Prishtinë, 19 dhjetor 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në prezantimin e qasjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2025-2028. Ky program do të jetë një prej dokumenteve kryesore në zvogëlimin e barrës administrative, krahas Strategjisë për Qeverisje Elektronike 2023-2028.
Më këtë rast, zëvendëskryeministri Bislimi tha se kishte nderin dhe kënaqësinë që hapi këtë tryezë dhe të prezantojë angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një administratë publike efikase dhe në shërbim të qytetarëve. Më tej, ai tha se është një mundësi për të diskutuar Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative, dokument kyç drejt modernizimit dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
“Si shtet, jemi duke kaluar një fazë dinamike të zhvillimit. Në këtë kontekst reforma e administratës publike përbën hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo që ne synojmë, është ndërtimi i një administratë të përgjegjshme, një administrate publike transparente dhe një administrate publike që ka aftësinë të krijojë mjedis të favorshëm, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.” u shpreh zëvendëskryeministri.
Në vijim, theksoi analizat dhe kalkulimet vjetore na tregojnë se si në nivel qendror ashtu edhe lokal, është arritur që brenda një viti të kursehen si qytetarëve edhe bizneseve rreth 3.5 milionë euro.
Zëvendëskryeministri falënderoi partnerët tanë kryesorë, si qeverinë e Gjermanisë, qeverinë e Zvicrës dhe Bashkimin Evropian, si dhe stafin civil në nivel qendror e lokal për profesionalizmin dhe përkushtimin.
“Krejt në fund, dua edhe një herë të riafirmojmë përkushtimin e qeverisë sonë, që këtë proces ta çojmë përpara, ta shtojmë intensitetin dhe ta përfundojmë me sa më shumë sukses.” përfundoi ai.
Fjala e plotë e Zëvendëskryeministrit Bislimi:
I nderuar z. Madsen,
I nderuar Ambasador Rohde,
I nderuar Ambasador Sprecher,
Të nderuar përfaqësues të zyrave diplomatike dhe ambasadave prezente në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve publike dhe të sektorit privat,
Kam kënaqësinë e veçantë që të hap këtë tryezë dhe të prezantoj angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një administratë publike efikase dhe në shërbim të qytetarëve. Tryeza e sotme është një mundësi e mirë që të diskutojmë bashkarisht Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative, si dokument i rëndësishëm drejt modernizimit dhe përmirësimit të gamës së shërbimeve publike që ofrohen.
Si shtet, jemi duke kaluar një fazë dinamike të zhvillimit. Në këtë kontekst reforma e administratës publike përbën hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo që ne synojmë, është ndërtimi i një administratë të përgjegjshme, një administrate publike transparente dhe një administrate publike që ka aftësinë të krijojë mjedis të favorshëm, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Pas miratimit të Programit për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative, 2022-2027, nën mbikëqyrjen e kabinetit tim, si dhe nën koordinimin operativ të Zyrës për Planifikim Strategjik, janë arritur një sërë rezultatesh. Për shembull, Raporti për Vendin kur bën fjalë për procesin e zvogëlimit të barrës administrative, konkludon që zbatimi i Programit ka treguar progres të avancuar. Tek vlerësimi që SIGMA e OECD-së bën për ofrimin e shërbimeve në Raportin e saj të Monitorimit për vitin 2024, nga 15 pikë të mundshme, i ndan 15 pikë kur është fjala për zvogëlimin e barrës administrative apo për progresin e arritur në zvogëlimin e barrës administrative.
Në planin e rritjes që kemi negociuar me Bashkimin Evropian, procesi i barrës administrative trajtohet si një reformë me rëndësi, që nënkupton që për sukseset që arrijmë në këtë drejtim edhe shpërblehemi me fonde financiare nga ana e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar që procesin e reduktimit të barrës administrative ta integrojmë edhe te Granti i Performancës Komunale me tregues përkatës, që ta përdorim këtë si incentivë te komunat për thjeshtësimin e shërbimeve komunale.
Deri më tani, janë trajnuar 550 zyrtarë, si të nivelit qendror ashtu edhe atij lokal, që mundëson implementim më të suksesshëm të metodologjisë për dizajnim të shërbimeve. Po ashtu, janë shqyrtuar mbi 200 akte juridike, si dhe mbi 30 koncept-dokumente, që sigurojnë parandalimin e barrës administrative, si dhe gatishmërinë e institucioneve për digjitalizim të shërbimeve të tyre.
Këto arritje përbëjnë elemente të rëndësishme kur flasim për qëndrueshmërinë dhe disiplinën strukturore, si për parandalimin ashtu edhe zvogëlimin e barrës administrative, zvogëlim sa më të shpejtë dhe efikas.
Më lejoni tash që të flas edhe për disa arritje tjera në këtë proces. Janë thjeshtësuar 80 shërbime në ministri të ndryshme dhe 300 shërbime në nivelin lokal, kryesisht në 15 komuna, ku fokus është, si reduktimi i procedurave ashtu edhe reduktimi i dokumenteve që janë kërkuar, me çka lehtësohet jo vetëm puna e qytetarëve dhe e bizneseve, por njëkohësisht edhe puna e vetë institucioneve që trajtojnë këto kërkesa.
Është finalizuar digjitalizimi i 12 shërbimeve të profesioneve të lira dhe 6 shërbimeve gjeodezike, që tanimë janë ekspozuar në platformën eKosova. Po ashtu janë dërguar për ekspozim final në eKosova edhe 27 shërbime të Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë, 20 shërbime doganore, të cilat po presim të ekspozohen së shpejti në eKosova.
Dua të theksoj se kjo është bërë në plotni, do të thotë nuk është bërë vetëm dërgimi i shërbimeve për digjitalizim dhe ekspozim, por jemi siguruar që të ndërmarrim edhe ndryshimet e nevojshme ligjore.
Është në finalizim edhe digjitalizimi i shërbimeve që kanë të bëjnë me autoshkollat, arkitektët, inxhinierët, me nostrifikimin të diplomave, me grantet dhe subvencionet në kulturë, me grante dhe subvencione në bujqësi, por edhe për shërbimet që ofrojnë odat e shëndetësisë.
Në të njëjtën kohë, Sistemi i rezidencës tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës do të lansohet shumë shpejt, ndërkaq është në finalizim edhe sistemi i shërbimeve të punësimit, që ofron Agjencioni i Punësimit.
Mes tjerash, brenda transparencës dhe llogaridhënies, është duke u finalizuar edhe portali i eTransparencës dhe Regjistrimin e Furnitorëve në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por edhe Sistemi i Menaxhimit të Rasteve në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ashtu që të gjitha kërkesat dhe ankesat për qasje në dokumente publike, të mund të bëhen krejtësisht në mënyrë digjitale.
Analizat dhe kalkulimet vjetore po na tregojnë se thjeshtimi dhe eliminimi i këtyre kërkesave, i këtyre dokumenteve dhe procedurave, si niveli qendror ashtu edhe lokal, ka arritur që brenda një viti të kursejë si qytetarëve edhe bizneseve diku 3.5 milionë euro.
Te këto të arritura që janë faktikisht hapa konkretë drejt një administrate efikase, digjitale në shërbim të qytetarëve, tregon se sa i rëndësishëm është ky proces. Tani kisha dashtë që shkurtimisht të flas edhe për synimet të cilat i kemi për vitin 2025 e tutje. Duam që niveli i zyrtarëve komunalë dhe lokal të trajnuar ta arrijnë limitin në numrin 1000.
Duam që të sigurojmë që gjatë vitit 2025 të gjitha koncept dokumentet dhe aktet juridike të shqyrtohen, në mënyrë që të pamundësohet barrë e re administrative në politika të reja ose në të njëjtën kohë të mundësohet zvogëlimi i kësaj barre në amendamentimet e bëra.
Synojmë që të digjitalizojmë mbi 100 shërbime të reja sipas metodologjisë së barrës administrative, në të njëjtën kohë të punojmë në thjeshtësimin e rreth 500 procedurave administrative të nivelit qendror dhe lokal.
Krejt kjo do të jetë në harmoni të plotë me parimet që kemi listuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, në Strategjinë për Qeverisje Elektronike, si dhe në strategjinë për reformën e administratës publike.
Po ashtu, me rëndësi për ne, në këtë proces është edhe integrimi i barazisë gjinore.
Me iniciativën tonë, disa komuna veç kanë larguar tarifat për legalizimin e pronave për gratë, duke ndikuar drejtpërdrejt në kursime por edhe në rritjen e përqindjes së pronave që janë në pronësi të grave, ju rikujtoj se tarifa është bukur e lartë, apo 1.70 euro për një metër katror.
Gjatë vitit që vjen, do të fillojmë edhe digjitalizimin e plotë të procedurave për grante dhe subvencionet që alokohen për gra e këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me Agjencinë për Barazinë Gjinore. Mes tjerash programi do të ketë edhe shumë aktivitete tjera që ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve që fokus kanë gratë. Suksesi i këtyre reformave është në plotni dhe si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi pas me shoqërinë civile, bashkëpunimin e mirë me sektorin privat por edhe me partnerët tanë zhvillimorë.
Ky partneritet konsiderohet thelbësor, nga ana jonë, në mënyrë që të avancojmë edhe më tej në këtë proces. Përmes Zyrës për Planifikim Strategjik, jemi duke punuar në vazhdimësi me shumë organizata të shoqërisë civile, kisha përmend disa sosh: Odën Ekonomike Kosovare Gjermane, Grupin për Studime Juridike Politike, Demokracinë Plus, Open Data Kosova, Institutin GAP, Indepin e shumë të tjera të cilat edhe avokojnë në zbatim konkret të programit dhe sugjerimet e tyre kanë qenë gjithmonë të adresuara me kujdes.
Po ashtu e shfrytëzoj rastin që në veçanti të falënderoj partnerët tanë kryesorë, qeverinë Gjermane që ka ofruar mbështetje përmes GIZ-it, qeverinë zvicerane, përmes projektit të përmirësimit të klimës së investimeve e natyrisht edhe Bashkimin Evropian në prezencën e tyre në Kosovë.
Po ashtu, dëshiroj që të falënderoj shumë edhe vetë stafin civil, si niveli qendror ashtu e lokal, pa përkushtimin dhe profesionalizmin e të cilëve nuk mund të kishim mundur të ishim kaq të suksesshëm në këtë proces të zvogëlimit të barrës administrative si dhe digjitalizimit, e veçanërisht kisha dashtë me ia drejtu një falënderim publik edhe koordinatorit të këtij procesi z. Kushtrim Canolli nga Zyra e Kryeministrit.
Krejt në fund, dua edhe një herë të riafirmojmë përkushtimin e qeverisë sonë, që këtë proces ta çojmë përpara, ta shtojmë intensitetin dhe ta përfundojmë me sa më shumë sukses.
Shumë faleminderit!
Last modified: 19 Dhjetor, 2024