqësori të politizuar.

Last modified: 11 Shkurt, 2025

Comments are closed.