Leposaviq, 7 shkurt 2025
Sot në Leshak të Leposaviqit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, dhe nënkolonelin Veton Elshani, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të nënstacionit policor në Leshak të Leposaviqit.
Ky objekt, i cili është ndërtuar për më pak se pesë muaj, i ka 2300 metra katrorë dhe ka kushtuar afër 782 mijë euro.
“Tri të katërtat është stacioni policor, një e katërta është Agjencioni për Regjistrim Civil, në mënyrë që të ofrojmë edhe më shumë siguri për qytetarët këtu, por edhe më afër shërbimet e domosdoshme për ta”, deklaroi kryeministri.
Ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe të gjithë punëtorët e punëkryesit për realizimin e punës në afat kohor të shpejtë, derisa shprehu mirënjohje për mikpritjen nga ana e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja Marina Bogojeviq.
Prononcimi i plotë e kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, dhe me nënkolonelin Veton Elshani, në Leposaviq në Leshak, ku porsa e përuruam ndërtesën e nënstacionit policor, i cili është njëkohësisht edhe ndërtesë e Agjencisë për Regjistrim Civil.
Tri të katërtat është stacioni policor, një e katërta është Agjencioni për Regjistrim Civil, në mënyrë që të ofrojmë edhe më shumë siguri për qytetarët këtu, por edhe më afër shërbimet e domosdoshme për ta.
Objekti gjithsej ka 2300 metra katrorë dhe është ndërtuar për më pak se pesë muaj, ndërkaq ka kushtuar afër 782 mijë euro.
Unë e falënderoj Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe të gjithë punëtorët e punëkryesit të cilët e realizuan me një afat kaq të shpejtë, një ndërtesë kaq të rëndësishme për qytetarët e Leposaviqit. Gjithashtu, e falënderoj edhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, për mikpritjen e tij si gjithnjë, dhe zëvendësen e tij, nënkryetaren Marina Bogojeviq.
Urime e përgëzime të gjithëve!
Last modified: 7 Shkurt, 2025