Prishtinë, 30 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në Konferencën vjetore 2024 për progresin në mbështetjen e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Aty kryeministri Kurti takoi ndërmarrës me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim mbi progresin e deritanishëm, sfidat dhe përpjekjet e përbashkëta nga sektori privat dhe Qeveria.
“Ne jemi nisur nga parimet për qeverisje të mirë dhe për vizionin tonë zhvillimor i cili nënkupton qëndrueshmëri, mirëqenie, siguri dhe barazi. Kemi ndërmarrë masa mbështetëse për qytetarët e bizneset gjatë këtij mandati. Më e rëndësishmja së bashku me ju, me punën dhe investimet tuaja, ne po e fuqizojmë ekonominë e vendit”, tha kryeministri.
Ai veçoi trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike të arritura si përpjekje e përbashkët, duke përfshirë rritje mesatare ekonomike prej 6% në 4 vjet qeverisje, dyfishimin e eksporteve, dyfishimin e Investimeve të Huaja Direkte, rritja e qarkullimit të bizneseve, Bruto Produktin Vendor prej 10.3 miliardë euro, borxhin publik më të ulët në Evropë (prej 17%) dhe uljen e borxhit të faturave të papaguara për mallra dhe shërbime, si dhe rritjen e shpenzimeve kapitale, të cilat këtë vit janë më të lartat ndonjëherë në vlerë prej mbi 600 milionë euro.
Përgjatë tri viteve, Qeveria ka rishpërndarë rreth 1.3 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Qindra biznese mikro, të vogla dhe të mesme janë mbështetur përmes granteve të synuara dhe programeve për zhvillimin ekonomik, derisa është promovuar inovacioni dhe digjitalizimi në sektorin privat, duke ofruar mbështetje për startup-et dhe ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme që sjellin ide të reja teknologjike.
Disa nga këto masa mbështetëse për bizneset përfshijnë:
· Mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës së 711-të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej mbi 20 milionë euro;
· Mbështetje financiare për 450 biznese tjera me gjithsej 12.4 milionë euro në subvencionimin e kredive investuese në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike;
· Mbështetje financiare në vlerë prej 3.2 milionë euro, për ndërkombëtarizimin e 392 bizneseve vendore, me pjesëmarrjen në 51 panaire ndërkombëtare për mallra, shërbime dhe aktivitete të turizmit, duke promovuar mbi 1500 produkte të mallrave, shërbimeve dhe aktivitete të turizmit;
· Kosova me qasje në një nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” në vlerë prej 4.2 miliardë euro për mbështetje të bizneseve dhe organizatave, për periudhën 2021-2027;
· Mbështetje financiare gjithashtu me vlerë prej 36 milionë euro në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke garantuar 1,222 kredi të 1,074 ndërmarrjeve fillestare, ose mikro, të vogla dhe të mesme, me vlerë prej 82 milionë euro kredi të disbursuara nga garantimi prej Fondi ku nga këto kredi janë gjeneruar 2,230 vende të reja të punës;
· Garantim i investimeve deri në 3 milionë euro të mërgatës tonë, kudo në botë përmes “Dritares për Investime të Diasporës”.
“Ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë edhe kategoritë të cilët janë më së shumti në nevojë në vendin tonë, fëmijët, nënat, pensionistët, studentët, por gjithashtu edhe me bizneset sidomos sa i përket subvencionimit të kamatave për kreditë investuese, për blerjen e makinerive prodhuese, pastaj për bonusin prej 6 muajve për të rinjtë që punësohen nëpërmjet programit “SuperPuna” prej 19 deri në 29 vjeç e kështu me radhë”, deklaroi kryeministri para të pranishmëve. Ai u fokusua edhe në procesin e arsimit dual në 12 profile, në 25 shkolla profesionale dhe 15 komuna, me ç’rast janë ndarë mbi 6000 bursa për studentë në fushat STEM.
Derisa i inkurajoi bizneset të vazhdojnë angazhimin për një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën, kryeministri Kurti u zotua se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj tyre dhe të jetë një shtyllë thelbësore për arritjen e vizionit tonë të një industrie vendore që të prodhojë për tregun vendor e ndërkombëtar.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z. Zef Dedaj, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë,
I nderuari z. Agron Llugaliu, Drejtor i Doganës së Kosovës,
I nderuari z. Besnik Berisha, Drejtor i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se po takohemi në këtë ngjarje të fundvitit. Takim ky i përbashkët për bashkëbisedim të afërt dhe reflektime me ju ndërmarrës, me qëllim shënimin e progresit të deritanishëm, sfidat dhe përpjekjet tona të përbashkëta nga sektori privat dhe Qeveria.
Ne jemi nisur nga parimet për qeverisje të mirë dhe për vizionin tonë zhvillimor i cili nënkupton qëndrueshmëri, mirëqenie, siguri dhe barazi. Kemi ndërmarrë masa mbështetëse për qytetaret e bizneset gjatë këtij mandati. Më e rëndësishmja së bashku me ju, me punën dhe investimet tuaja, ne po e fuqizojmë ekonominë e vendit. Kësisoj e tashmja është, dhe e ardhmja do të jetë, më e qëndrueshme dhe më e begatë për të gjithë.
Trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike na dëshmojnë se me përpjekjet tona të përbashkëta:
· Vendi ynë ka treguar rritje mesatare ekonomike prej 6% të Bruto Produktit Vendor në këto 4 vite;
· Kemi dyfishim të Eksporteve dhe një përmirësim të ndjeshëm të raportit eksport-import prej 1:9 para 4 vjetëve në rreth 1:6;
· Kemi edhe dyfishim të Investimeve të Huaja Direkte – me ç’rast Mesatarja e FDI gjatë qeverisjes sonë (2021-2023) është 664.3 milionë euro ose 2.2 herë më e lartë se mesatarja vjetore e periudhës 2007-2020;
· Qarkullimi i bizneseve gjatë vitit 2023 ka qenë 58% më i lartë se në 2019 – ndërkaq është interesante që nga janari deri në shtator sivjet kemi pasur rritje prej 7.7% të qarkullimit të bizneseve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar;
Në përgjithësi ekonomia e Kosovës, Bruto Produkti Vendor është rritur dhe ky vit do të hyj në historinë ekonomike të Kosovës, si vit në të cilin e kemi mbërri 10 miliardëshin e ekonomisë sonë, me ç’rast kjo i bie një rritje prej 46%, afër 50%, krahasuar me vitin 2019 dhe mbi 50% apo saktësisht 52% krahasuar me vitin 2020, dhe rreth 30% krahasuar me vitin 2021. Pra, sivjet 2024 krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje të ekonomisë së vendit tonë për rreth 30% dhe fjala ekonomi rrjedh prej greqishtes “oikonomos” që do të thotë “punët e shtëpisë”. Pra, Bruto Produkti Vendor është ekonomia, është rrit për 30% për katër vjet dhe ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë edhe kategoritë të cilët janë më së shumti në nevojë në vendin tonë, fëmijët, nënat, pensionistët, studentët, por gjithashtu edhe me bizneset sidomos sa i përket subvencionimit të kamatave për kreditë investuese, për blerjen e makinerive prodhuese, pastaj për bonusin prej 6 muajve për të rinjtë që punësohen nëpërmjet programit “SuperPuna” prej 19 deri në 29 vjeç e kështu me radhë.
Në vitin 2020 faturat e papaguara që i kemi gjetur për mallra dhe shërbime nga operatorët ekonomik të vendit tonë kanë pasur vlerën 141.6 milionë euro. Pra 141.6 milionë euro shteti i’u ka pasur borxh juve. Në fund të vitit të kaluar ky borxh është ulur në 33 milionë euro dhe vazhdon të ulet. Në fillim të vitit të ardhshëm do ta kemi shërbimin për këtë vit.
Pastaj borxhin publik e kemi mbajtur më të ulëtin në Evropë, 17%, dhe unë besoj që kjo ka qenë mirë në këtë fazë për shkak se kemi krijuar një autonomi të qeverisjes dhe të institucioneve tona përgjithësisht stabile e solide, por gjithashtu edhe kemi bërë negociata më të favorshme me institucione financiare ndërkombëtare, se kur e ke borxhin e ulët publik atëherë mundesh me marrë më shumë borxh më të lirë. Ndërkaq kur e ke borxhin e lartë publik, më shumë borxh është gjithnjë e më i shtrenjtë.
Shpenzimet kapitale në vitin 2023 janë më të larta në historinë e vendit tonë – 561 milionë euro të ekzekutuara. Gjatë nëntë muajve të këtij viti kemi një rritje prej 23% të shpenzimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, dhe sivjet është viti kur investimet kapitale e kalojnë 600 milionëshin. Të hyrat tatimore po e kalojnë 3 miliardëshin, investimet kapitale po e kalojnë 600 milionëshin.
Një dimension tjetër që sigurisht ndihmon në ambientin e të bërit biznes janë edhe treguesit Demokratik dhe Ekonomik të vendit tonë në raportet ndërkombëtare. Ato theksojnë progres në secilin prej këtyre treguesve, që nga luftimi i korrupsionit, demokratizimi e deri te konkurrueshmëria e kemi avancimin më të madh në rajon. Nëse nuk jemi në vendin e parë, atëherë jemi në vendin e dytë pas Malit të Zi – kështu është nëpër vlerësimet e organizatave të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare.
Të nderuar të pranishëm,
Tri vjet qeverisje kemi shpërndarë 1.3 miliardë euro, kur të bëhet bilanci për 4 vjeçarin sigurisht do të jetë edhe më lartë se kaq, si te qytetarët po ashtu dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja.
Përmes granteve të synuara dhe programeve për zhvillim ekonomik kemi mbështetur qindra biznese mikro, të vogla dhe të mesme, që t’i zgjerojnë veprimtaritë e tyre, krijojnë vende të reja pune dhe forcojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.
E ju e dini shumë mirë që edhe mendja edhe zemra ime kur vjen puna te biznesi është në favor të bizneseve të mesme, të vogla, mikrobizneseve, jo të oligarkëve sepse ata ia bëjnë qahren vetes. Ndërkaq juve duhet t’iu ndihmojmë, juve të cilët e mbani barrën më të madhe të punësimit në vend, por gjithashtu edhe të kontributit në shtet. Shpesh herë harrohet që nga të gjithë të punësuarit në Kosovë, vetëm ¼-ta janë në sektorin publik, ¾ janë në sektorin privat dhe shumica dërrmuese është pikërisht në ndërmarrje si tuajat mikro, të vogla dhe të mesme. Ata e bartin barrën kryesore të punësimit, dhe këta njerëz janë të punësuar, janë tek ju, rrjedhimisht nuk janë tek ne në asistencë sociale, dhe ne nuk e harrojmë asnjëherë këtë gjë. Shoqëria jonë është dinamike duke iu falënderuar sektorit privat ndërmarrjeve të vogla edhe të mesme të vendit tonë.
Gjithashtu, e kemi promovuar edhe inovacionin dhe digjitalizimin në sektorin privat, duke ofruar mbështetje për startup-et dhe ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme që sjellin ide të reja teknologjike.
Disa nga këto masa mbështetëse përfshijnë:
· Mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës së 711-të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej mbi 20 milionë euro;
· Mbështetje financiare për 450 biznese tjera me gjithsej 12.4 milionë euro në subvencionimin e kredive investuese në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike;
· Mbështetje financiare në vlerë prej 3.2 milionë euro, për ndërkombëtarizimin e 392 bizneseve vendore, me pjesëmarrjen në 51 panaire ndërkombëtare për mallra, shërbime dhe aktivitete të turizmit, duke promovuar mbi 1500 produkte të mallrave, shërbimeve dhe aktivitete të turizmit;
Qartazi me 1.6 milionë banorë sa jemi ne me rritjen ekonomike që ka Kosova, me qarkullimin e shtuar të bizneseve nuk është treg i mjaftueshëm për ju. Andaj, në muajt e vitet në vijim do t’iu mbështesim për sa më shumë eksport, për qasje në tregje të jashtme.
· Kosova me qasje në një nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” në vlerë prej 4.2 miliardë euro për mbështetje të bizneseve dhe organizatave, për periudhën 2021-2027;
· Mbështetje financiare gjithashtu me vlerë prej 36 milionë euro në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke garantuar 1,222 kredi të 1,074 ndërmarrjeve fillestare, ose mikro, të vogla dhe të mesme, me vlerë prej 82 milionë euro kredi të disbursuara nga garantimi prej Fondi ku nga këto kredi janë gjeneruar 2,230 vende të reja të punës;
· Garantim i investimeve deri në 3 milionë euro të mërgatës tonë, kudo në botë përmes “Dritares për Investime të Diasporës” po ashtu te Fondi.
Për të mbështetur sektorin prodhues në profilet e nevojshme, përmes masave specifike të Qeverisë dhe rritjes ekonomike në përgjithësi, e kemi mbështetur sektorin privat edhe përmes platformës SuperPuna. Për më pak se dy vite, përmes SuperPunës rreth 9,500 biznese vendore kanë mundësuar punësimin e afër 14 mijë të rinjve mes moshës 18-29 vjeç (51% vajza).
Ndërkaq, për lidhjen e arsimit me tregun e punës e kemi ndarë mbi 6000 bursa për studentët STEM dhe kemi nisur procesin e arsimit dual në 12 profile, në 23 shkolla profesionale dhe 14 komuna anë e mbanë Kosovës.
Të nderuar ndërmarrës,
Në udhëheqjen tonë, kemi vendosur themelet për një qasje të re: transparencë dhe përgjegjësi, pra të hapur dhe llogaridhënës. E kemi mbyllur kapitullin e keqpërdorimeve dhe informalitetit në sektorë të rëndësishëm si nafta, duhani, tenderët dhe skemat e granteve.
Qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj bizneseve dhe të jetë një shtyllë thelbësore për arritjen e vizionit tonë të një industrie vendore që të prodhojë për tregun vendor edhe ndërkombëtar.
Unë ju falënderoj shumë për angazhimin, punën që e keni bërë, për kontributin për shoqërinë e për shtetin, dhe ju inkurajoj të vazhdoni angazhimin për një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën.
Ju faleminderit shumë e te Qeveria e Republikës, e keni një partner zhvillimor për nevojat e juaja, për rritje të mëtutjeshme. Interesi i juaj është zgjerimi, zgjerimi juaj është interesi ynë.
Gëzuar 2025 dhe gjithë të mirat në vitin që vjen pasnesër!
Last modified: 31 Dhjetor, 2024