Davos, 22 janar 2025
Shtëpia e Kosovës në Davos u bë shtëpi edhe e bashkëbisedimeve e paneleve të diskutimit përgjatë këtyre ditëve, e sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti aty në një diskutim ekonomistin nga universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann.
Kryeministri Kurti theksoi gjatë bisedës se katër vitet e qeverisjes sonë kanë qenë pozitive, paçka se jemi përballur me kriza të shumta si pandemia Covid 19, e ato energjetike e të inflacionit. Ai shtoi se menjëherë brenda vitit të parë u punua në sigurimin e vaksinave e vaksinimit të sukssesshëm të popullsisë, gjersa me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan qytetarët që e kursenin energjinë dhe shpërndamë rritjen ekonomike drejt qytetarëve.
“Kosova është një shembull i mirë se rritja ekonomike dhe zhvillimi ecin krah për krah me demokracinë dhe sundimin e ligjit” u shpreh kryeministri duke shtuar se luftimi i korrupsionit solli rritje dhe liria solli zhvillim: liria e qytetarëve dhe bizneseve.
Kryeministri foli edhe mbi rëndësinë e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me shtetet e EFTA-s e cila do të nënshkruhet sot, aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe rëndësinë e rolin e rëndësishëm të diasporës sonë në Zvicër në jetën shoqërore atje, por edhe në zhvillimin e Kosovës.
Nga ana e tij, ekonomisti Ricardo Hausmann u shpreh i nderuar me ftesën dhe i lumtur që ishte pjesë e këtij diskutimi sot. Ekonomisti Hausmann theksoi se progresi ekonomik mbështetet në një popullatë të fuqizuar dhe me të drejta, sepse të drejtat janë thelbësore që qytetarët të mund të kenë ëndrra, paçka nuk mund të ketë dinamizëm ekonomik. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përvojës dhe ekspertizës së diasporës në zhvillimin ekonomik të një vendi.
Last modified: 22 Janar, 2025