Prishtinë, 22 dhjetor 2024
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Në këtë të diele të bukur dhjetori, e cila është me diell, ju kemi ftuar në këtë konferencë për të ndarë me ju lajme të mira.
Ndonëse, sot është dita më e shkurtë e vitit, pikërisht sot do të bëjmë edhe zgjatjen e dorës së shtetit.
Siç edhe tashmë e dini, rritjen ekonomike e të hyrat buxhetore Qeveria i shpërndan me të gjithë, e më së shumti me ata që kanë nevojë më tepër ta ndjejnë dorën e shtetit.
Për më se 20 vjet me radhë gjatë qeverive të kaluara, fëmijët ishin proklamuar si e ardhmja jonë, por buxheti i ndarë për ta ishte 0. As edhe një masë e vetme mbështetëse për fëmijët apo për nënat lehona.
Kur e patëm përfshirë premtimin për shtesa të nënave lehona dhe shtesa për fëmijët në programin tonë, kishte shumë kundërshtarë dhe shumë skeptikë. Kundërshtarët na thoshin që nuk duhet t’u japim shtesa të gjithë fëmijëve, kurse skeptikët thoshin që premtimi nuk mund të realizohet sepse nuk ka buxhet.
Por ja që e realizuam këtë premtim në plotëni, dhe e siguruam edhe buxhetin, duke iu bashkuar kësisoj listës së vendeve që janë shumë më të zhvilluara ekonomikisht sesa ne, e që kanë skemë universale për mbështetjen financiare të fëmijëve. E përveçse e realizuam premtimin, edhe e tejkaluam atë. Në gusht të këtij viti, e prezantuam skemën e ri-dizajnuar të shtesave për fëmijë, e cila e rriste mbështetjen duke e dyfishuar vlerën, apo edhe trefishuar atë në rastet kur familja ka tre e më shumë fëmijë 0-16 vjeç.
Tani janë mbi 400 mijë fëmijë të cilët marrin shtesat e tyre rregullisht për çdo muaj, në llogarinë e nënës. Për një familje që ka 3 fëmijë, i bie që të marrin 90 euro në muaj apo 1,080 euro në vit. Kush e ka besuar se do të vijë dita që familja të marrë para nga shteti, dhe atë mbi 1 mijë euro në vit? Por ja që, erdhi dita!
I bëmë edhe shtesat për lehona, që për shumëkë dukej e pabesueshme që shteti të paguante një nënë lehonë për 6 muajt e parë. E pabesueshme sepse ishim mësuar nga qeveritë e kaluara që buxheti çdoherë vihej në shërbim të një grupi të vogël të njerëzve dhe të bizneseve, rrotull tyre apo edhe në qendër të tyre dhe asisoj nuk tepronte gjë për ta shpërndarë me gratë e me fëmijët. Edhe kjo u bë për herë të parë në qeverisjen tonë. Shteti për gratë dhe shteti për fëmijët.
Një premtim tjetër i yni ishte edhe rimbursimi vjetor i taksave që familja paguan për minimumin jetik. Këtë premtim e kemi filluar së zbatuari në vitin e kaluar, dhe siç e kemi premtuar, do ta vazhdojmë edhe sivjet.
Pra, të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës 0-16 vjeç dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili.
Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është një investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve, pa dallim. Andaj edhe ju të dashur prindër, t’i rrisni fëmijët me shëndet, por edhe me dashurinë për shtetin e tyre. Kur vlerat e dashuria për vendin brumosen që në fëmijëri, e ardhmja e Republikës sonë padyshim që do të jetë në duar të sigurta.
Por, përveç investimit në fëmijët që janë edhe e tashmja e sidomos e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi që t’i mbështesim edhe ata që kontribuuan dhe e ndërtuan shtetin e na sollën deri këtu.
Prandaj, sikurse tashmë e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa edhe kanë filluar ta quajnë – pensionin e 13-të, për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen.
Kjo shënon herën e pestë brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet tek penisonistët tanë. Fillimisht e kishim bërë në fund të vitit 2021, pastaj në prill dhe në dhjetor të vitit 2022, edhe në fund të vitit 2023, dhe tash po e vazhdojmë edhe në vitin 2024, sepse fatmirësisht kemi pasur performancë të shkëlqyer ekonomike, dhe rritje të të hyrave buxhetore.
Pra, përveç rritjes së pensioneve, fillimisht atyre bazike në vitin 2022, dhe pastaj të gjitha kategorive edhe me 20% sivjet, gjatë mandatit tonë, si me asnjë qeveri tjetër, secili pensionist ka përfituar edhe 500 euro tjera si mbështetje shtesë, për ta lehtësuar barrën.
Andaj, edhe në këtë fundvit sipas tashmë traditës tonë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionmarrësit.
Last modified: 22 Dhjetor, 2024