Prishtinë, 19 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, organizuar nga Rilindja e Gjelbër dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë konferencë, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Rilindjes së Gjelbër dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për bashkëpunim në këtë iniciativë, që njëherësh është edhe dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë.
“Për neve si qeveri, çështja e ujit nuk është vetëm një problem teknik i furnizimit, por një sfidë strategjike që lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike dhe me të ardhmen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Ne të gjithë këtu jemi të vetëdijshëm se Kosova përballet me një realitet të ashpër. Ne kemi resurse të kufizuara të ujit dhe jemi ndër vendet me sasinë më të vogël të ujit në rajon. Prandaj, menaxhimi, mbrojtja e burimeve ujore dhe investimet konkrete për të rritur kapacitet tona ujore janë prioritet shtetëror”, u shpreh ai.
Teksa foli për ndryshimet klimatike, kryeministri theksoi se sot 65% e territorit dhe 82% e popullsisë janë në rrezik nga përmbytjet lumore. Ai përmendi përmbytjet e viteve 2013, 2014 dhe 2016 që shkaktuan dëme të drejtpërdrejta mbi katër milionë euro, ndërsa thatësirat e përsëritura kanë shkaktuar mungesa ujore në 80% të komunave tona.
Kryeministri veçoi hapat që Qeveria ka ndërmarr për t’iu përgjigjur kësaj situate kritike, ku brenda dy vjetëve janë trefishuar stacionet hidrologjike dhe meteorologjike, duke krijuar një sistem të avancuar paralajmërimi të hershëm për përmbytje dhe thatësira, janë nisur projekte të rëndësishme për ndërtimin e rezervuarëve të rinj si në Firajë, Shtime dhe Pollata e shumë të tjerë, që do të rrisin kapacitetet ujore mbi 204 milionë m³ ujë duke siguruar furnizim për ujë të pijshëm dhe për bujqësi.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri foli edhe për Strategjinë shtetërore për Ujërat, e cila përfshinë sfidat e ndryshimeve klimatike dhe ndërtimin e një qëndrueshmërie afatgjate. Po ashtu, janë përmirësuar e rritur kapacitetet në Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore dhe janë pajisur komunat me harta të avancuara të rrezikut nga përmbytjet për të ndihmuar planifikimin dhe reagimin e shpejtë, si dhe kanë përfunduar investimet tona në impiante të ujërave të zeza në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, teksa projekte të tjera për trajtimin e ujërave të zeza janë akoma brenda listës prioritare të Qeverisë e të cilat do të zbatohen. Të gjitha këto do të kontribuojnë jo vetëm në uljen e ndotjes, por edhe në rritjen e kapacitetit për përdorimin e ujit të pastër për pije dhe ujitje, u shpreh më tej kryeministri Kurti.
Në fund të fjalës së tij, ai tha se qasja në ujë të pastër është çështje drejtësie dhe mbijetese për qytetarët tanë dhe se ky projekt që po përmbyllet sot është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur këtë burim jetik dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme në këtë epokë të sfidave klimatike.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar z. Jeton Raka, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
I nderuari z.Urim Xharavina, drejtor ekzekutiv i Rilindjes së Gjelbër,
I nderuari z, Johannes Stenbaek Madsen, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale,
Ekspertë e aktivistë të mbrojtjes së burimeve ujore në vendin tonë
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që të tash me juve këtu sot për të shënuar përfundimin e një projekti i cili trajton një nga sfidat më ekzistenciale për vendin tonë: garantimin e qasjes në ujë të pastër për qytetarët tanë pa dallim.
Ky është një shembull konkret i përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur një të drejtë themelore të njeriut dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Rilindjes së Gjelbër dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin në këtë iniciativë, që njëherësh është edhe dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë.
Për neve si qeveri, çështja e ujit nuk është vetëm një problem teknik i furnizimit me të, por një sfidë strategjike që lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike dhe me të ardhmen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Ne të gjithë këtu jemi të vetëdijshëm se Kosova përballet me një realitet të ashpër, ne kemi resurse të kufizuara të ujit dhe jemi ndër vendet me sasinë më të vogël të ujit në rajon. Prandaj, menaxhimi, mbrojtja e ruajtja e burimeve ujore dhe investimet konkrete për to, janë jetësore dhe prioritet shtetëror.
Ndryshimet klimatike po e bëjnë këtë sfidë edhe më të ndërlikuar. Përmbytjet dhe thatësirat që dikur ishin dukuri të rralla, tashmë po bëhen gjithnjë edhe më të shpeshta dhe më të ashpra. Sot, 65% e territorit dhe 82% e popullsisë janë në rrezik nga përmbytjet lumore. Për shembull, përmbytjet e viteve 2013, 2014 dhe 2016 shkaktuan dëme të drejtpërdrejta mbi 4 milionë euro, ndërkaq thatësirat e përsëritura kanë shkaktuar mungesa ujore në 80% të komunave tona.
Ne në Qeveri, për t’iu përgjigjur kësaj situate kritike, kemi ndërmarr disa hapa të qartë dhe të vendosur:
Brenda dy viteve kemi trefishuar stacionet hidrologjike dhe meteorologjike, duke krijuar një sistem të avancuar të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet dhe thatësira. Këto stacione janë instaluar në çdo cep të Kosovës e çdo pellg lumor në mënyrë që reagimi ynë të mos jetë vetëm kur përballemi me kriza, por edhe t’i parandalojmë ato.
Duke marr parasysh se Kosova ka një bazë ujore të kufizuar, kemi nisur projekte të rëndësishme për ndërtimin e rezervuarëve të rinj si në Firajë, Shtime, Pollata e shumë të tjera. Këto do të rrisin kapacitetet ujore mbi 204 milionë m³ ujë duke siguruar furnizim për ujë të pijshëm dhe për bujqësi.
Vetëm njëri liqe i Kosovës, liqeni më i madh i Ujmanit që ndodhet në Komunën e Zubin Potokut për nga vëllimi është trefish më i madh, sesa tre liqenet e tjera marrë së bashku, Radoniqi, Batllava dhe Badovci.
Pra, në njërën anë kemi pak burime të ujit e në anën tjetër ato janë të centralizuara.
Nuk është vëllimi i ujit në vendin tonë i shpërndarë gjithandej, ndonëse qytetarët duhet të jenë gjithandej të barabartë. Pra, synimi ynë nuk është vetëm mbrojtja dhe ruajtja e burimeve që kemi por njëkohësisht është edhe rritja e vëllimit të ujit për vendin tonë.
Kosova, sa i përket burimeve ujore i ngjan një pjate të kthyer përmbys kur burimet e ujit lindin në vendin tonë, por ikin nga vendi. Katër pellgje ujore përfundojnë në tri dete të ndryshëm.
Andaj është jetike që një pjesë e asaj që buron tek ne, të ngelet tek ne. Sepse i kemi ekzistenciale nevojat për ujë të pijes, për një ujitjen në bujqësi, por edhe për ekonominë tonë, e cila është në rritje.
Strategjia jonë shtetërore për Ujërat përfshinë sfidat e ndryshimeve klimatike por edhe ndërtimin e një qëndrueshmërie afatgjate. Kjo përfshin rregullore të reja për mbrojtjen nga përmbytjet dhe projekte të qëndrueshme, e po ashtu, kemi përmirësuar edhe i kemi rritur kapacitetet në Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore dhe kemi pasur komunat me harta të avancuara të rrezikut nga përmbytjet për të ndihmuar planifikimin dhe reagimin e shpejtë.
Investimet tona gjithashtu në impiante të ujërave të zeza tashmë kanë përfunduar në Pejë, Gjakovë, Prizren. E projekte të tjera për trajtimin e ujërave të zeza i kemi akoma brenda listës prioritare të Qeverisë e të cilat do të zbatohen. Këto do të kontribuojnë jo vetëm në uljen e ndotjes, por edhe në rritjen e kapacitetit për përdorimin e ujit të pastër për pije dhe ujitje.
Të nderuar të pranishëm,
qasja në ujë të pastër nuk është vetëm një çështje teknike apo ekonomike por, është edhe çështje drejtësie dhe mbijetese për qytetarët tanë. Ky projekt që po përmbyllet sot është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur këtë burim jetik dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme në këtë epokë të sfidave klimatike. Me investime të qëndrueshme dhe një vizion të qartë, Kosova mund dhe do të jetë shembull se si sfidat e mëdha mund të kthehen në mundësi të reja për zhvillim.
Andaj edhe ajo strofa e parë, në reshtin e saj të parë të këngës, a kanë ujë ato burime, unë besoj që burimet kanë ujë, por duhet t’i ruajmë, t’i mbrojmë, dhe gjithashtu t’i ujisim në formën e liqeneve akumuluese për qytetarët tanë, bujqësinë dhe bizneset.
Ju faleminderit!
Last modified: 19 Dhjetor, 2024