Malishevë, 24 dhjetor 2024
U vendos sot gurthemeli i çerdhes së re në Bellanicë të Malishevës, ngjarje në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i arsimit, Arsim Ademi, dhe deputetë e udhëheqës të institucioneve tjera.
Çerdhja e re do të ketë katin përdhesë, që përmban hyrjen kryesore, hapësirën e gardërobës së fëmijëve, klasat për fëmijë, kuzhinën dhe tryezarinë, nyjet sanitare në çdo klasë dhe ato për personel, dhomën e takimeve, lavanderinë dhe kthinat teknike të ngrohjes. Po ashtu, kati i parë do të ketë klasa për fëmijë, dhomën e qumështit, zyra e drejtorit, infermieria dhe nyjet sanitare. Ajo do të ketë një sipërfaqe të përgjithshme prej 886 metra katrorë dhe është projektuar të akomodojë 80 fëmijë.
Kryeministri theksoi që ne investojmë shumë në arsim, për shkak se investimi në arsim është investimi kryesor në ardhmëri. “Ashtu siç investojmë në arsim, ashtu do ta kemi të ardhmen tonë”, tha ai.
Më tej, ai renditi projektet që qeveria po mbështetë dhe financon në këtë komunë, krahas çerdhes së re, të cilës iu vendos gurthemeli sot.
“Në Komunën e Malishevës jemi përqendruar në disa ndërtime, të cilat janë të domosdoshme, si për kuadrin mësimdhënës, ashtu edhe për fëmijët, nxënësit e të rinjtë. Konkretisht, në Dragobin, ndërtimin e shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku”, dhe adoptimin e shkollës në çerdhe – e para në vlerë prej 1,176,000 euro, ndërkaq e dyta, pra adaptimi apo renovimi i shkollës për çerdhe, në vlerë prej 400 mijë euro. Përveç tyre, kemi edhe adaptimin apo renovimin e shkollës në çerdhe në Banjë, që ndodhet në fazën e parë, në vlerë prej rreth 280 mijë euro, si dhe adaptimin apo renovimin e shkollës në çerdhe në Banjë gjithashtu, në vlerë prej rreth 130 mijë euro e që ndodhet fazën e dytë”, u shpreh kryeministri. Ai gjithashtu përmendi edhe investimet në pjerrinë në qasje për persona me aftësi të kufizuar për shkollën “Lasgush Poradeci” në Kievë, si dhe renovimet në nyjet sanitare apo tualeteve të shkollave në Drenoc, Panorc dhe Malishevë. E që së bashku në total përbëjnë një investim të qeverisë prej 3 milionë euro për arsimin në Komunën e Malishevës, gjatë këtij mandati qeverisës.
Duke i uruar për vendosjen e gurthemelit dhe dëshiruar punime të mbara e të shpejta, kryeministri Kurti falënderoi personelin e gjithë arsimit për kontributin e angazhimin e deritanishëm dhe u zotua që Qeverinë do ta kenë gjithmonë pranë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Bellanica e Malishevës është një fshat tejet i organizuar dhe fort mikpritës. Andaj, më lejoni që fillimisht t’ju falënderoj për këtë mjedis të ngrohtë në këtë mot të ftohtë.
E nderuara znj Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari Drejtor i Shkollës, z. Zogaj,
E nderuara drejtore në Komunën e Malishevës për Arsim, znj Krasniqi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, znj. Vrenezi, z. Avdyli dhe z. Krasniqi, dhe zëvendësministër i arsimit, z Ademi,
Të nderuar banorë të Bellanicës,
Të dashur arsimtarë, mësues, prindër e nxënës,
Zonja dhe zotërinj,
Dje janë bërë tre milionë euro, që në mandatin tonë qeverisës janë ndarë për arsimin në Komunën e Malishevës dhe sot jemi këtu për të vënë gurthemelin e një çerdheje të re, e cila ka vlerën e kontratës prej afro 690 mijë euro. Kontrata është nënshkruar me 13 dhjetor dhe kohëzgjatja e saj është 25 muaj. Projekti i çerdhes është për 80 fëmijë, me sipërfaqe prej 886 metra katrorë dhe e ka përdhesën e katin e parë. Baza e përdhesës ka sipërfaqe bruto prej 533 metra katrorë, ndërkaq baza e katit të parë ka sipërfaqe bruto prej 353 metra katrorë.
Përdhesa përmban hyrjen kryesore, hapësirën e gardërobës së fëmijëve, klasat për fëmijë, kuzhinën dhe tryezarinë, nyjet sanitare në çdo klasë, dhomën e takimeve, nyjet sanitare për personel, lavanderinë si dhe kthinat teknike të ngrohjes. Ndërkaq, në katin e parë do të ketë klasa për fëmijë, dhoma e qumështit, zyra e drejtorit dhe infermieria e nyjet sanitare. Pra bëhet fjalë për një çerdhe që mund t’i ketë të gjitha kushtet si për fëmijët ashtu edhe për edukatoret dhe stafin tjetër administrative e teknik.
Me këtë rast më lejoni të theksoj që ne investojmë shumë në arsim, për shkak se investimi në arsim është investimi kryesor në ardhmëri. Ashtu siç investojmë në arsim, ashtu do ta kemi të ardhmen tonë.
Konkretisht, në Komunën e Malishevës jemi përqendruar në disa ndërtime të cilat janë të domosdoshme si për kuadrin mësimdhënës, ashtu edhe për fëmijët, nxënësit e të rinjtë. Konkretisht, në Dragobin, edhe ndërtimin e shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku”, edhe adoptimin e shkollës në çerdhe, e para në vlerë prej 1,176,000 euro, ndërkaq e dyta, pra adaptimi apo renovimi i shkollës për çerdhe, 400 mijë euro. Tjetra, kemi edhe adaptimin apo renovimin e shkollës në çerdhe në Banjë, që ndodhet në fazën e parë, në vlerë prej rreth 280 mijë euro, si dhe adaptimin apo renovimin e shkollës në çerdhe në Banjë gjithashtu, në fazën e dytë në vlerë prej rreth 130 mijë euro.
Përveç kësaj, e kemi parë shumë të nevojshme që të investojmë edhe në pjerrinë në qasje për persona me aftësi të kufizuara, sepse atyre duhet t’iu krijohet barazia në start dhe kjo është bërë pikërisht për shkollën “Lasgush Poradeci” në Kievë, ndërkaq, në mënyrë që fëmija jo vetëm të kenë shkollim e edukim cilësor, por edhe kushte të dinjitetshme sanitare, kemi bërë edhe renovimin e tualeteve në Drenoc, në Malishevë dhe Panorc, sepse është tejet e rrezikshme ku tualetet nëpër shkolla nuk i kemi të rregulluara e të pastra.
Jemi përpjekur me krejt çfarë kemi mundur e ditur, që t’i shërbejmë qytetarëve pa dallim anembanë komunave të Kosovës. Andaj, edhe nëse shikohet buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, është përafërsisht 44 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2021 për komunat e Kosovës.
Mbi të gjitha, kjo çerdhe që do të ndërtohet, është në shërbim të fëmijëve, që janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë. Andaj, me këtë rast i falënderoj të gjithë arsimtarët, mësuesit e mësimdhënësit, e drejtorin e shkollës, edhe ata që kujdesen e punojnë për arsimin, për kontributin dhe angazhimin e deritanishëm. Zotohemi që qeverinë do ta keni gjithmonë pranë, afër, me juve, për arsimin e këtë çerdhe ta gëzoni. Le ta punojmë sa më shpejtë që mundemi dhe urime Bellanicës e mbarë Malishevës.
Last modified: 24 Dhjetor, 2024