Prishtinë, 26 dhjetor 2024
Pas ceremonisë së shpalljes së më të mirëve të këtij viti në Handboll, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, morën pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Sporteve Universitare.
Në festën e arritjeve dhe përkushtimit të sportistëve tanë universitarë, kryeministri Kurti i dha fokus rezultateve të rëndësishme sportive të Federatës së Sporteve Universitare, e cila nuk është një federatë shumë e vjetër sa i përket kohë së themelimit të saj.
“Krijimi i konkurrencës sportive ndërmjet universiteteve tona ka arritur si cilësinë, gjithashtu edhe rivalitetin pozitiv mes tyre dhe me këtë edhe studentët tanë po tregojnë kapacitetet e tyre në nivele të larta ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri.
Ai veçoi si një nga sukseset më të mëdha të arritur në lojërat evropiane universitare në sportin e karatesë, ku Kosova fitoi katër medalje: një medalje të artë në konkurrencën ekipore, dy medalje të argjendta e një të bronztë në konkurrencën individuale.
“Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe Elmedina Istogu ishin studentet tona që na bënë krenarë për këtë sukses madhor në sportin universitar duke treguar fuqinë e rinisë tonë përtej kufijve tanë”, i përgëzoi sportistet kryeministri Kurti duke shtuar se beson fuqishëm në studentët dhe rininë tonë e cila janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Po ashtu, i uroi suksese edhe më të mëdha në vitin 2025 të gjithë sportistëve, që përfaqësojnë më të mirën që rinia e Kosovës mund të ofrojë.
Këtë vit Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lansuar programin “Sporti në shkolla”, nismë e cila synon fuqizimin e të rinjve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin, ndërmjet bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Sportit Shkollor.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z.Musa Selimi, Kryetar i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës,
I nderuari z. Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit,
I nderuari z. Florian Miftari, Dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, basketbollisti ynë legjendar,
Të nderuar profesorë universitarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të federatave sportive,
Të dashur studentë, sportiste e sportistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotëri,
Sot kam kënaqësinë të jem këtu bashkë me juve sonte për të festuar arritjet dhe përkushtimin e sportistëve tanë universitarë, të cilët përfaqësojnë më të mirën që rinia e Kosovës mund të ofrojë.
Federata e Sporteve Universitare, megjithëse nuk është një federatë shumë e vjetër në aspektin e themelimit, ajo ka arritur rezultate të rëndësishme sportive ende pa i mbushur një dekadë falë studentëve dhe sportistëve të saj të jashtëzakonshëm. Krijimi i konkurrencës sportive ndërmjet universiteteve tona ka arritur si cilësinë, gjithashtu edhe rivalitetin pozitiv mes tyre dhe me këtë edhe studentët tanë po tregojnë kapacitetet e tyre në nivele të larta ndërkombëtare.
Së fundmi, një nga sukseset më të mëdha është arritur në lojërat evropiane universitare në sportin e karate-s, ku Kosova fitoi katër medalje: një medalje të artë në konkurrencën ekipore, dy medalje të argjendta e një të bronztë në konkurrencën individuale.
Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe Elmedina Istogu ishin studentet tona që na bënë krenarë për këtë sukses madhor në sportin universitar duke treguar fuqinë e rinisë tonë përtej kufijve tanë. Ju faleminderit!
E, për këto arritje dhe për shumë të tjera, ju përgëzoj të gjithëve. Kosova si një prej shteteve me popullsinë më të re në Evropë ka një potencial të madh dhe këtë po e dëshmon në çdo rast të mundshëm. Studentët dhe rinia jonë janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e vendit tonë. Unë besoj fuqishëm në këtë rini, sepse ata janë frymëzimi dhe shpresa për një Kosovë gjithnjë më të mirë, përherë e më lart. Andaj, vazhdoni të punoni me përkushtim e pasion për të ndërtuar të ardhmen ku suksesi juaj është gjithashtu krenaria jonë.
Ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kemi nisur programin Sporti në shkolla, ndërkaq për Sportin në Universitet ju kemi juve.
Urime për më të mirët e këtij viti dhe shpresoj të arrijmë suksese edhe më të mëdha në vitin 2025.
Ju faleminderit!
Last modified: 26 Dhjetor, 2024